Kalo te përmbajtja

Nga e majta: Aleksej Budençuku, Konstantin Bazhenovi, Feliks Mahamadievi, Aleksej Miretski, Roman Gridasovi dhe Ginadi Germani, para se të arrestoheshin

17 SHKURT 2020
RUSI

Rojat e burgut rrahin 5 vëllezër në Orenburg, Rusi

Rojat e burgut rrahin 5 vëllezër në Orenburg, Rusi

Më 6 shkurt 2020, në kampin e punës nr. 1 në Orenburg, Rusi, rojat e burgut rrahën keqas me shkopinj gome 5 vëllezër: Aleksej Budençukun, Ginadi Germanin, Roman Gridasovin, Feliks Mahamadievin dhe Aleksej Miretskin. Vëlla Mahamadievin e shtruan në spital ngaqë i thyen një brinjë dhe i dëmtuan mushkërinë e veshkën. Kurse vëllezërit Budençuk, German, Gridasov dhe Miretski i rrahën dhe pastaj i çuan në birucë, duke i dënuar me akuza të sajuara dhe absurde. Një ndër akuzat skandaloze kundër tyre ishte se kishin pirë duhan, diçka që për Dëshmitarët e Jehovait është e gabuar.

Siç është raportuar edhe më parë, më 19 shtator 2019 gjykatësi Dmitri Larin i Gjykatës së Krahinës së Leninskit në Saratov i shpalli fajtorë këta 5 vëllezër, bashkë me një vëlla tjetër, Konstantin Bazhenovin. I dënoi me burg për periudha që varionin nga dy deri në tri vite e gjysmë. Më 20 dhjetor 2019 Gjykata Rajonale e Saratovit hodhi poshtë apelimin e tyre. Disa javë më vonë, të gjashtë i çuan në burg. Vëlla Bazhenovin e dërguan në kampin e punës nr. 3 në Rajonin e Uljanovskit. Prandaj u shpëtoi torturave që vuajtën 5 vëllezërit e tjerë në kampin e punës nr. 1.

Më 6 shkurt 2020, me të hyrë në kampin e punës nr. 1, të pestë vëllezërit i rrahën. Mjekët shkuan t’i vizitonin të nesërmen, pikërisht kur u mor vesh se vëlla Mahamadievi kishte temperaturë të lartë dhe gjak në urinë. Administrata e burgut thirri ambulancën vetëm pasi e detyroi që të firmoste një deklaratë ku thuhej se «ishte rrëzuar në banjë». Vëlla Mahamadievin e shtruan në spital dhe i bënë operacion për t’i nxjerrë lëngjet e grumbulluara në mushkëri. Analizat zbuluan edhe se e linin pa ngrënë, ngaqë administratorët e burgut i konfiskonin ushqimin që i duhej për të përballuar sëmundjen nga e cila vuan.

Na pikon në zemër për vëllezërit tanë në Rusi që përballen me këtë trajtim kaq të padrejtë e mizor. Sidoqoftë, jemi të bindur se Jehovai do të vazhdojë t’i mbështetë ndërsa qëndrojnë besnikë.—Filipianëve 1:27, 28.