12 PRILL 2021
RUSI
Shoqata Ndërkombëtare Përkujtimore organizon një konferencë akademike me rastin e 70-vjetorit të internimit sovjetik të Dëshmitarëve të Jehovait në Siberi
Vetëm pak ditë pas konferencës për shtyp që u mbajt në Moskë më 1 prill 2021, kushtuar 70-vjetorit të internimit të Dëshmitarëve të Jehovait në Siberi, Shoqata Ndërkombëtare Përkujtimore ftoi disa studiues dhe aktivistë të të drejtave të njeriut nga Rusia në një konferencë akademike që u mbajt më 6 prill. Ky panel nuk foli vetëm për internimin e vitit 1951—i quajtur nga sovjetikët si Operacioni i Veriut—por edhe për historinë e gjatë të përndjekjes që kanë duruar Dëshmitarët e Jehovait në Rusi.
Operacioni i Veriut u organizua nga Ministria Sovjetike e Sigurimit të Shtetit (MGB). Në fillim të vitit 1951, MGB-ja i nisi një letër zyrtare Josif Stalinit, udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, ku pjesërisht thuhej: «Për t’i shtypur edhe më tej veprimtaritë antisovjetike të Jehovistëve që veprojnë në fshehtësi, MGB-ja e BRSS-së e sheh të nevojshme që, përveç arrestimit të udhëheqësve të sektit të Jehovistëve, t’i dëbojë Jehovistët e identifikuar, bashkë me familjet e tyre, jashtë kufijve të Ukrainës, Bjellorusisë, Moldavisë, Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë e t’i çojë në rajonet e Irkutskut dhe të Tomskut.» U internuan gjithsej afro 10.000 njerëz, mbi 3.000 familje. Ky ishte internimi më i madh fetar në historinë e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS).
Aleksandër Gurjanovi, drejtuesi i kësaj konference, në komentet e tij hyrëse tha: «Përndjekja kundër këtij grupi fetar . . . po ndodh edhe sot, ndaj është veçanërisht e rëndësishme të flasim për historinë e Operacionit të Veriut.»
Pavel Poljani, historian, gjeograf dhe ekspert i studimeve të migrimit të detyruar në BRSS, foli për historinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Bashkimin Sovjetik dhe shpjegoi një nga arsyet pse u internuan Dëshmitarët. Në fund të viteve 40 dhe në fillim të viteve 50, MGB-së filloi t’i binte në sy që Dëshmitarët e Jehovait ishin shumë të organizuar. Gjithashtu, z. Poljan komentoi: «[Dëshmitarët e Jehovait] janë misionarë të shkëlqyer, dhe kjo nuk i pëlqente një qeverie ateiste.»
Valeri Borshevi, aktivist i të drejtave të njeriut dhe bashkëdrejtues i Grupit të Helsinkit në Moskë, tregoi se si u përpoqën autoritetet sovjetike të «riedukonin» Dëshmitarët e Jehovait duke përdorur propagandën dhe mashtrime të tjera. Me kalimin e kohës, «qeveritarët e caktuar për të mbikëqyrur [çështjet fetare] kuptuan se e gjithë kjo ishte e kotë dhe nuk funksiononte,—shtoi z. Borshev.—Dëshmitarët e Jehovait meritojnë t’i lavdërojmë. Asgjë s’ua lëkundi besnikërinë ndaj Perëndisë».
Sergej Davidisi, anëtar i Këshillit Përkujtimor të Qendrës së të Drejtave të Njeriut dhe kryetar i programit të tij për Përkrahjen e të Burgosurve Politikë, analizoi përshkallëzimin e përndjekjes së Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi që nga viti 1998. Ai shpjegoi se vendimi i Gjykatës së Lartë në prill 2017 për të mbyllur entet ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait, bazohej kryesisht në akuzën se Dëshmitarët e Jehovait pohojnë se feja e tyre është më e mirë se fetë e tjera. Z. Davidis theksoi më tej: «Duket fare qartë që kjo akuzë është absurde. Çdo person fetar beson se feja e tij është më e mira.»
Vëlla Jaroslav Sivulski, përfaqësues i Shoqatës Evropiane të Dëshmitarëve të Jehovait, foli për atë që prindërit e tij, të internuar në Siberi, i kanë treguar rreth vështirësive të shumta që hasnin Dëshmitarët kur jetonin atje. Disa familje i lanë në pyll në mes të acarit dhe iu desh të përpiqeshin me të gjitha forcat për të mbijetuar. Vëllezërit gërmuan gropa të mëdha nën tokë për t’u strehuar aty. Iu desh të jetonin aty bashkë me familjet e tyre për muaj të tërë, derisa të ndërtoheshin banesa më të qëndrueshme. Në pyll, shpesh u është dashur të ushqeheshin me hithra dhe lëvore peme. Shumë vdiqën nga uria ose nga ndonjë sëmundje.
Vëlla Sivulski theksoi se arsyeja pse i internuan Dëshmitarët në vitin 1951 është e njëjta arsye pse Rusia i përndjek Dëshmitarët sot. Gabimisht autoritetet e interpretojnë qëndrimin asnjanës politik të Dëshmitarëve sikur këta nuk pranojnë autoritetin e Shtetit. Nuk marrin fare parasysh që Dëshmitarët njihen si qytetarë që respektojnë autoritetin, i binden ligjit dhe janë shumë punëtorë.
Drejtuesi i konferencës, Aleksandër Gurjanovi, e mbylli programin me disa komente për përndjekjen aktuale kundër Dëshmitarëve në Rusi. Ai tha: «Ka një urrejtje të veçantë nga ana e qeverisë kundër Dëshmitarëve të Jehovait.» Tërë të pranishmëve iu soll në vëmendje se 70 vjet pas internimit, historia po përsëritet. Qytetarë që i binden ligjit në këtë vend po shpallen sërish kriminelë vetëm se praktikojnë besimin e tyre, një e drejtë që ua garanton kushtetuta.
Videoja e kësaj konference disponohet online vetëm në rusisht.