Kalo te përmbajtja

Dy vëllezër në Rusi meditojnë për shembujt që u kanë lënë të afërmit e tyre besnikë. Majtas (sipër): vëlla Oleg Danilovi. Majtas (poshtë): gjyshërit e Olegut, vëlla Fjodor Rigeli me gruan, Jekaterinën. Djathtas (lart): vëlla Vladimir Jermolajev i Riu. Djathtas (poshtë): gjyshërit e Vladimirit, vëlla Valentin Jermolajevi me gruan, Anën, dhe me babanë e Vladimirit kur ishte i vogël

15 NËNTOR 2021
RUSI

Shembujt e besimit nga e kaluara forcojnë vëllezërit në Rusi që përndiqen sot

Shembujt e besimit nga e kaluara forcojnë vëllezërit në Rusi që përndiqen sot

Vëllezërit Oleg Danilovi dhe Vladimir Jermolajev i Riu janë vetëm 2 nga Dëshmitarët e shumtë të Jehovait në Rusi që po e përballojnë me sukses përndjekjen. Këta dy vëllezër të guximshëm shpjegojnë se marrin forcë nga shembujt e besimit dhe të guximit që kanë treguar të afërmit e tyre në të kaluarën.

OLEG DANILOVI

Gjyshërit e Olegut, Fjodori dhe Jekaterina Rigeli u bënë Dëshmitarë të Jehovait në vitin 1958. Gjatë përndjekjes kundër Dëshmitarëve të Jehovait të organizuar nga Shteti, autoritetet ruse kontrolluan shtëpinë e çiftit Rigeli, konfiskuan pronën e tyre dhe gjobitën Fjodorin. Pavarësisht nga përndjekja, Fjodori e ndihmoi familjen që të vazhdonin të adhuronin rregullisht Jehovain.

Fëmijët e Fjodorit dhe të Jekaterinës, Alfredi dhe Ela (mamaja e Olegut), u përballën me tallje dhe përndjekje teksa rriteshin. Edhe ata ishin të palëkundur në besim dhe qëndruan besnikë. Më vonë, kur Alfredin e thirrën për shërbimin ushtarak, ai refuzoi me vendosmëri. Prandaj kaloi 3 vjet në burg.

Njësoj si daja i tij Alfredi, edhe Oleg Danilovi po vuan dënimin me 3 vite burg për shkak të besimit. Ai ndodhet pas hekurave që nga marsi i vitit 2021, larg gruas së tij, Natalisë, dhe dy djemve, Ilias dhe Nikitës. Të gjithë si familje besojnë se Jehovai do t’i ndihmojë të qëndrojnë besnikë, njësoj siç ndihmoi gjyshërit dhe dajën e Olegut.

Vëlla Oleg Danilovi me të shoqen, Natalinë, dhe me djemtë e tyre, Nikitën (majtas) dhe Ilian (djathtas)

Olegu tregon: «Shpesh mendoj se si të afërmit e mi dhe motra e vëllezër të tjerë në Bashkimin Sovjetik arritën që jo vetëm të qëndronin besnikë, por edhe të ruanin gëzimin.» Më tej shton: «Për mua, kjo është provë e pamohueshme e fuqisë që ka fryma e Jehovait. S’kam pikë dyshimi se edhe unë me familjen time do t’ia dalim të qëndrojmë besnikë dhe do të ruajmë gëzimin.»

VLADIMIR JERMOLAJEV I RIU

Vëlla Vladimir Jermolajev i Riu dhe e shoqja, Valeria

Gjyshja e Vladimir të Riut, Ana Jermolajevi mësoi për të vërtetën në vitin 1953 në fshatin e Serebrovos, rajoni i Irkutskut. Ishte banorja e parë e fshatit që u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait. Ana hasi kundërshtim të ashpër nga fqinjët e madje edhe nga e ëma, që nuk i foli kurrë më me gojë.

Kur autoritetet morën vesh se Ana po predikonte, thanë se ajo përbënte rrezik për të birin, Vladimirin, dhe e kërcënuan se do ta ndanin prej tij.

Vëllezërit e motrat në kongregacionin e Anës përgatitën një letër ku dëshmonin se ajo ishte një nënë shembullore. Një vëlla e çoi letrën në Moskë dhe ia dorëzoi udhëheqësit të asaj kohe, Nikita Hrushovit. Sa mirë që Hrushovi urdhëroi që kjo çështje të hetohej më shumë! Ana u shfajësua dhe autoritetet nuk ia morën të birin.

Ana kishte edhe një vajzë që quhej Nadjezhda. Në vitin 1970, ajo u shtrua në spital sepse kishte dhimbje të forta në stomak. Mjekët e operuan pa e diagnostikuar më parë me saktësi sëmundjen e saj. Gjatë asaj ndërhyrjeje të nxituar, mjekët këmbëngulën se i duhej bërë transfuzion gjaku. Si e ëma edhe e bija nuk pranuan të bënin kompromis me besimin e tyre. Por, duke shpërfillur vendimin e tyre, mjekët i bënë transfuzion Nadjezhdës me gjak të papajtueshëm. Mjerisht, ajo vdiq pak pas kësaj. Për të fshehur gabimin, autoritetet vendëse e ndëshkuan Anën në një gazetë shumë të njohur duke e akuzuar padrejtësish se ajo «kishte flijuar fëmijën e vet».

Ky zhvillim i trishtueshëm ngjarjesh pati ndikim befasues te bashkëshorti i Anës, Valentini. Asnjëherë s’e kishte penguar Anën që t’u nguliste fëmijëve të tyre parimet e Biblës, megjithatë vetë nuk kishte të njëjtat bindje. Por, kur pa se si e mbështetën bashkëbesimtarët e Anës familjen e tij gjatë asaj periudhe të vështirë, vendosi të studionte Biblën dhe më vonë u bë Dëshmitar i Jehovait.

Vëlla Vladimir Jermolajevi dhe e shoqja, Ljubova

Ana dhe Valentini vazhduan ta stërvitnin djalin e tyre, Vladimirin, që të jetonte sipas parimeve të Biblës. Më vonë, kur u rrit, djali u martua me një motër besnike që quhet Ljubova. Nga ana tjetër, Vladimiri dhe Ljubova ngulitën te djali i tyre Vladimir i Riu dashuri të thellë për Perëndinë dhe për parimet e Biblës.

Në shkurt të vitit 2020, autoritetet bastisën shtëpinë e Vladimir të Riut dhe të gruas së tij, Valerias. Vladimirin e arrestuan, e mbajtën për ca kohë dhe pastaj e kaluan në arrest shtëpie për gati dy muaj. Atë e akuzojnë për organizim të veprimtarive të një organizate të ndaluar. Tani është në pritje të vendimit që do të marrë gjykata për çështjen e tij. Nëse e shpallin fajtor, mund ta burgosin deri në 15 vjet. Por, në vend që të përqendrohet te vendimi që mund të marrin për të, Vladimiri mediton për shembujt e besnikërisë që i kanë lënë prindërit dhe gjyshërit.

Ai thotë: «Është privilegj të vuash për hir të emrit të Atit tonë. Prindërit dhe gjyshërit e mi kaluan periudha të vështira dhe qëndruan besnikë. Edhe unë do t’ia dal.»

Njësoj si Olegu dhe Vladimir i Riu, shumë Dëshmitarë në Rusi i çmojnë shembujt e shkëlqyer të të afërmve të tyre që i kanë qëndruar besnikë Jehovait. Le të meditojmë të gjithë ne për shembujt e atyre që kanë qëndruar në të kaluarën dhe të atyre që po qëndrojnë sot përballë përndjekjes dhe le ‘të imitojmë besimin e tyre’.—Hebrenjve 13:7.