2 TETOR 2020
RUSI
Rusi: Katër vëllezër dhe një çift rrezikojnë të burgosen me dënime të ndryshme nga tre deri në shtatë vjet
Data e vendimit
Më 5 tetor 2020 a Gjykata e Krahinës së Zasvijazhskit në qytetin e Uljanovskit merr vendimin për çështjen e vëllezërve Aleksandër Ganin, Koren Kaçikjan, Andrej Tabakov, Mihail Zelenskij, si edhe për vëlla Sergej Mysinin me të shoqen, Natalijan. Ata rrezikojnë të burgosen me dënime të ndryshme nga tre deri në shtatë vjet. Gjithashtu, prokuroria kërkoi që gjykata të konfiskonte paratë dhe makinat e tyre, vlera e të cilave arrin në 1,57 milion rubla (20.000 dollarë amerikanë).
Të dhëna
Aleksandër Ganini
Lindur: 1957 (Ekabi, ishulli Sahalin)
Biografia: Ka 20 vjet që është pagëzuar si një Dëshmitar i Jehovait. Tani ka dalë në pension dhe i pëlqen kopshtaria
Koren Kaçikjani
Lindur: 1985 (Jerevan, Armeni)
Biografia: Është diplomuar për ekonomi. Në rini ishte mundës profesionist. Njihet si njeri i butë dhe i mirë
Filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, sepse donte të mësonte më shumë për Perëndinë dhe të jetonte sipas urdhërimeve të tij. Vlerëson faktin që Bibla është një libër logjik dhe i harmonishëm
Sergej Mysini
Lindur: 1965 (Kulebaki, rajoni i Nizhnji-Novgorodit)
Biografia: Ndërsa studionte për inxhinieri, u njoh me gruan e tij, Natalijan. U martuan më 1991 dhe i shërbejnë Jehovait prej 20 vjetësh. Kanë 2 fëmijë të rritur. I pëlqejnë sportet, sidomos lakrosi
Natalija Mysini
Lindur: 1971 (Leningrad, që sot njihet si Shën-Pjetërburgu)
Biografia: Lindur në një familje ushtarakësh. Ka jetuar në Gjermani para se të diplomohej në universitet për farmaci. I pëlqen shumë të gatuajë
Andrej Tabakovi
Lindur: 1973 (Minsk, Bjellorusi)
Biografia: Punon në fushën e teknologjisë së informacionit. U martua me të shoqen, Marinën, më 2006. Ata studiuan Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe u pagëzuan. I pëlqen të punojë me pajisje elektronike, sidomos me radiot dhe kompjuterët
Mihail Zelenskiji
Lindur: 1960 (Bulaesti, Moldavi)
Biografia: Ka punuar si marinar dhe shofer kamioni. U martua me gruan, Viktorian, më 1989. Në fillim të viteve 90 nisën të studionin Biblën. Filluan ta donin Jehovain dhe më pas u pagëzuan
Historiku i çështjes
Pothuajse 3 vite më parë, Shërbimi i Sigurimit Federal i Rusisë (FSB) filloi një operacion vëzhgimi ndaj vëllezërve dhe motrave tona në Uljanovsk. Ky operacion përfshinte përgjimin e telefonatave të tyre. Më 24 shkurt 2019, FSB-ja nisi një hetim kundër çiftit Mysin dhe vëllezërve Kaçikjan, Tabakov dhe Zelenskij.
Tri ditë më vonë, në 5 të mëngjesit, policët bastisën shtëpitë e vëllezërve Kaçikjan, Tabakov dhe Zelenskij. I arrestuan të 3 dhe i burgosën përkohësisht. Po atë mëngjes, dikush telefonoi motër Mysinin dhe i tha se i kishin dëmtuar makinën. Ai i kërkoi që të dilte jashtë bashkë me burrin, Sergejin. Sa hapi derën vëlla Mysini, policë të FSB-së hynë brenda në apartament, e kontrolluan dhe konfiskuan pajisjet elektronike të familjes. Pastaj arrestuan çiftin.
Ditën tjetër, Gjykata e Krahinës së Leninskit në Uljanovsk e futi vëlla Mysinin në paraburgim. Ndërsa motrën Mysin dhe tre vëllezërit i vendosën në arrest shtëpie.
Vëllai Mysin kaloi 55 ditë në paraburgim dhe 123 në arrest shtëpie. Motra Mysin dhe vëllezërit Kaçikjan, Tabakov e Zelenskij qëndruan nga 50 deri në 55 ditë në arrest shtëpie.
Mëngjesin e 15 majit 2019, oficerë të FSB-së kontrolluan shtëpinë e vëllait Ganin dhe pastaj e arrestuan. Ai qëndroi 2 ditë në një burg të përkohshëm.
Të 6 lajmëtarëve u kanë vendosur disa kufizime të vogla. Gjithsesi, autoritetet vazhdojnë t’u bëjnë presion në mënyra të tjera. Për shembull, autoritetet vendëse kanë bllokuar llogaritë bankare të çiftit Mysin dhe të vëlla Tabakovit, në të cilat gjenden respektivisht afro 500.000 rubla (6.313 dollarë amerikanë) dhe 600.000 rubla (7.575 dollarë amerikanë).
Lutemi që fjalët e frymëzuara të psalmistit të vazhdojnë të forcojnë motrat dhe vëllezërit tanë në Rusi ndërsa përndiqen për shkak të besimit: «Perëndia është streha dhe forca jonë, ndihmë që gjendet me lehtësi në kohë vuajtjesh.»—Psalmi 46:1.
[Shënimi]
a Data edhe mund të ndryshojë