Kalo te përmbajtja

Vëllai Rinat Kiramov gjatë gjyqit në prill 2023

20 QERSHOR 2024
RUSI

Rinat Kiramovin e torturojnë për 4 ditë në një burg të Rusisë

Rinat Kiramovin e torturojnë për 4 ditë në një burg të Rusisë

Në prill të vitit 2023, vëllai Rinat Kiramov u shpall fajtor dhe aktualisht po kryen dënimin me 7 vjet burg. Një vit pas vendimit të gjykatës, më 18 prill 2024, papritur autoritetet e burgut e transferuan Rinatin nga burgu ku ishte, në një burg tjetër aty afër që ofron kujdes mjekësor. Autoritetet thanë se «dyshonin» që Rinati mund të kishte tuberkuloz. Dy ditë pasi mbërriti, një grup të burgosurish filluan ta merrnin në pyetje Rinatin. Të burgosurit i kërkuan me insistim që të jepte informacione për Dëshmitarët e Jehovait në qytetin e tij, Aktubinsk. Kur Rinati refuzoi, filluan ta torturonin. Gjatë 4 ditëve në vijim, abuzuan fizikisht me të në lloj-lloj mënyrash, madje duke përdorur një armë me elektroshok. Përveç kësaj, ata nuk e lejonin Rinatin të flinte, të rrinte ulur ose të lahej, dhe e detyruan që të rrinte në këmbë dhe zgjuar gjithë ditën e gjithë natën. Gjithashtu, e lejonin të hante vetëm një vakt në ditë.

Disa ditë pasi filluan ta torturonin, gruaja e Rinatit, Galina, e vizitoi në burg. U shokua kur pa se kishte shumë të nxira në fytyrë, mezi ecte dhe duart po i dridheshin. Kur ai i shpjegoi se çfarë kishte ndodhur, Galina njoftoi avokatin e Rinatit, i cili menjëherë kërkoi një kontroll mjekësor për plagët e tij dhe nisjen e një hetimi.

Kur prokuroria mori vesh ç’kishte ndodhur, disa përfaqësues u takuan me Rinatin dhe morën masa për një kontroll mjekësor. Mjeku gjeti mjaft prova që e kishin torturuar, dhe çështja u transferua në Ministrinë e Punëve të Brendshme për rishqyrtim. Gjithashtu, mjekët konfirmuan se Rinati nuk kishte tuberkuloz, dhe më 17 maj 2024, e transferuan sërish te burgu i mëparshëm, ku ndodhet aktualisht.

Rinati dhe Galina para se ai të burgosej

Rinati i tha Galinës se çfarë e ndihmoi t’i bënte ballë asaj situate të vështirë: «E vetmja gjë që mund të bëja ishte të lutesha e të mendoja për vargje të Biblës. Kjo ishte diçka që asnjëri nuk ma hiqte dot. Jam shumë i lumtur që kisha studiuar Biblën seriozisht para se të ndodhte kjo, sepse mund të kujtoja shumë shkrime.» Rinati shtoi: «Ka njerëz që kanë përballuar trajtime mizore për shkak të përkushtimit ndaj një kauze, por pa ndihmën e frymës së shenjtë të Jehovait. Kurse unë mora forcë nga fuqia e pakufishme e Jehovait. Thashë me vete: ‘Tani, më shumë se kurrë, është momenti për të treguar sa i përkushtuar jam ndaj Jehovait. Nuk do të dështoj.’»

Ndonëse tronditemi kur dëgjojmë për trajtimin çnjerëzor që u desh të përballonte Rinati, na qetëson fakti që Jehovai gjithmonë do të na sigurojë ‘fuqi përtej asaj që është normale’ për t’ia dalë mbanë.—2 Korintasve 4:7.