Kalo te përmbajtja

Nga e majta: vëllezërit Lubin dhe Isakov me bashkëshortet e tyre

1 SHTATOR 2021
RUSI

Pas kërkesës së GJEDNJ-së, autoritetet lirojnë nga burgu dy vëllezër të sëmurë rëndë

Pas kërkesës së GJEDNJ-së, autoritetet lirojnë nga burgu dy vëllezër të sëmurë rëndë

Më 28 gusht 2021, pas një kërkese që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) u bëri autoriteteve ruse, vëllezërit Aleksandër Lubinin dhe Anatolij Isakovin i liruan nga qendra e paraburgimit. Edhe pse dy vëllezërit janë invalidë, i mbajtën për një muaj e gjysmë në paraburgim në rajonin e Kurganit, Rusi. Gjithsesi, ata janë ende në pritje të vendimit që do të marrë gjykata për çështjen e tyre dhe rrezikojnë të dënohen me burg.

Më 13 dhe 14 korrik 2021, forcat e sigurimit në rajonin e Kurganit bastisën shumë shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait. Vëlla Isakovi, 56 vjeç, dhe vëlla Lubini, 65 vjeç, ishin ndër Dëshmitarët që u arrestuan.

Vëlla Lubini vuan nga një sëmundje e rëndë vaskulare, hipertensioni dhe nga një sëmundje autoimune që i prek organet. Ai ka nevojë të marrë oksigjen të hidratuar për 16 orë çdo ditë dhe për trajtim mjekësor, por autoritetet nuk e lejuan. Mezi ecën dhe ka nevojë ta ndihmojë dikush për t’u ngritur në këmbë. Edhe e shoqja, Tatjana, është invalide dhe ka pësuar katër iktuse.

Vëlla Isakovin e diagnostikuan me kancer në gjak dhe ka disa fraktura në shpinë dhe në brinjë, ndaj e ka të nevojshme të përdorë karrige me rrota. Autoritetet nuk e lejuan të vazhdonte kimioterapinë kur ishte në qendrën e paraburgimit. Madje nuk e lejuan as të merrte ilaçet e tij për qetësimin e dhembjeve. Mjerisht u infektua edhe me COVID-19 kur ishte në paraburgim.

Për javë të tëra, avokatët apeluan pranë gjykatës që të lironin dy vëllezërit, por më kot. Gjyqtarët e bazuan vendimin e tyre te një certifikatë e mjekëve në Spitalin e Rajonit të Kurganit që, në mënyrë absurde, pohonin se vëllezërit Lubin dhe Isakov nuk kishin asnjë sëmundje që i përjashtonte nga paraburgimi.

Nga e majta: vëllezërit Isakov dhe Lubin duke dalë nga qendra e paraburgimit

Më 8 gusht 2021, avokatët dërguan ankesa pranë GJEDNJ-së. Pas kësaj, GJEDNJ-ja i bëri një kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme të Federatës Ruse. Më 24 gusht 2021, dy vëllezërit i dërguan sërish në Spitalin e Rajonit të Kurganit. Këtë herë, mjekët konstatuan se vëllezërit Lubin dhe Isakov janë shumë të sëmurë dhe për këtë arsye nuk duhet të burgosen.

Lutemi për këta dy vëllezër që po ruajnë integritetin pavarësisht nga përndjekja dhe sëmundjet. Jemi të sigurt se Jehovai do të vazhdojë «të tregojë forcën e tij» në të mirë të tyre.—2 Kronikave 16:9.