Kalo te përmbajtja

Motër Svetlana Monisi me bashkëshortin, Alam Aljevin

3 SHKURT 2021
RUSI

PËRDITËSIM—MOTRËN TONË E SHPALLIN FAJTORE | Motër Svetlana Monisi ruan qetësinë edhe pse rrezikon ta shpallin fajtore

PËRDITËSIM—MOTRËN TONË E SHPALLIN FAJTORE | Motër Svetlana Monisi ruan qetësinë edhe pse rrezikon ta shpallin fajtore

Më 31 tetor 2022, Gjykata e Krahinës së Birobidzhanit në Rajonin Autonom Jude e shpalli fajtore motër Svetlana Monisin dhe e dënoi me 2 vjet e gjysmë vënie në provë. Për momentin asaj nuk i duhet të shkojë në burg.

Më 9 mars 2022, Gjykata e Rajonit Autonom Jude hodhi poshtë vendimin e fajësisë së Svetlanës. Çështja i kaloi për rishqyrtim Gjykatës së Krahinës së Birobidzhanit në Rajonin Autonom Jude.

Më 15 shkurt 2021, Gjykata e Krahinës së Birobidzhanit në Rajonin Autonom Jude e shpalli fajtore Svetlanën ngaqë merrte pjesë në veprimtaritë e një organizate të ndaluar. Gjykata e gjobiti me 10.000 rubla (135 dollarë amerikanë).

Të dhëna

Svetlana Monisi

  • Lindur: 1977 (Lesozavodsk)

  • Biografia: Vuan nga një sëmundje e syve që i përkeqësohet dita-ditës. I pëlqen shumë të mësojë gjuhë të huaja. Ka studiuar gjuhën kineze, angleze dhe gjermane. Për pjesën më të madhe të kohës e ka rritur të birin vetëm. Ka hapur një restorant të vogël kinez për të mbajtur familjen

    Shqetësohej shumë kur shihte padrejtësi në botë, ndaj filloi të studionte Biblën. U pagëzua në vitin 2005 dhe në vitin 2015 u martua me Alam Aljevin, kundër të cilit kanë ngritur një tjetër çështje penale

Historiku i çështjes

Më 26 shtator 2019, D. Jankini, që drejton hetime për Shërbimin e Sigurimit Federal (FSB), hapi një çështje penale kundër motër Svetlana Monisit. Gjykata ia kishte ndaluar të përdorte makinën për gati dy muaj, edhe pse i duhej që të ndihmonte gjyshen e vet 91 vjeçe.

Hetimi fillestar mbaroi në dhjetor 2019. Më vonë autoritetet ia kaluan çështjen e saj Gjykatës së Krahinës së Birobidzhanit.

Duke menduar për përndjekjen, Svetlana kujton: «Ruajta qetësinë kur më kontrolluan shtëpinë. Pikërisht në ato momente kuptova për herë të parë çfarë do të thoshin fjalët: ‘Lum ata që përndiqen për hir të drejtësisë!’»—Mateu 5:10.

Pas atij kontrolli arrestuan edhe të shoqin, Alami, të cilin e futën në paraburgim për 8 ditë. Ajo sjell ndër mend: «E kisha shumë të vështirë të mos shqetësohesha për të. Isha në merak, sepse im shoq ka një problem kronik me shpinën që i është keqësuar. Atij iu desh të kurohej në spital . . . pikërisht një javë para se të na kontrollonin shtëpinë. Nuk kisha asnjë mënyrë si të komunikoja me Alamin, kështu që nuk e dija nëse ishte mirë. I tregova Jehovait si ndihesha, i besova gjithë merakun dhe e dija se ai do të siguronte kujdesin më të mirë për Alamin.»

Svetlana nuk ka dyshuar ndonjëherë që Jehovai është me të. Ajo komenton: «E kam parë dhe e kam përjetuar mbështetjen e tij. E kuptova se nuk ishte momenti që të më zinte paniku. . . . U përpoqa të mos përqendrohesha te vetja, por të mendoja si t’i qëndroja besnike Jehovait.»

Që të ruajnë optimizmin, Svetlana dhe Alami bëjnë çmos që ta mbajnë të fortë besimin. Ajo thotë: «Çdo ditë bashkë me tim shoq lexojmë shkrimin e ditës dhe një kapitull nga Bibla. Gjithmonë u kushtojmë shumë vëmendje shkrimeve që na nxitin të gjejmë ngushëllim te Jehovai e të mbështetemi tek Ai.» Shkrimi i vitit për 2019-n, Isaia 41:10, i kujton dhe e siguron çiftin se Jehovai i do. Aty thuhet: «Mos ji në ankth, se unë jam Perëndia yt.» Svetlana pohon: «Vendosëm ta printonim këtë varg e ta vinim në një kornizë.»

Qëndrueshmëria e Svetlanës ka ndikuar për mirë te të afërmit e saj që nuk janë Dëshmitarë. Ajo shpjegon: «I kam dhënë dëshmi mamasë sime që dikur më kundërshtonte. Tani i respekton bindjet tona dhe më thotë vazhdimisht se i vjen keq për këtë që po më ndodh dhe më mbështet.» Më tej, thotë: «Gjyshja ime ortodokse 91 vjeçe na thotë gjithnjë se na respekton dhe se ka merak për ne. Ajo ka filluar të shfaqë goxha interes për Biblën.»

Mendojmë vazhdimisht për Svetlanën dhe Alamin. E dimë se do ta ruajnë qëndrimin pozitiv ndërsa Jehovai ‘ua forcon zemrën’ pareshtur.—Psalmi 10:17.