Kalo te përmbajtja

1 KORRIK 2020
RUSI

Prokurori rus ndalon lirimin e parakohshëm të vëlla Kristensenit

Prokurori rus ndalon lirimin e parakohshëm të vëlla Kristensenit

Më 26 qershor 2020, autoritetet e burgut të Lgovit e futën padrejtësisht vëlla Denis Kristensenin në një qeli të veçantë ndëshkimore (EPKT), ku zakonisht fusin kriminelët më të egër. Meqë shëndeti i tij është përkeqësuar, duket që kjo është një përpjekje e qëllimshme për t’i thyer besimin. Gjithashtu duket se prokuroria, për të apeluar vendimin e lirimit të parakohshëm të vëlla Kristensenit, po përdor akuza të tjera të rreme kundër tij, vendim që e kishte mbështetur në gjyq disa ditë më parë.

Vëlla Kristenseni ka vuajtur tashmë më shumë se gjysmën e dënimit të tij me 6 vjet burg. Për më shumë se një vit, ai ka pasur të drejtën e lirimit me kusht ose të zbutjes së dënimit. Pasi paraqiti tri kërkesa, të cilat u shpërfillën të gjitha, kërkesa e tij e katërt më në fund u paraqit në gjykatë. Më 23 qershor 2020, Gjykata e Krahinës së Lgovit urdhëroi që pjesa e mbetur e dënimit të shlyhej nëpërmjet një gjobe. Një prokuror që mori pjesë në seancën e lirimit me kusht, z. Artem Kofanovi, ishte në favor të zbutjes së dënimit.

Dy ditë më vonë, një prokuror tjetër, Z. Aleksei Shatunovi, pohoi se vendimi i gjykatës ishte i paligjshëm dhe kërkoi që të anulohej. Gjithashtu kërkoi një seancë të re gjyqësore në të njëjtën gjykatë, por me gjykatës tjetër. Z Shatunov e bazoi kërkesën e tij në raporte negative nga administrata e burgut të Lgovit, e cila pretendonte se vëlla Kristenseni nuk «njihej si njeri punëtor dhe nuk gëzonte reputacion të mirë në institucionin ndëshkimor».

Gjatë seancës dëgjimore të vëlla Kristensenit më 23 qershor, përfaqësuesit e burgut kishin tentuar të parashtronin argumente të ngjashme, por gjykatësi vendosi që ato ishin të pabaza. Avokati mbrojtës i tregoi gjykatës dokumentet mjekësore të vëlla Kristensenit, të cilat konfirmonin se problemet e tij shëndetësore e përjashtonin nga puna fizike në burg. Nga ana tjetër, ndërsa dëshmonte, një përfaqësues i burgut pranoi se në burg nuk kishte asnjë punë të përshtatshme për shëndetin e dobët të vëlla Kristensenit.

Ndërsa prokuroria nisi apelimin e vendimit për lirimin e parakohshëm të vëlla Kristensenit, autoritetet e burgut hartuan dy raporte kundër tij. I parë ishte se ndodhej në mensë në kohën e gabuar dhe i dyti se ishte në kazermë me një bluzë e pa xhaketë. Për këto arsye, autoritetet e burgut e vendosën vëlla Kristensenin në qelinë EPKT për dhjetë ditë. Sipas ligjit rus, masa të tilla mund të merren vetëm kur një i burgosur kryen vazhdimisht shkelje serioze të rregullave të burgut, dhe kjo vetëm pasi t’i jetë bërë një ekzaminim mjekësor. Meqenëse ky kriter nuk u plotësua kurrë në rastin e vëlla Kristensenit, nuk kishte asnjë bazë për ta futur në EPKT.

Vëlla Kristenseni dhe një i burgosur tjetër ndajnë një qeli me madhësi rreth 3x2 metra, e cila nuk ka ventilimin e duhur dhe ka myk. Kjo e kërcënon edhe më shumë shëndetin e dobët të vëllait, i cili kaloi pneumoni vetëm disa muaj më parë dhe është diagnostikuar me një patologji të rëndë të palcës kurrizore. Avokati i vëlla Kristensenit tha se «administrata e burgut është në dijeni të kësaj, e megjithatë e ka mbyllur në një qeli ku i duhet të flejë në një shtrat të ngurtë, që i shkakton dhembje të tmerrshme».

Vëlla Kristenseni i tha avokatit të tij se në kohën e shkeljeve të supozuara, ishin të pranishëm edhe të burgosur të tjerë, por vetëm atë e futën në EPKT. Avokati i vëlla Kristensenit deklaroi: «Kjo na bën të besojmë se e gjitha ishte pjesë e një plani të organizuar për të parandaluar lirimin e Denisit sipas urdhrit të gjykatës.»

Ndërsa autoritetet ruse vazhdojnë të sajojnë strategji gjithnjë e më mizore për të sulmuar vëllezërit tanë në Rusi, kemi besim se Jehovai do të jetë streha e tyre e sigurt. Le të vazhdojmë të lutemi që Jehovai të ndihmojë vëlla Kristensenin dhe gruan e tij, Irinën, të qëndrojnë besnikë në këto kohë veçanërisht sprovuese!—Psalmi 94:13, 21, 22.