Kalo te përmbajtja

Vëlla Denis Kristensenin e shoqërojnë për në Gjykatën e Krahinës së Zhileznadarozhnit në Oriol

31 KORRIK 2019
RUSI

PËRDITËSIM—Denis Kristenseni qëndron besnik pasi e çojnë në burg

PËRDITËSIM—Denis Kristenseni qëndron besnik pasi e çojnë në burg

Më 6 qershor 2019, dy javë pasi vëlla Denis Kristenseni humbi apelimin, autoritetet ruse e nxorën nga qelia e paraburgimit në Oriol dhe e transferuan në një burg, në kampin e punës nr. 3 në qytetin e Lgovit, afërsisht 200 kilometra larg familjes dhe miqve në Oriol.

Kur mbërriti në burg, Denisin e fyen dhe u përpoqën t’i thyenin integritetin. Por ai u mbështet jashtë mase te Jehovai dhe po tregon se është i fortë dhe i guximshëm.—1 Pjetrit 5:10.

Në Finlandë (nga e majta në të djathtë): Mark Sandersoni, anëtar i Trupit Udhëheqës, Irina Kristenseni dhe Tomi Kauko nga Finlanda

Që kur Denisi u arrestua dhe u burgos, vëllezërit e kanë mbështetur me dashuri Irinën, gruan e tij, dhe janë kujdesur për të. Në qershor, vëlla Mark Sandersoni, anëtar i Trupit Udhëheqës, dhe vëllezër të tjerë përgjegjës krijuan mundësinë për t’u takuar me Irinën në Finlandë, që t’i jepnin zemër.

Tani u bë më shumë se një muaj që Denisi është në burg. Kohët e fundit, Irina mori leje të flasë me të në telefon një herë në ditë dhe ta vizitojë në burg.

Irina rilexon letrat zemërdhënëse që ia ka dërguar Denisi

Pavarësisht nga gjithë sa kanë kaluar për më shumë se dy vjet, Denisi dhe Irina po ruajnë besnikërinë dhe gëzimin. Irina thotë se veçanërisht letrat e përjavshme nga Denisi ia kanë ngritur zemrën peshë. Në një nga letrat e saj të preferuara, ai shkruan: «Të jesh pozitiv, është një çelës për të pasur sukses dhe ne kemi kaq shumë arsye për të qenë të gëzuar.» Në fund thoshte: «Arsyeja pse ekzistojmë, është të përkrahim sovranitetin e Jehovait. E di që udhëtimi ynë është i gjatë dhe akoma nuk kemi dalë fitimtarë. Mirëpo, në fund do të fitojmë. Për këtë nuk kam pikë dyshimi.»

Më 21 korrik në kongresin ndërkombëtar në Danimarkë, vëlla Leti, anëtar i Trupit Udhëheqës, lexoi një mesazh nga Denisi. Ndër të tjera, shkruante: «Do të doja të isha me ju, por tani për tani kjo është e pamundur, meqë nuk e kam mbaruar ende këtë caktim. Ama po pres me padurim kur të jemi së bashku në të ardhmen.»

Kur Pavli ishte nën arrest në Romë, shkroi: «E falënderoj gjithmonë Perëndinë tim, sa herë që ju kujtoj, në çdo përgjërim timin për të gjithë ju. Bëj përgjërime me gëzim. . . . Ju kam në zemër, meqë të gjithë ju jeni pjesëmarrës bashkë me mua në dashamirësinë e pamerituar, qoftë në vargonjtë e mi, qoftë në mbrojtjen dhe në themelimin ligjërisht të lajmit të mirë.»—Filipianëve 1:3, 4, 7.