Kalo te përmbajtja

Nga e majta: vëlla Sergei dhe motër Ana Melniku, Valeri e Marina Rogozini dhe Igor e Jevgeni Jegozarjani

26 SHKURT 2021
RUSI

PËRDITËSIM | Tre vëllezër presin vendimin e gjykatës, pasi kaluan shtatë muaj në paraburgim

PËRDITËSIM | Tre vëllezër presin vendimin e gjykatës, pasi kaluan shtatë muaj në paraburgim

Më 18 mars 2022, Gjykata Rajonale e Volgogradit hodhi poshtë apelimin e vëllezërve Sergei Melnik, Valeri Rogozin dhe Igor Jegozarjan. Vëllezërit vazhdojnë të mbeten në burg.

Më 23 shtator 2021, Gjykata e Krahinës së Traktorozavodskit në Volgograd shpalli fajtorë tre vëllezërit. Vëllezërit Jegozarjanin dhe Melnikun i dënoi me gjashtë vite burg, kurse vëlla Rogozinin me gjashtë vite e gjysmë burg.

Të dhëna

Sergei Melniku

  • Lindur: 1972 (Volgograd, rajoni i Volgogradit)

  • Biografia: Ka studiuar në një shkollë teknike dhe është specializuar si mekanik makinash. Kohët e fundit ka punuar me çatitë. U martua me Anën në vitin 1993 dhe kanë rritur tre djem. Si familje u pëlqen të shëtitin në natyrë

    Ana filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ndërsa Sergei filloi të studionte pasi vuri re që e shoqja po ndryshonte për mirë. Ai u pagëzua në vitin 1999

Valeri Rogozini

  • Lindur: 1962 (Krasnokamsk, rajoni i Permit)

  • Biografia: Për 12 vjet ishte pilot ushtarak. Më pas doli në pension dhe filloi punën si inxhinier. Në vitin 1984 u martua me Marinën. Ata kanë dy djem

    Valeri filloi të studionte Biblën në fillim të viteve 90 dhe u pagëzua në vitin 1998

Igor Jegozarjani

  • Lindur: 1965 (Volgograd, rajoni i Volgogradit)

  • Biografia: Është këpucar dhe elektricist. Që i vogël, ishte shumë i dhënë pas muzikës. I bie kitarës. Në vitin 2002 u martua me Jevgeninë dhe kanë një djalë

    Personi i parë që i ka folur për lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, është e ëma. Logjika dhe thjeshtësia e të vërtetave të Biblës e prekën shumë. Ndaj u pagëzua në vitin 1992

Historiku i çështjes

Më 16 maj 2019, policë dhe agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB) bastisën shtatë shtëpi në rajonin e Volgogradit, Rusi. Pas dy ditësh, gjykata qendrore e krahinës urdhëroi që vëllezërit Melnik, Rogozin dhe Jegozarjan të futeshin në paraburgim.Të tre ndenjën në paraburgim për shtatë muaj.

Edhe pse të tre vëllezërit u ribashkuan me familjet e tyre, po përballen me shumë vështirësi ndërsa presin vendimin. Për shembull, Valerin e kanë futur në listën e personave të cilëve u monitorohen lëvizjet financiare nga Federata Ruse. Valeri thotë: «M’i mbyllën të gjitha llogaritë bankare dhe e kam të ndaluar të përdor telefonin e internetin. Për shkak të kësaj, humba punën.» Ai dhe e shoqja po përdorin pensionet për të siguruar nevojat e përditshme dhe u është dashur ta thjeshtojnë shumë jetën.

Gjykata u ka vënë kufizime të tjera Sergeit dhe Igorit, ndaj e kanë goxha të vështirë të gjejnë punë. Për shkak të seancave të rregullta gjyqësore, Sergeit i është dashur të ndërpresë programin normal të punës. Ai thotë: «Unë rregulloj çatitë, ndaj më është dashur të kërkoj punë të vogla, që të mund t’i mbaroja ndërmjet seancave gjyqësore.»

Igori po lufton me një sëmundje dhe i duhet të shkojë rregullisht në spital. Ai tregon: «Për shkak të akuzave kundër meje, është e pamundur të gjej punë.» Edhe pse nuk është mirë me shëndet dhe ka probleme të mëdha financiare, Igori vazhdon: «Jehovai na ka bërë një dhuratë të jashtëzakonshme: një familje të madhe me motra e vëllezër, që nuk na kanë braktisur gjatë kësaj periudhe të vështirë.»

Është e qartë se vëllezërit tanë dhe familjet e tyre po kalojnë vështirësi të mëdha financiare për shkak të kufizimeve që u janë vënë. Jemi të bindur se të gjithë vëllezërit e motrat në Rusi do të vazhdojnë të qëndrojnë të vendosur nën sprova, duke e ditur se Jehovai do t’u sigurojë gjithnjë çdo gjë që u nevojitet.—Mateu 6:33.