Kalo te përmbajtja

Vëllezërit Sergei Sergejevi (majtas) dhe Juri Belosludtsevi (djathtas)

18 MARS 2021
RUSI

PËRDITËSIM—HIDHET POSHTË APELIMI | Dy vëllezër në skajin lindor të Rusisë mund të dënohen me 12 vite burg për shkak të besimit

PËRDITËSIM—HIDHET POSHTË APELIMI | Dy vëllezër në skajin lindor të Rusisë mund të dënohen me 12 vite burg për shkak të besimit

Më 18 tetor 2022, Gjykata e Kasacionit e Juridiksionit të Nëntë hodhi poshtë apelimin e dytë të vëllezërve Juri Belosludtsev dhe Sergei Sergejev. Për momentin atyre nuk u duhet të shkojnë në burg.

Më 21 prill 2022, Gjykata Rajonale e Territorit të Primorjes hodhi poshtë apelimin e Jurit dhe të Sergeit.

Më 31 janar 2022, Gjykata e Krahinës së Pozharskit në Territorin e Primorjes i shpalli fajtorë Jurin dhe Sergein. Të dy u dënuan me 6 vite vënie në provë.

Të dhëna

Juri Belosludtsevi

  • Lindur: 1964 (Smidoviç, Rajoni Autonom Jude)

  • Biografia: E rriti gjyshja në një fshat të vogël. Ka punuar si inxhinier për një kompani elektrike. I pëlqen të peshkojë e të bëjë ski

    Në vitin 1985 u martua me Jelenën. Të dy u kënaqën jashtë mase kur mësuan se Perëndia premton se do të zhdukë ligësinë dhe vuajtjet, si dhe mbetën pa fjalë kur kuptuan se profecitë e Biblës po përmbushen. Këto të vërteta i ndihmuan të pranonin të studionin Biblën. U pagëzuan në vitin 1994

Sergei Sergejevi

  • Lindur: 1955 (Dukovnitskoje, rajoni i Saratovit)

  • Biografia: Ka punuar në një minierë qymyrguri derisa doli në pension. U martua me Nelin në vitin 1991 dhe kanë dy vajza e një djalë. Çifti i ka shumë qejf qentë

    Filluan të studionin Biblën pak pasi u martuan. U prekën jashtë mase nga saktësia e profecive të Biblës dhe nga këshillat e saj praktike, prandaj u pagëzuan në vitin 1996

Historiku i çështjes

Më 17 mars 2019, agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB) bastisën shumë shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait në Luçegorsk, Territori i Primorjes. Vëllezërit e motrat i morën në pyetje, disa prej tyre deri në 7 orë. Jurin dhe Sergein i burgosën.

Pas dy ditësh të dy i dërguan në një qendër paraburgimi ku ndenjën për më shumë se 6 muaj. Pasi i liruan, në shtator 2019, kaluan gati 5 muaj në arrest shtëpie.

Të dy e pranojnë se lutjet i kanë ndihmuar jashtë mase të përballonin kushtet në qendrën e paraburgimit. Sergei thotë se edhe Bibla e ka ndihmuar të ruajë një qëndrim pozitiv: «Më kujtoheshin fjalët e Jezuit: ‘Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju.’ (Gjoni 15:20) Mendoja: ‘Uau! Çdo që gjë po na ndodh neve, i ka ndodhur Jezu Krishtit, dishepujve të tij dhe apostujve. Me sa duket, Jehovai ka besim se unë mund të jap dëshmi të mirë këtu.’ Këto mendime dhe përgjigjet e lutjeve nga Jehovai, më forconin e më ndihmonin të isha i qetë e i lumtur.»

Juri tregon se më parë e kishte disi të vështirë ta lexonte çdo ditë Biblën. Një Dëshmitar e ndihmoi të përmirësohej në këtë aspekt. Ky zakon e ndihmoi shumë kur ishte në paraburgim. Ai pohon: «Mund të kujtoja shembuj nga Bibla dhe nga botimet tona që i kisha studiuar në të kaluarën. Kështu merrja forcë dhe ruaja gëzimin. Gjithashtu shmangia ankthin e tepërt.»

Lutemi plot besim se Jehovai do të jetë gjithnjë ‘strehë dhe forcë’ për vëllezërit e motrat tona në Rusi në këto «kohë vuajtjesh».—Psalmi 46:1.