18 MARS 2021 | PËRDITËSUAR MË 20 DHJETOR 2022
RUSI
PËRDITËSIM—VËLLEZËRIT TANË I SHPALLIN FAJTORË | Katër vëllezër në Birobidzhan rrezikojnë të dënohen me burg
Gjykata e Krahinës së Birobidzhanit në Rajonin Autonom Jude shpalli fajtorë vëllezërit Alam Aljev, Valeri Kriger, Sergej Shuljarenko dhe Dmitri Zagulin. Vëlla Aljevin e dënoi me 6 vite e gjysmë burg, kurse vëlla Zagulinin me 3 vite e gjysmë burg. Vëllezërit Kriger dhe Shuljarenko i dënoi secilin me 7 vite burg. Të katër vëllezërit i arrestuan menjëherë në sallën e gjyqit.
Të dhëna
Alam Aljevi
Lindur: 1963 (fshati Ljaki, Azerbajxhan)
Biografia: Ka shërbyer në ushtrinë e Bashkimit Sovjetik në Gjermani. Më vonë ka punuar në një anije peshkimi. Në vitin 1989 u transferua në Habarovsk, Rusi. Aktualisht punon si makinist në një fabrikë
Nisi të studionte Biblën pak pasi u transferua në Rusi. U pagëzua më 1991 dhe në vitin 2015 u martua me Svetlanën. Të dyve u pëlqen të kalojnë kohë në natyrë
Valeri Krigeri
Lindur: 1968 (Rajoni Autonom Jude)
Biografia: Është rritur në një familje jofetare. Kur ishte fëmijë, i pëlqente akrobacia. Ka mbaruar për masazhator dhe aktualisht ka biznesin e tij. U pagëzua në vitin 1994 dhe u martua me Natalinë në vitin 2017. U pëlqen të luajnë volejboll dhe të shëtitin në natyrë
Sergej Shuljarenko
Lindur: 1984 (Habarovsk)
Biografia: Kur ishte i vogël, ka jetuar në Turkmenistan ndërsa i ati shërbente në ushtri. Ka punuar si ndihmësmakinist. I pëlqen të pikturojë portrete dhe të mësojë gjuhë të huaja. Mësoi për Jehovain nga e ëma dhe u pagëzua në vitin 1997 në moshën 13-vjeçare
Dmitri Zagulini
Lindur: 1973 (Habarovsk)
Biografia: Kur ishte fëmijë, donte të bëhej ushtar. Mësoi artet marciale dhe mori stërvitje për hedhje me parashutë. Aktualisht punon për një kompani hekurudhore. Nisi të studionte Biblën në vitin 1991 dhe më 1992 u pagëzua. U martua me Tatjanën në vitin 2012
Historiku i çështjes
Më 17 maj 2018, 150 agjentë të sigurimit kryen një operacion të koduar me emrin «Dita e Gjykimit» në Birobidzhan. Vëlla Alam Aljevin e akuzuan për «organizim të veprimtarive të një organizate ekstremiste» dhe e mbajtën tetë ditë në një qendër paraburgimi. Autoritetet ngritën akuza edhe kundër vëllezërve Valeri Kriger, Sergej Shuljarenko dhe Dmitri Zagulin. Të katër vëllezërit nuk mund të largohen nga zona. Si për ta keqësuar situatën, autoritetet kanë ngritur çështje penale edhe kundër grave të tre vëllezërve, pra të Alamit, Valerit dhe Dmitrit.
Para se ta arrestonin, Alami kishte bërë kërkime se si të tregonte qëndrueshmëri gjatë përndjekjes dhe kishte folur për këtë edhe me të tjerët në kongregacion. Ai thotë: «I inkurajova vëllezërit e motrat të mos i dorëzoheshin frikës përballë përndjekjes. Kjo ndodhi në kohën e duhur, sepse fiks një javë më vonë, autoritetet u bastisën shtëpinë 21 familjeve të kongregacionit tonë.»
Valeri dhe e shoqja, Natalia, nuk ndoqën dot kongresin e Dëshmitarëve të Jehovait në Seul, Koreja e Jugut, për shkak të kufizimeve që u kanë vënë për udhëtimet. Veç kësaj, nuk i lejuan të shkonin te prindërit e tij, që jetojnë në Izrael. Na vjen keq që babai i Valerit vdiq në shkurt të vitit 2019. Disa muaj më herët, mamaja e tij kishte bërë një ndërhyrje në shtyllën kurrizore dhe kishte nevojë që dikush të kujdesej në kohë të plotë për të. Valeri është i bindur se Jehovai e mbështeti. Edhe pse prindërit e tij nuk janë Dëshmitarë, bashkëbesimtarët e tij në Izrael u kujdesën për mamanë e Valerit. Ai shpjegon: «Iu lutëm Jehovait për situatën e mamasë sime dhe Ai iu përgjigj lutjeve tona. Vëllezërit tanë në Izrael e mbështetën emocionalisht mamanë time. I shkonin për vizitë, bisedonin me të dhe e ftonin në mbledhje. Ndonëse nuk arritëm të ishim pranë mamasë, pamë dorën e Jehovait; pamë si na ndihmon ai nëpërmjet vëllazërisë sonë ndërkombëtare.»
Për Dmitrin, përndjekja vërteton diçka që e dinte që më përpara. Ai tregon: «Kur gjithçka në jetë shkon vaj dhe nuk kemi kufizime për ta adhuruar Perëndinë, fare kollaj mund t’i konsiderojmë të zakonshme thesaret që na dhuron Jehovai dhe t’i lëmë pas dore. Mirëpo, kur autoritetet nuk na lejojnë ta adhurojmë lirisht Perëndinë, kuptojmë sa e rëndësishme është të shfrytëzojmë mirë mundësitë që kemi tani për t’iu afruar Jehovait dhe për t’u përgatitur për përndjekjen. Pra, do të ishte e mençur të përdornim lirinë që gëzojmë sot ‘për të grumbulluar thesare në qiell’. Kjo do të na ndihmojë të qëndrojmë deri në fund dhe të mbajmë një besim të fortë.»—Mateu 6:20.
S’diskutohet që Jehovai po u jep ‘fuqi përtej asaj që është normale’ vëllezërve tanë të shtrenjtë në Rusi.—2 Korintasve 4:7.