4 KORRIK 2019
RUSI
Rusia vazhdon të sekuestrojë pronat e Dëshmitarëve të Jehovait që vlejnë mbi 57 milionë dollarë
Që nga 20 prilli 2017, kur praktikisht Gjykata e Lartë Ruse i ndaloi Dëshmitarët e Jehovait të ushtronin besimin, vëllezërit e motrat tona po përndiqen e po burgosen pareshtur. Gjithashtu, autoritetet kanë konfiskuar gradualisht 131 prona të Dëshmitarëve të Jehovait. Përveç tyre, janë në rrezik edhe 60 të tjera. Të gjitha bashkë vlejnë mbi 57 milionë dollarë.
Ndër pronat e konfiskuara është edhe ish-kompleksi i degës së Rusisë në Solneknoje—që ishte në pronësinë e Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania. (Shih foton lart majtas.) Vetëm ajo vlen rreth 30 milionë dollarë. 43 të tjera u përkasin enteve ligjore të huaja në Austri, Danimarkë, Finlandë, Holandë, Norvegji, Portugali, Spanjë, Suedi dhe Shtetet e Bashkuara. Këto konfiskime janë të jashtëligjshme, pasi vendimi i Gjykatës së Lartë për të ndaluar veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait nuk i jep arsye ligjore qeverisë që të marrë prona të cilat u përkasin pronarëve të huaj.
Dëshmitarët e Jehovait kanë paraqitur një kërkesë pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) për konfiskimin e paligjshëm të ish-pronës së degës në Rusi. Pavarësisht nga vendimi që do të marrë GJEDNJ-ja, ne besojmë dhe kemi siguri te Jehovai. Lutemi që vëllezërit e motrat në Rusi të vazhdojnë të jenë të guximshëm ndërsa nuk lejojnë as bastisjet, as arrestimet e as konfiskimet, t’i pengojnë të adhurojnë Jehovain «me frymë dhe të vërtetë».—Gjoni 4:23.