Kalo te përmbajtja

Nga e majta: Anatoli Razdobarovi me bashkëshorten, Gretën, dhe Nikolai Merinovi me bashkëshorten, Lilian, para se t’i sulmonin policët

10 TETOR 2021
RUSI

Policia ruse torturon dy çifte të martuara

Policia ruse torturon dy çifte të martuara

Të hënën, më 4 tetor 2021, policë të armatosur të OMON-it a sulmuan çiftin Anatoli e Greta Razdobarovi dhe Nikolai e Lilia Merinovi. Këto sulme monstruoze ndodhën kur brigadat e forcave të rendit bastisën 12 shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin e Irkutskit. Ata arrestuan disa vëllezër të tjerë gjatë bastisjeve.

Në orën 6.00 të mëngjesit u futën me forcë në shtëpinë e Anatolit dhe të Gretës. Gretën e tërhoqën zvarrë prej flokësh dhe e futën në një dhomë tjetër, i vunë prangat me duart pas shpine dhe e qëlluan pareshtur.

Ndërkohë, Anatolin e përplasën përtokë, i vunë prangat me duart pas shpine dhe e goditën me shqelma në kokë dhe në bark. Pastaj ia kapën me forcë duart e prangosura dhe ia përdrodhën derisa e ngritën në këmbë. Anatoli përpëlitej nga dhembjet ndërsa pesha e trupit i rëndonte mbi supe. Policët e qëlluan në duar kur i kërkuan të pranonte se kishte kryer krime dhe t’u jepte informacione për vëllezërit. Më pas e torturuan duke u përpjekur fort t’i futnin një shishe qelqi në vithe. Bastisja në shtëpinë e tyre zgjati mbi 8 orë.

Kur policët sulmuan papritur shtëpinë e Nikolai dhe Lilia Merinovit, në fillim qëlluan në fytyrë Nikolain me një objekt të rëndë, jo të mprehtë. Ai u rrëzua përdhe dhe humbi vetëdijen. Pasi u bë i vetëdijshëm, kuptoi se një polic ishte ulur mbi të duke e goditur. Pastaj polici i theu dhëmbët e parë. Ndërsa Lilian e nxorën zvarrë nga krevati, duke e tërhequr prej flokësh dhe i vunë prangat. Pas kësaj policët e qëlluan vazhdimisht, akoma pa e lejuar të ndërronte rrobat e gjumit.

Një abuzim kaq mizor nga autoritetet konsiderohet krim sipas Kodit Penal Rus. Përveç kësaj, Federata Ruse supozohet t’u bindet ligjeve të disa organizatave ndërkombëtare që mbrojnë individët nga tortura. Prandaj këto çifte do të përdorin të gjitha mjetet ligjore në dispozicion, si në Rusi edhe jashtë saj, për të kërkuar drejtësi kundër këtyre krimeve.

Një ditë pasi policët bastisën 12 shtëpi në Irkutsk dhe torturuan dy çiftet, rreth 300 vëllezër e motra vajtën para Gjykatës së Krahinës së Oktiabërskit në Irkutsk për të mbështetur 6 vëllezërit e tjerë për të cilët gjykata vendosi t’i çonte në burg

Dy ditë pas këtyre bastisjeve, 6 vëllezër u dërguan në paraburgim me urdhër gjykate: Jaroslav Kalini, Sergei Kostevi, Nikolai Martinovi, Mihail Moishi, Aleksei Solneçni dhe Andrei Tolmaçevi. Rreth 300 vëllezër e motra vajtën në gjykatë për t’i mbështetur paqësisht bashkëbesimtarët që po përjetonin një padrejtësi të tillë.

Për të gjithë vëllezërit dhe motrat tona të shtrenjta në Rusi, themi të njëjtat fjalë që u shkroi Pavli selanikasve: «Ne krenohemi me ju nëpër kongregacionet e Perëndisë për qëndrueshmërinë dhe besimin që po tregoni në të gjitha përndjekjet dhe vështirësitë që po hasni.»—2 Selanikasve 1:4.

a Njësia Lëvizëse Speciale e Gardës Kombëtare Ruse