Kalo te përmbajtja

Zyrat qendrore të Shërbimit Federal të Monitorimit Financiar

13 JANAR 2023
RUSI

Rusia vazhdon t’u vendosë sanksione financiare qindra Dëshmitarëve të Jehovait

Rusia vazhdon t’u vendosë sanksione financiare qindra Dëshmitarëve të Jehovait

Në Rusi, Shërbimi Federal i Monitorimit Financiar (Rosfinmonitoring) është një agjenci qeveritare përgjegjëse për të luftuar krimet financiare, për shembull, sponsorizimin e ekstremizmit. Ajo mban një listë publike me emrat e njerëzve që dyshohen për pjesëmarrje në aktivitete ekstremiste ose terroriste. Një person mund të përfshihet në këtë listë edhe kur gjykata nuk e ka provuar fajësinë e tij.

Që nga vendimi i Gjykatës së Lartë të Federatës Ruse më 2017 që ndaloi aktivitetet e Dëshmitarëve të Jehovait, në këtë listë janë futur emrat e 525 vëllezërve e motrave tona. a Ndër ta janë edhe emrat e mbi 100 Dëshmitarëve të moshuar.

Ata që futen në këtë listë, u nënshtrohen sanksioneve të rënda financiare. Për shembull, u bllokojnë llogaritë bankare. Veç kësaj, një herë në muaj u lejohet të tërheqin nga banka vetëm rreth 10.000 rubla (137 dollarë amerikanë) për çdo person në familje për shpenzimet e përditshme. Gjithashtu u nënshtrohen një sërë kufizimeve të lodhshme që ua bëjnë të pamundur ose tepër të vështirë edhe aktivitetet më normale. Për shembull, hasin sfida të mëdha për të blerë a për të shitur një pronë të paluajtshme ose një makinë, për të marrë një siguracion, për të përfituar nga asistenca për të papunët dhe për të marrë një trashëgimi ose një kredi. Vështirësitë më të mëdha i hasin Dëshmitarët në pension ose invalidë, pasi u duhet të mundohen jashtë mase që të paguajnë për trajtime mjekësore dhe shpesh nuk u lejohet të përdorin transportin publik.

Vëlla Anton Çjermniku në Usurisk, të cilin e futën në këtë listë në dhjetor 2019, tregon: «Vetëm për të marrë rrogën, më duhet që çdo muaj të vërtetoj se nuk i kam siguruar paratë në rrugë ilegale. Më duhet të dorëzoj në bankë shumë dokumente, të cilat punonjësit e bankës i skanojnë dhe pastaj i dërgojnë në Moskë. Kontrolli i dokumenteve zgjat dy javë. Në ditën e caktuar, kthehem në bankë ku një punonjës i bankës tërheq paratë nga llogaria ime dhe, pasi m’i jep, ma bllokon prapë llogarinë menjëherë. Kur një punonjës i ri i bankës merr vesh që jam në listën e terroristëve, e zë frika nga unë.»

Me gjithë këto sprova, vëllezërit e motrat tona nuk e kanë humbur optimizmin. Juri Belosludtsevi, emri i të cilit u fut në këtë listë 2 vite e gjysmë para se ta dënonin me 6 vjet vënie në provë, thotë: «Llogaritë bankare m’i bllokuan, por mua dhe gruan na kanë ndihmuar shumë motrat e vëllezërit. I jemi thellësisht mirënjohës Jehovait për mbështetjen e tyre.»

E dimë se Jehovai i sheh fare mirë të gjitha padrejtësitë që po hasin motrat e vëllezërit në Rusi. Lutemi dhe jemi të bindur se Jehovai do të vazhdojë të kujdeset për ta gjatë kësaj sprove.—Mateu 6:33.

a Deri në dhjetor 2022, nga kjo listë janë hequr emrat e 35 vëllezërve e motrave që kanë kryer dënimin ose që kanë paguar një gjobë.