Kalo te përmbajtja

Lart (nga e majta): vëllezërit Boris Burilovi dhe Aleksandër Inozemtsevi;

poshtë (nga e majta): vëllezërit Viktor Kuçkovi, Igor Turiku dhe Juri Vagu

21 PRILL 2021
RUSI

PËRDITËSIM | Pesë vëllezër nuk e humbin guximin dhe gëzimin gjatë bastisjeve masive dhe arrestimit në qytetin e Permit, Rusi

PËRDITËSIM | Pesë vëllezër nuk e humbin guximin dhe gëzimin gjatë bastisjeve masive dhe arrestimit në qytetin e Permit, Rusi

Më 12 maj 2022, Gjykata e Kasacionit e Juridiksionit të Shtatë hodhi poshtë apelimin e dytë të vëllezërve Boris Burilov, Aleksandër Inozemtsev, Viktor Kuçkov, Igor Turik dhe Juri Vag. Ata nuk duhet të futen në burg në këtë moment.

Më 23 gusht 2021, Gjykata e Territorit të Permit hodhi poshtë apelimin e Borisit, Aleksandrit, Viktorit, Igorit dhe Jurit. Kështu që mbeten në fuqi dënimet e tyre fillestare.

Më 12 maj 2021, Gjykata e Krahinës Industriale në qytetin e Permit shpalli vendimin për çështjen e Borisit, Aleksandrit, Viktorit, Igorit dhe Jurit. Igorin e dënuan me 7 vite vënie në provë. 4 vëllezërit e tjerë i dënuan me 2 vite e gjysmë vënie në provë.

Të dhëna

Boris Burilovi

  • Lindur: 1941 (Sevastopol)

  • Biografia: U rrit në Territorin e Permit. U diplomua për agronomi. Kur ishte fëmijë, e ëma i lexonte pjesë nga Bibla. Në fillim të viteve 90 gjeti një Bibël të plotë dhe në vitin 1996 u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait

Aleksandër Inozemtsevi

  • Lindur: 1972 (Kostanaj)

  • Biografia: Ka shërbyer në ushtri. Gjithashtu ka punuar si elektricist, mekanik makinash, ndërsa kohët e fundit punon në mirëmbajtjen e godinave dhe në rimodelimin e apartamenteve. Pasi lexoi Biblën dhe pasi e studioi me Dëshmitarët e Jehovait, gjeti përgjigje të kënaqshme për pyetje, si: pse vuajnë dhe pse vdesin njerëzit? U pagëzua në vitin 1996. U martua me Olesjan në vitin 2017 dhe po rritin vajzën e saj të vogël. Atyre u pëlqen të pikturojnë, të luajnë hokej dhe të peshkojnë

Viktor Kuçkovi

  • Lindur: 1967 (Svetlica)

  • Biografia: Që kur ishte fëmijë, i pëlqenin punimet e drurit. Ka studiuar për inxhinieri përpunimi metalesh dhe ka punuar si inxhinier. I pëlqen të peshkojë e të luajë volejboll. Në vitin 1988 u martua me Tanjën dhe kanë një vajzë. Gjithmonë i ka pëlqyer të mësonte për Perëndinë, prandaj në vitin 1993 u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait

Igor Turiku

  • Lindur: 1968 (Nelidovo)

  • Biografia: Punon edhe si fotograf, edhe si arkitekt. Aty nga vitet 90 filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. I bëri shumë përshtypje harmonia e Biblës. U pagëzua në vitin 1998. Është martuar në vitin 2002 dhe ka një djalë e një vajzë. Është fotograf, videograf dhe i pëlqejnë radiot elektronike

Juri Vagu

  • Lindur: 1975 (Lesosibirsk)

  • Biografia: Është stërvitur si drejtues vinçi. Tani punon si elektricist dhe me mirëmbajtjen e godinave. Kur shërbente në ushtri, motra i tregoi çfarë mësonte Bibla. Juri filloi ta studionte Biblën pasi vuri re që e motra po bëhej njeri më i mirë ngaqë po zbatonte mësimet e Biblës. U pagëzua në vitin 1996 dhe po atë vit u martua me Svetlanën. Ata kanë një djalë e një vajzë

Historiku i çështjes

Më 17 shtator 2018, agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB) dhe forca të tjera speciale organizuan një bastisje masive në Territorin e Permit. Kontrolluan të paktën 10 shtëpi të vëllezërve tanë. Gjatë kontrollit konfiskuan pará, celularë dhe pajisje të tjera elektronike. Viktorin dhe Igorin i burgosën për disa ditë, pastaj i kaluan në arrest shtëpie për gati 4 muaj. Tani të gjithë po u nënshtrohen kufizimeve të ndryshme. Madje, emrat e tyre i kanë futur në listën ruse të «ekstremistëve».

Secili vazhdon të shfaqë një guxim të jashtëzakonshëm dhe të ruajë gëzimin, pavarësisht nga vështirësitë.

Juri thotë se tani i lutet më shpesh Jehovait. Gjithashtu mediton rregullisht për mënyrat si po e mbështet dhe si po e forcon Jehovai. Ai komenton: «Fjalët e Josiut 1:7 më ndihmojnë të jem i qetë. Te këto fjalë gjeta atë për të cilën kisha nevojë. E ndiej se Jehovai po më ndihmon e po kujdeset për mua.»

Viktori thotë se meditimi për organizatën e Jehovait e ka ndihmuar të ruajë qetësinë gjatë procesit gjyqësor. Ai komenton: «Përpiqesha të imagjinoja madhështinë e Jehovait, pjesën e dukshme e të padukshme të organizatës së tij, vëllezërit e motrat në çdo vend, veprën e predikimit anekënd botës, si dhe bukurinë dhe logjikën e së vërtetës. Kjo më ka ndihmuar të mos përqendrohesha te vetja, dhe qetësohesha menjëherë.»

Tani që është në shtëpi, Igori i sheh me humor disa nga situatat që kaloi. Ai kujton: «Kur isha në paraburgim, vajza pikturoi botën e re, që të më jepte zemër. Autoritetet e burgut nuk ma dhanë pikturën. Bashkëshortja më tha se personeli i burgut e pa gjerë e gjatë pikturën dhe i thanë: ‘Nuk mund ta pranojmë këtë. Duket si plan arratisjeje.’» Igori vazhdon: «Epo, kanë të drejtë. Bota e re është ‘plani ynë i arratisjes’ nga ky sistem i lig.»

Jemi të bindur se Jehovai do të vazhdojë t’i mbështetë këta vëllezër dhe familjet e tyre me anë të frymës së tij të shenjtë. E dimë mirë se Jehovai do t’u sigurojë gjithmonë forcën që u duhet.—Efesianëve 3:20.