1 PRILL 2021 | PËRDITËSUAR MË 17 SHKURT 2023
RUSI
PËRDITËSIM—VËLLANË TONË E SHPALLIN FAJTOR | Gjykata ruse do që t’i shkelë lirinë fetare vëlla Jevgeni Jegorovit
Më 17 shkurt 2023, Gjykata Krahinore e Birobidzhanit në Rajonin Autonom Jude e shpalli fajtor vëlla Jevgeni Jegorovin dhe e dënoi me 2 vite e gjysmë vënie në provë. Në këtë moment nuk i kërkohet të futet në burg.
Më 3 tetor 2022, Gjykata e Rajonit Autonom Jude anuloi vendimin e mëparshëm që e shpallte fajtor Jevgenin. Para kësaj, Gjykata e Kasacionit e Juridiksionit të Nëntë ia kishte kthyer çështjen Gjykatës së Rajonit Autonom Jude për të shqyrtuar apelimin e dytë. Tani çështja e tij do të dërgohet pranë Gjykatës së Krahinës së Birobidzhanit në Rajonin Autonom Jude për rishqyrtim.
Më 25 nëntor 2021, Gjykata e Rajonit Autonom Jude hodhi poshtë apelimin e Jevgenit. Mbetet në fuqi dënimi i tij fillestar. Për momentin nuk duhet të shkojë në burg.
Më 21 qershor 2021, Gjykata e Krahinës së Birobidzhanit në Rajonin Autonom Jude e shpalli fajtor Jevgenin dhe e dënoi me 2 vite e gjysmë vënie në provë.
Të dhëna
Jevgeni Jegorovi
Lindur: 1991 (Birobidzhan)
Biografia: E ka rritur e ëma me gjyshen. Ka studiuar për inxhinieri elektrike dhe punon si bravandreqës dhe riparues objektesh. I pëlqen shumë të lexojë e të shkruajë. Ka botuar një roman dhe një vëllim me poezi. U pagëzua si Dëshmitar i Jehovait në vitin 2005. Në shtator 2019 u martua me Ksjenian. Në gusht të 2020-s u bënë me djalë
Historiku i çështjes
Në maj 2018, agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB) kontrolluan shumë shtëpi në Birobidzhan. Pak para se të martohej, Jevgenin e akuzuan për «krim» ngaqë lexonte Biblën dhe praktikonte besimin e tij. Autoritetet i kufizuan udhëtimet. Edhe kundër mamasë së Jevgenit, Larisa Artamonovës, ngritën çështje penale menjëherë pas dasmës së tij. Në dhjetor 2019 nisi procesi gjyqësor për çështjen e tij në Gjykatën e Krahinës së Birobidzhanit.
Jevgeni tregon se tani miqësia e tij me Jehovain është forcuar. Ai thotë: «Gjatë momenteve më kritike, Jehovai më dha qetësi dhe ‘fuqi përtej asaj që është normale’.»—2 Korintasve 4:7.
Jehovai na ndihmon gjithmonë, ama Jevgeni e di se duhet ta ruajë marrëdhënien e ngushtë me Të dhe duhet të përgatitet emocionalisht e mendërisht për atë që e pret. Ai shpjegon: «Për mua, kryesorja është ta forcoj vazhdimisht miqësinë me Jehovain, pavarësisht nga rrethanat ku ndodhem.»
Me gjithë vështirësitë, jemi të bindur se Jevgeni dhe Ksjenia, bashkë me të gjithë motrat e vëllezërit tanë në Rusi, do të marrin forcë nga fjalët e Psalmit 10:17: «Por ti, o Jehova, do ta dëgjosh kërkesën e zemërbutëve, do t’ua forcosh zemrën e do t’u kushtosh gjithë vëmendjen tënde.»