22 PRILL 2021
RUSI
PËRDITËSIM—HIDHET POSHTË APELIMI | Lutjet, studimi dhe inkurajimi nga Bibla i ka ndihmuar vëllezërit të qëndrojnë pavarësisht nga muaj të tërë në burg dhe në arrest shtëpie
Më 4 tetor 2022, Gjykata Rajonale e Kirovit hodhi poshtë apelimin e vëllezërve Maksim Kalturini, Vladimir Korobejnikovi, Anzej Onisçuku, Andrei Suvorkovi, Evgeni Suvorkovi dhe Vladimir Vasiljevi. Për momentin atyre nuk u kërkohet të shkojnë në burg.
Më 3 qershor 2022, Gjykata e Krahinës së Pervomajskit në Kirov shpalli fajtorë vëllezërit Maksim Kalturini, Vladimir Korobejnikovi, Anzej Onisçuku, Andrei Suvorkovi, Evgeni Suvorkovi dhe Vladimir Vasiljevi. Vëllezërit morën dënime të ndryshme me vënie në provë që varionin nga 2 vite e gjysmë në 6 vite e gjysmë. Gjykata shpalli fajtor edhe vëlla Juri Geraskovin, edhe pse ai vdiq para përfundimit të gjyqit.
Të dhëna
Juri Geraskovi
Lindur: 1956 (Azerbajxhan)
Vdekur: 24 prill 2020
Biografia: Që i vogël ishte i apasionuar pas futbollit dhe fotografisë. Ka punuar në filarmoni. Për shkak të situatës politike në Azerbajxhan, emigroi në Rusi më 1993. Në vitin 2011 u martua me Aljevtinën dhe po në këtë vit u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait. Çiftit i pëlqente të shëtiste në natyrë dhe të kalonin kohë me miqtë
Maksim Kalturini
Lindur: 1974 (Kirov)
Biografia: Zhvilloi dashuri për leximin që kur ishte i vogël. Filloi të interesohej për Biblën në vitin 1993 dhe më 1995 u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait. Kujdeset për prindërit e moshuar. Ata i mbështetin bindjet e tij fetare edhe pse i përkasin një feje tjetër
Vladimir Korobejnikovi
Lindur: 1952 (Ishulli Dikson, Territori i Krasnojarskut)
Biografia: I ati ishte një shkencëtar që studionte oqeanin arktik. Kur ishte fëmijë, Vladimirit i pëlqente shumë të bënte makete. Ka punuar si hidraulik dhe makinist. Tani që ka dalë në pension, i pëlqen të peshkojë
Ai dhe e shoqja, Olga, filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait në fillim të viteve 90. Atij i bënë veçanërisht përshtypje profecitë e Biblës. U pagëzua në vitin 1996. Parimet e Biblës e kanë ndihmuar familjen e tij të jetë e lumtur. Ata kanë një djalë dhe një vajzë në moshë madhore
Anzej Onisçuku
Lindur: 1968 (Biallistok, Poloni)
Biografia: Kur ishte i ri, i pëlqente të merrej me futboll dhe me ngritje peshash. U pagëzua në vitin 1990. U transferua në Kirov më 1997. I pëlqen shumë letërsia ruse. Në vitin 2002 u martua me Anën. U pëlqen shumë të kalojnë kohë në natyrë, të mbledhin kërpudha dhe të luajnë futboll
Andrei Suvorkovi
Lindur: 1993 (Kirov)
Biografia: E ëma i mësoi të vërtetën që nga foshnjëria. Kur ishte fëmijë, i pëlqente të merrte njohuri për shkencën dhe të merrej me sporte të ndryshme, sidomos të luante volejboll. Në vitin 2007 u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait. Shërbimin civil alternativ e ka kryer duke punuar në një qendër rehabilitimi për ata që kanë krijuar varësi ndaj drogës. Në vitin 2016 u martua me Svetlanën. Të dyve u pëlqen të merren me sport
Evgeni Suvorkovi
Lindur : 1978 (Kumeni, Rajoni i Kirovit)
Biografia: Kur ishte fëmijë kishte qejf të luante shah dhe hokej. I pëlqente edhe të dëgjonte muzikë. Punon si elektricist. Kur ishte 16 vjeç, filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe në vitin 1995 u pagëzua. Në moshën 18-vjeçare kërkoi të kryente shërbim civil alternativ në vend të ushtrisë. Pas gjashtë seancash gjyqësore i dhanë mundësinë të kryente shërbimin civil alternativ. Në vitin 2000 u martua me Svetlanën dhe të dy bashkë kanë rritur djalin e saj, Andrein (i përmendur më sipër)
Vladimir Vasiljevi
Lindur: 1956 (Perm)
Biografia: Kur ishte fëmijë, i pëlqente futbolli. Ka punuar si hidraulik dhe shofer. Tani është në pension. Në fillim të viteve 90 bashkë me të shoqen, Nadjezhdën, nisën të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. U pagëzua në vitin 1994
Historiku i çështjes
Më 9 tetor 2018, autoritetet kontrolluan 14 shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait në Kirov. Si rezultat arrestuan vëllezërit Maksim Kalturini, Vladimir Korobejnikovi, Anzej Onisçuku, Andrei Suvorkovi dhe Evgeni Suvorkovi. Pastaj i futën në një qendër paraburgimi. Në janar dhe në korrik të 2019-s, ngritën akuza edhe kundër vëllezërve Vladimir Vasiljevi dhe Juri Geraskovi.
Vladimir Korobejnikovin e mbajtën në arrest më shumë se 2 muaj. Pastaj e kaluan në arrest shtëpie që t’i jepnin mundësi të kujdesej për gruan e tij të sëmurë dhe për vajzën. Maksimin dhe Andrein i mbajtën në qendër paraburgimi për më shumë se 3 muaj, kurse Evgenin për rreth 5 muaj. Anzejin e mbajtën në paraburgim për 327 ditë. Disa nga këta vëllezër i kaluan në arrest shtëpie. Nga njëfarë kohe i kanë liruar, por kanë akoma kufizime lidhur me lëvizjen jashtë zonës ku banojnë.
Kur ishin në burg, e vuanin ndarjen nga familja. Ama ishin të bindur se Jehovai do të kujdesej për njerëzit e tyre të shtrenjtë.
Për shembull, gruaja e Vladimir Korobejnikovit, Olga, është invalide. Ai shpjegon: «Gjëja më e vështirë ishte kur mendoja se kisha lënë vetëm në shtëpi gruan time të sëmurë.» Më tej tregon se celularin ia kishin marrë gjatë kontrollit. Vladimiri ishte shumë në merak derisa një motër nga kongregacioni i shkroi dhe e siguroi se vëllezërit e motrat në besim po kujdeseshin për gruan e tij. Më vonë mori edhe një letër inkurajuese nga gruaja e tij, Olga, ku i shpjegonte se ishte shumë mirë.
Kufizimet në lëvizje dhe akuza si «ekstremistë» u kanë krijuar edhe probleme të tjera. Për shembull, vëllezërit e kanë të vështirë të gjejnë punë stabël. Veç kësaj, u kanë ngrirë llogaritë bankare.
Megjithatë, Evgeni thotë: «Jehovai na siguron me bollëk gjithçka që na nevojitet. Njësoj si izraelitët në shkretëtirë, edhe neve nuk na mungon asgjë. E shohim me sytë tanë si kujdeset populli i Jehovait për nevojat e njëri-tjetrit, si e ngushëllojnë dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin të ruajnë marrëdhënie të mirë me Të.»
Vëllezërit thonë se lutjet, studimi personal dhe leximi i Biblës i kanë ndihmuar të qëndrojnë besnikë dhe të guximshëm. Për shembull, Vladimir Vasiljevi shpjegon: «Ngjarjet që përshkruhen në Bibël na ndihmojnë të kuptojmë se Jehovai ka gjithçka nën kontroll. Ja pse besimi ynë te Perëndia forcohet, e normalisht rritet edhe siguria që kemi tek ai.»
Edhe pse kjo çështje ka shkaktuar vështirësi për vëllezërit tanë të dashur dhe për familjet e tyre, jemi të sigurt se do të vazhdojnë të mbështeten me besim te Jehovai. Po qëndrojnë, të bindur se «njeriu» nuk u shkakton dot dëme të përhershme.—Psalmi 56:4.