Kalo te përmbajtja

Nga e majta: vëllezërit Aleksandër Akopovi, Konstantin Samsonovi dhe Shamil Sultanovi

2 QERSHOR 2021
RUSI

PËRDITËSIM | Vëllezërit Akopov, Samsonov dhe Sultanov mbështeten te Jehovai gjatë sprovave

PËRDITËSIM | Vëllezërit Akopov, Samsonov dhe Sultanov mbështeten te Jehovai gjatë sprovave

Më 5 gusht 2022, Gjykata e Territorit të Stavropolit shpalli vendimin për apelimin e vëllezërve Aleksandër Akopov, Konstantin Samsonov dhe Shamil Sultanov. Gjykata ua ndryshoi gjobat Aleksandrit dhe Shamilit, të cilët tani duhet të paguajnë secili 250.000 rubla (4.077 dollarë amerikanë). Kurse dënimin me burg për Konstantinin e zëvendësoi me një gjobë prej 400.000 rublash (6.524 dollarë amerikanë). Atë do ta lirojnë menjëherë nga burgu.

Më 19 prill 2022, Gjykata e Krahinës së Neftekumskijt në Territorin e Stavropolit i shpalli fajtorë Aleksandrin, Konstantinin dhe Shamilin. Aleksandri dhe Shamili u gjobitën secili me 500.000 rubla (6.055 dollarë). Megjithatë nuk u duhet t’i paguajnë gjobat për shkak të kohës që kanë kaluar në paraburgim. Kurse Konstantini u dënua me 7 vjet e gjysmë burg. Atë e çuan menjëherë në burg.

Të dhëna

Aleksandër Akopovi

  • Lindur: 1992 (Neftekumsk)

  • Biografia: Punon në ndërtim me të atin dhe vëllanë e madh. I pëlqen futbolli, basketbolli, tenisi, gatimi dhe të kalojë kohë në natyrë

    Më 2007, kur ishte 14 vjeç, u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait

Konstantin Samsonovi

  • Lindur: 1977 (Neftekumsk)

  • Biografia: Që kur ishte i vogël, i pëlqente shahu dhe teknologjia. Punon si inxhinier për sistemet kompjuterike në një spital. Ai dhe e shoqja, Svetlana, filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait në vitin 1998 dhe u pagëzuan në vitin 2000. Kanë një djalë

Shamil Sultanovi

  • Lindur: 1977 (Mahmud-Mekteb, territori i Stavropolit)

  • Biografia: Merret me mirëmbajtjen dhe meremetimin e godinave. Studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait në fillim të viteve 2000 dhe u pagëzua në vitin 2003. U martua me Elenën në vitin 2004. Rritën djalin e saj nga martesa e mëparshme

Historiku i çështjes

Të shtunën, më 26 gusht 2017, policë të armatosur rrethuan 18 Dëshmitarë të Jehovait që po pushonin në një liqen pranë Neftekumskit. Të gjithë, mes tyre fëmijë e të moshuar, i dërguan me autobus në një rajon policie dhe i morën në pyetje për 3 orë. Më pas, shumë vëllezër e motra në Neftekumsk filluan t’i survejonin dhe u kontrolluan shtëpitë. Aleksandrin, Konstantinin dhe Shamilin i arrestuan dhe ndenjën gati një vit në një qendër paraburgimi.

Aleksandri e pranon se kishte frikë nga burgosja, sepse vuan nga ankthi dhe ka probleme shëndetësore. Ai iu përgjërua Jehovait që t’i jepte forcë mendore dhe emocionale që të përballonte burgun. Aleksandri kujton: «Shpesh kishte raste kur i thosha Jehovait se nuk mundesha dot më. Nuk më besohet që arrita të qëndroja [gati] një vit në paraburgim.» Jehovai iu përgjigj lutjeve të tij, duke e ndihmuar të kujtonte vargje nga Bibla kur nuk kishte një Bibël. Ai shkroi çdo shkrim që i vinte ndër mend dhe çdo mëngjes rishikonte një prej tyre e mendonte si mund ta ndihmonte në situatën e tij. Kështu arriti t’i shihte gjërat nga pikëpamja e Jehovait.

Konstantini mori shumë guxim nga letrat e panumërta që i dërgonte gruaja. Ai kujton se në një letër ajo i sugjeronte t’i shihte sprovat si aventura, ndaj thotë: «Sugjerimi i saj më bëri për të qeshur dhe gjërat u bënë vërtet disi më të lehta pak kësaj.»

Shamili tregon se muajt e parë në paraburgim ishin ndër më të vështirët. Ai kujton: «Dalëngadalë gjërat u përmirësuan. Kështu u binda se Jehovai nuk më kishte braktisur.» Gjatë asaj periudhe mësoi të mbështetej më shumë te Jehovai dhe të mos merakosej tepër për sprovat e së ardhmes.

Të tre vëllezërit kanë kufizime për udhëtimet dhe nuk mund të përdorin telefonin ose internetin. Për shkak të këtyre kufizimeve, Aleksandri e ka shumë të vështirë të marrë kujdesin mjekësor aq të nevojshëm, kurse Konstantini nuk punon dot si programues kompjuterësh. Pavarësisht nga këto vështirësi, vëllezërit janë të vendosur t’i qëndrojnë besnikë Perëndisë.

E dimë se Jehovai do t’i bekojë këta vëllezër ndërsa vazhdojnë të mbështeten tek Ai.—Psalmi 20:7.