Kalo te përmbajtja

Nga e majta: vëllezërit Ilham Karimov, Konstantin Matrashov, Vladimir Miakushin dhe Ajdar Julmetjev

19 MAJ 2021
RUSI

PËRDITËSIM | Vëllezërit në Tatarstan falënderojnë Jehovain që po i mbështet me dashuri gjatë sprovave

PËRDITËSIM | Vëllezërit në Tatarstan falënderojnë Jehovain që po i mbështet me dashuri gjatë sprovave

Më 2 shtator 2022, Gjykata e Lartë në Republikën e Tatarstanit hodhi poshtë apelimin e vëllezërve Ilham Karimov, Konstantin Matrashov, Vladimir Miakushin dhe Ajdar Julmetiev. Ata nuk duhet të futen në burg për momentin.

Më 16 dhjetor 2021, Gjykata e Qytetit të Naberezhni-Çelnit në Republikën e Tatarstanit i shpalli fajtorë Ilhamin, Konstantinin, Vladimirin dhe Ajdarin. Ilhamin dhe Konstantinin i dënoi me 30 muaj vënie në provë secilin. Vladimirin dhe Ajdarin i dënoi përkatësisht me 37 muaj dhe 33 muaj vënie në provë.

Të dhëna

Ilham Karimovi

  • Lindur: 1981 (Xhambaj, Uzbekistan)

  • Biografia: Studioi që të bëhej prodhues sendesh prej qelqi me fryrje. Ka bërë punë të ndryshme për të mbështetur familjen në Uzbekistan. Emigroi në Rusi në vitin 2000. Një ditë gjatë vitit 2001 iu lut Perëndisë për ndihmë. Të nesërmen takoi Dëshmitarët e Jehovait dhe filloi të studionte Biblën me ta. U pagëzua në vitin 2004 dhe në vitin 2012 u martua me Julian

Konstantin Matrashovi

  • Lindur: 1988 (Prokopjevsk)

  • Biografia: I ati i vdiq kur ishte fëmijë. Punon si mekanik dhe ndihmon të ëmën, e cila u bë Dëshmitare e Jehovait kur ai ishte 8 vjeç. U kënaq shumë kur mësoi se Bibla ofron shpresë për të ardhmen dhe u pagëzua në vitin 2018

Vladimir Miakushini

  • Lindur: 1987 (Nizhnjekamsk)

  • Biografia: Mbaroi një shkollë teknike dhe akademinë inxhinierike. Punon si kryeinxhinier në një kompani që prodhon pajisje elektrike për automjetet. Çmon shumë mençurinë, qartësinë dhe logjikën e Biblës. U pagëzua më 2013 dhe më 2017 u martua me Svetlanën

Ajdar Julmetjevi

  • Lindur: 1993 (Nizhnjekamsk)

  • Biografia: Studioi për muzikë dhe për mekanik automjetesh. Merret me tregti, por punon edhe si mekanik. Filloi të studionte Biblën, pasi vuri se parimet e saj po i ndihmonin prindërit e tij. U pagëzua në vitin 2012 dhe në 2013-n u martua me Albinën. Nuk pranoi të bënte ushtrinë për shkak të ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla. Në vend të saj, kreu shërbim civil alternativ

Historiku i çështjes

Më 27 maj 2018, forcat e sigurisë në Tatarstan bastisën shtëpitë e 10 Dëshmitarëve të Jehovait dhe futën në paraburgim Ilhamin, Konstantinin, Vladimirin dhe Ajdarin. Secili ndenji më shumë se 160 ditë në burg, para se t’i kalonin në arrest shtëpie.

Edhe pse tani nuk janë në arrest shtëpie, të gjithë i kanë futur në listën federale ruse të «ekstremistëve» dhe akoma s’largohen dot nga zona, me urdhër gjykate. Si pasojë, nuk tërheqin dot pará nga banka dhe e kanë shumë të vështirë të gjejnë punë.

Ajdari tregon për kohën në burg: «Kujtoja vargje të tëra nga Bibla. . . . Jehovai më ndihmoi të sillja ndër mend kaq shumë gjëra, të cilat vështirë se do t’i mbaja mend vetë.»

Kur e futën në paraburgim, në fillim Konstantini ishte disi nervoz. Mirëpo, menjëherë u përqendrua te mundësitë e reja për t’u dëshmuar anëtarëve të gjykatës, rojave, të burgosurve të tjerë, policëve dhe gardianëve. Ai komenton: «Në burg kam predikuar më tepër se kur isha i lirë. Ishte ashtu si shkroi apostulli Pavël te Filipianëve 1:12, 13: ‘Vëllezër, dua të dini se ato që më ndodhën mua, në të vërtetë dolën për përparimin e lajmit të mirë, aq sa, në mbarë Gardën Pretoriane e mes gjithë të tjerëve, u bë e ditur gjerësisht se jam në vargonj për hir të Krishtit.’»

Vladimiri u është mirënjohës vëllezërve e motrave që i dhanë ndihmë praktike. Ai komenton: «Mësova nga bashkëshortja se miqtë i jepnin shpesh pará, që të më blinte ushqime. Në burg kishte një limit për sasinë që mund të merrje çdo muaj, dhe shpesh merrja maksimumin.»

Ilhami tregon si e ka forcuar miqësinë me Jehovain. Ai shprehet: «Për shkak të kësaj situate, jam lidhur edhe më ngushtë me Atin tim qiellor. Më është rritur besimi dhe mbështetem më shumë tek Ai. Tani lutjet i bëj më të gjata, më domethënëse dhe më të zjarrta.»

Jemi të bindur se këta vëllezër dhe familjet e tyre do të bekohen ngaqë qëndrojnë «plot seriozitet dhe përkushtim ndaj Perëndisë» gjatë këtyre sprovave.—1 Timoteut 2:2.