Kalo te përmbajtja

Vëlla Roman Baranovski dhe e ëma, motër Valentina Baranovski

29 JANAR 2021
RUSI

PËRDITËSIM | Vëlla Roman Baranovski dhe e ëma, motër Valentina Baranovski, ndiqen penalisht në Rusi

PËRDITËSIM | Vëlla Roman Baranovski dhe e ëma, motër Valentina Baranovski, ndiqen penalisht në Rusi

Më 4 maj 2022, një gjykatë apeli në Hakazi vendosi të lironte nga burgu motrën 71-vjeçare Valentina Baranovskin. Gjykata hodhi poshtë kërkesën e prokurorisë që kërkonte të pengonte lirimin e saj. Valentina bëri më tepër se 1 vit burg. Djali i saj, Romani, është ende në burg për shkak të besimit.

Më 4 mars 2022, zyra e prokurorisë apeloi vendimin që mori Gjykata e Krahinës së Ust-Abakanit për të liruar me kusht Valentinën. Prokuroria argumentoi se Valentina nuk duhet liruar para se të mbarojë dënimin, pasi ajo «nuk është penduar për krimin e saj». Valentina do të qëndrojë në burg të paktën derisa të shqyrtohet apelimi i prokurorisë.

Më 24 maj 2021, Gjykata e Lartë në Republikën e Hakazisë, Rusi, hodhi poshtë apelimin e vëlla Roman Baranovskit dhe të nënës së tij 70-vjeçare, Valentinës. Ata do të mbeten në burg. Veç kësaj, Gjykata konfirmoi se, pasi të lirohen nga burgu, do t’u vendosen kufizime shtesë.

Më 24 shkurt 2021 Gjykata e Qytetit të Abakanit në Republikën e Hakazisë dënoi vëlla Roman Baranovskin me gjashtë vite burg, kurse nënën e tij, Valentinën, me dy vite burg. Kjo është hera e parë që një nga motrat tona në Rusi dënohet me burg ngaqë praktikon besimin e saj. Në prill 2021 Valentina mbushi 70 vjeç dhe në korrik 2020 pësoi hemorragji cerebrale. Pasi u dha vendimi, të dy i futën menjëherë në burg..

Të dhëna

Roman Baranovski

  • Lindur: 1974 (Balakovo, rajoni i Saratovit)

  • Biografia: Për të mbajtur veten dhe të ëmën ekonomikisht merret me rinovime shtëpish. I pëlqen t’i bjerë kitarës dhe të luajë shah e futboll

    Kur ishte adoleshent, pyeste veten se cili është qëllimi i jetës. Ai kujton: «Ndonjëherë i kërkoja Zotit të më tregonte udhën e duhur.» Në vitin 1993, nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe u pagëzua më 1997

Valentina Baranovski

  • Lindur: 1951 (Vanovkë, Kazakistan)

  • Biografia: Ka punuar si llogaritare dhe konsulente financiare derisa doli në pension më 2006. I pëlqen të gatuajë, si edhe të shkruajë këngë e poezi

    Në vitin 1995, ajo dhe i biri nisën të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. I bëri veçanërisht përshtypje kur mësoi se Perëndia nuk mund të gënjejë. U pagëzua në vitin 1996

Historiku i çështjes

Mbrëmjen e 10 prillit 2019, policë të armatosur bastisën katër shtëpi në Abakan, ndër të tjera edhe shtëpinë e vëlla Roman Baranovskit dhe të nënës së tij, Valentinës. U konfiskuan Biblat, pajisjet elektronike dhe dokumente personale. Veç kësaj, ngritën një çështje penale kundër Romanit dhe Valentinës.

Romani kujton: «Kur autoritetet na bastisën shtëpinë, po merrnim pjesë në mbledhjen e mesjavës dhe sapo kishim diskutuar 1 Korintasve 10:13. Aty mësojmë një të vërtetë shumë të rëndësishme—Jehovai nuk na cakton llojin e sprovës që do të hasim . . . Ai nuk mendon: ‘Ti je i fortë, prandaj mund ta përballosh këtë sprovë. Kurse ti tjetri je më i dobët, ja pra, po të lë këtë sprovë më të lehtë.’ Po të ndodhte kështu, gjithçka do të varej nga forca jonë. Mirëpo, secili prej nesh has sprova të ndryshme. Gjithsesi, të gjithë mund t’ia dalim mbanë nëse mbështetemi te forca e Jehovait.»

Në korrik 2020, Valentina pësoi një hemorragji cerebrale. Ajo sjell ndër mend: «Sa më shumë përkeqësohej shëndeti, aq më qartë e dalloja se Jehovai më qëndronte pranë. Nuk i ndala lutjet për asnjë çast dhe më dukej sikur Jehovai më merrte në krahët e tij. Ndieja një paqe dhe qetësi që nuk e përshkruaj dot me fjalë.»

Të gjitha këto përvoja e ndihmuan Valentinën të merrte një vendim pa kthim prapa: «Jam e vendosur t’i shërbej në përjetësi Atit tim dhe t’i qëndroj besnike të ndodhë ç’të ndodhë.»

Romani thotë se meditimi për shembujt e qëndrueshmërisë të shërbëtorëve të Jehovait në lashtësi dhe në kohët moderne ia ka forcuar besimin. Kur mendon për këta shembuj, shpesh ai pyet veten: «Çfarë u është dashur të durojnë dhe pse? Çfarë i ka ndihmuar të qëndrojnë besnikë? Si i ka mbështetur Jehovai nëpërmjet frymës së tij?» Përgjigjet e këtyre pyetjeve ia kanë shtuar sigurinë Romanit se, çfarëdo sprove të vijë, «Jehovai do të sigurojë edhe fuqi mbinjerëzore po të jetë nevoja».

Lutemi që Romani, Valentina dhe të gjithë motrat e vëllezërit tanë të shtrenjtë në Rusi të vazhdojnë ta shohin Jehovain si strehën dhe forcën e tyre.—Psalmi 46:1.