Kalo te përmbajtja

Nga e majta: Aleksei Budençuku, Konstantin Bazhenovi, Feliks Mahamedievi, Aleksei Miretski, Roman Gridasovi dhe Ginadi Germani, para se t’i arrestonin

23 SHTATOR 2019
RUSI

Rusia dënon dhe burgos gjashtë vëllezër të tjerë

Rusia dënon dhe burgos gjashtë vëllezër të tjerë

Të enjten më 19 shtator 2019 u dënuan dhe u burgosën gjashtë vëllezër nga qyteti i Saratovit, thjesht se janë Dëshmitarë të Jehovait.

Gjykatësi Dmitri Larin i Gjykatës së Krahinës së Leninskit në Saratov i dënoi vëllezërit Konstantin Bazhenovin dhe Aleksei Budençukun me tre vjet e gjysmë burg; vëlla Feliks Mahamedievin me tre vjet, kurse vëllezërit Roman Gridasovin, Ginadi Germanin dhe Aleksei Miretskin me dy vjet. Vendimi thoshte edhe se, pasi të mbarojnë dënimin në burg, asnjëri nuk duhet të drejtojë veprimtari fetare për publikun për pesë vjet. Avokatët mbrojtës do ta apelojnë vendimin.

Të gjashtë vëllezërit u akuzuan penalisht për herë të parë më 12 qershor 2018, pasi autoritetet ruse bastisën shtatë shtëpi të Dëshmitarëve në Saratov. Të gjithë kanë familje, madje vëlla Budençuku ka dy fëmijë që janë ende në shkollë. Ai bashkë me vëllezërit Bazhenov dhe Mahamediev kanë qenë në paraburgim që kur i arrestuan, gati një vit më parë.

Në fjalën e fundit në gjykatë, gjashtë vëllezërit cituan shkrime nga Bibla që i kishin ndihmuar të mbeteshin besnikë dhe thanë se nuk kishin ndjenja armiqësie ndaj atyre që po i akuzonin.

Në këtë moment Rusia ka dënuar e ka burgosur shtatë Dëshmitarë. Mbi 250 vëllezër e motra atje po përballen me akuza penale, ndër të cilët 41 janë në burg (paraburgim ose burg) dhe 23 në arrest shtëpie.

Lutemi që çdo motër e vëlla besnik dhe i guximshëm në Rusi ‘të marrë gjithë forcën që i duhet nga fuqia e lavdishme [e Jehovait], që të përballojë çdo gjë me durim e gëzim’.—Kolosianëve 1:11, nwt.