16 DHJETOR 2020
RUSI
Pas 18 muajsh në arrest shtëpie, vëlla Ruslan Alievin mund ta shpallin fajtor
Data e vendimit
Më 17 dhjetor 2020 Gjykata e Krahinës së Leninskit në Rostov-mbi-Don njoftoi vendimin për çështjen e vëlla Ruslan Alievit. Prokuroria i kishte kërkuar gjykatës që ta dënonte me tri vite vënie në provë.
Të dhëna
Ruslan Alievi
Lindur: 1987 (Çunojar, Territori i Krasnojarskut)
Biografia: Familja e tij ka jetuar edhe në Azerbajxhan, edhe në Ukrainë. Ka punuar në ndërtim, konsulent shitjesh, mësues kitare dhe mësues i gjuhëve angleze dhe kineze. I pëlqejnë sportet dhe shkruan poezi e muzikë. Ruslani flet katër gjuhë. E shoqja, Kristina, flet edhe gjuhën kineze
Ruslani filloi të lexonte e të studionte Biblën kur ishte 13 vjeç. Sa më shumë e studionte, aq më shumë e kuptonte se Bibla kishte përgjigje për të gjitha pyetjet e tij për jetën. Prandaj i kushtoi jetën Perëndisë dhe u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait në vitin 2006
Historiku i çështjes
Më 6 qershor 2019 u hap një çështje penale kundër vëlla Ruslan Alievit dhe më 10 qershor e arrestuan. Pas 24 orësh në burg, Ruslanin dhe një vëlla tjetër, Semjon Bajbakun, i lanë në arrest shtëpie. Fillimisht Ruslanin e lanë në arrest shtëpie për 8 javë, por ia shtynë 9 herë vendimin. Përfundimisht kaloi 18 muaj në arrest shtëpie. Gjatë asaj periudhe nuk mund të takonte askënd, përveç avokatit të tij, hetuesit, inspektorit të policisë dhe bashkëshortes. E kishte të ndalur të përdorte Internetin, si edhe të merrte ose të dërgonte letra a mesazhe.
Ruslani tregon se, para se ta arrestonin, bashkë me gruan, Kristinën, bisedonin shpesh se herët a vonë edhe ata do t’i përndiqnin. Ai shpjegon: «U përpoqëm të mbanim një program të mirë teokratik. Se çfarë ndodh kur të përndjekin, e kishim kuptuar nga Librat vjetorë dhe nga jetëshkrimet e vëllezërve. E dallonim se ata e ruanin sensin e humorit dhe nuk shkurajoheshin edhe në situata tejet të vështira. Edhe ne iu lutëm Jehovait të na jepte forcë që të përballonim gjithë sa na priste.»
Një gjë tjetër që e ndihmoi, ishin bisedat me të tjerët për ndonjë lloj përndjekjeje që mund të hasnin. Ai shprehet: «Gjeta plot shkrime zemërdhënëse nga Bibla dhe artikuj inkurajues, që të ndihmoja lajmëtarët në kongregacion të ruanin qetësinë e të merrnin zemër. Pastaj, kur unë vetë kisha nevojë për ngushëllim, më inkurajuan shumë të njëjtat shkrime e artikuj që kisha gjetur dhe i kisha fiksuar në mendje.»
Ruslani dhe Kristina ishin të përgatitur për përndjekjen dhe kjo i ndihmoi jashtë mase. Ai tregon si u ndie kur po i kontrollonin shtëpinë: «Isha i qetë dhe pothuajse nuk ndieva fare ankth.» Gjatë hetimit, hetuesi i kërcënoi se do të hapte një çështje penale edhe kundër Kristinës. Ruslani kujton: «Kjo nuk e frikësoi fare Kristinën time, prandaj mora shumë zemër e forcë.»
Qëndrimi në arrest shtëpie ua vështirësoi jetën Ruslanit dhe Kristinës. Prapëseprapë, ai komenton: «Jehovai na ka dhënë gjithmonë çfarë na duhej për të jetuar, për të ruajtur miqësinë me të e për të ruajtur qetësinë, dhe vetëm kaq doja. Ishim mësuar prej kohësh të mbështeteshim tek ai dhe të kënaqeshim me një jetë të thjeshtë. Prandaj nuk kishim ndonjë ankth të panevojshëm.»
Në një seancë dëgjimore të Ruslanit për t’i zgjatur periudhën e arrestit në shtëpi, vëllezërit e motrat nuk i lejuan në sallë. Ama, ata qëndruan jashtë sallës së gjyqit dhe duartrokitën kur ai doli. Madje i thanë me zë të lartë: «Ruslan, jemi me ty!»
Jemi shumë të kënaqur kur shohim shembujt e shkëlqyer të vëllezërve e motrave në Rusi. Edhe pse po përndiqen pa arsye, ata vazhdojnë të besojnë plotësisht te Jehovai.—Psalmi 118:6-9.