Kalo te përmbajtja

Vëlla Andrej Stupnikovi dhe e shoqja, Olga

18 MAJ 2021
RUSI

PËRDITËSIM | Vëlla Andrej Stupnikovi mbështetet te Jehovai për të qëndruar nën sprova

PËRDITËSIM | Vëlla Andrej Stupnikovi mbështetet te Jehovai për të qëndruar nën sprova

Më 3 gusht 2022, Gjykata e Kasacionit e Juridiksionit të Tetë hodhi poshtë apelimin e dytë të vëllait Andrej Stupnikov. Ai vazhdon të mbetet në burg.

Më 7 shtator 2021, Gjykata e Krahinës së Zhileznadarozhnit në Krasnojarsk hodhi poshtë apelimin e Andrejit dhe la në fuqi vendimin e mëparshëm.

Më 3 qershor 2021, Gjykata e Krahinës së Zhileznadarozhnit në Krasnojarsk e shpalli fajtor Andrejin dhe e dënoi me 6 vite burg. Pas vendimit e dërguan menjëherë në burg.

Të dhëna

Andrej Stupnikovi

  • Lindur: 1973 (Norilsk, territori i Krasnojarskut)

  • Biografia: Është inxhinier shpimi pusesh nafte dhe gazi. Në vitin 1993 u martua me Olgën. Të dyve u pëlqejnë artet dhe të kalojnë kohë në natyrë

    Që kur ishte i vogël, donte të mësonte për Perëndinë. Kur jetonte në Çeçeni, pa masakra gjatë luftës së parë çeçene. Vriste mendjen pse ndodhin gjëra të tmerrshme dhe si mund të kishte mbrojtjen e Zotit. Bashkë me Olgën studiuan Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. U mahnitën kur mësuan si po përmbusheshin profecitë e Biblës dhe se Bibla ofron këshillat më të mira për të përballuar vështirësitë e jetës

Historiku i çështjes

Më 3 korrik 2018, agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB) arrestuan vëlla Andrej Stupnikovin në Aeroportin Ndërkombëtar të Krasnojarskut. Ai është Dëshmitari i parë nga Krasnojarsku ndaj të cilit u ngrit një çështje penale. Të nesërmen Gjykata e Krahinës së Zhileznadarozhnit në Krasnojarsk e futi Andrejin në një qendër paraburgimi.

Gruaja e Andrejit, Olga, i dërgonte letra për t’i dhënë zemër. Mirëpo, Andrejin e kapi ankthi kur papritur nuk po i vinin më letra nga e shoqja. Ankthi iu shtua edhe më shumë kur, siç shpjegon Andreji, «një burrë erdhi dhe më pyeti: ‘Po ça ka ndodhur me gruan tënde? Ia ke idenë?’» Pas njëfarë kohe, Andreji kuptoi se administrata e burgut nuk ia kishte kaluar qëllimisht letrat e Olgës. Ai tregon: «Ata më thanë se mund të kthehesha te gruaja ime shumë shpejt nëse bashkëpunoja dhe pranoja se isha fajtor.» Andreji u mbështet me besim te Jehovai dhe nuk bëri kurrë kompromis. Pas tetë muajsh në paraburgim, e kaluan në arrest shtëpie për katër muaj.

Më 2 korrik 2019, Andrejin e liruan nga arresti i shtëpisë. Autoritetet i kanë hequr të drejtën të përdorë postën dhe internetin. Madje i kanë përcaktuar edhe se me kë mund të komunikojë.

Ndërkohë që beteja e tij ligjore vazhdon, ai përqendrohet te kushtimi i tij ndaj Jehovait dhe e çmon shumë këtë. Andreji shprehet me vendosmëri: «Jam krenar që njoh Jehovain dhe që e kam përkrah meje!»

Andreji ka besim të plotë te mbështetja e Jehovait. E çmojmë shumë shembullin e tij të shkëlqyer.—Psalmi 28:7.