24 MAJ 2021
RUSI
Vëlla Albert Baçajevi ruan integritetin në paraburgim dhe arrest shtëpie
PËRDITËSIM | Gjykata ruse shpall fajtor vëlla Albert Baçajevin
Më 6 dhjetor 2021, Gjykata e Qytetit të Çerkeskut në Republikën e Karaçajevo-Çerkeskut shpalli fajtor vëlla Albert Baçajevin dhe e dënoi me gjashtë vite vënie në provë. Për momentin nuk duhet të futet në burg.
Të dhëna
Albert Baçajevi
Lindur: 1976 (Karaçajevsk)
Biografia: Ka tri motra e një vëlla. E ëma i ka vdekur dhe kujdeset për babanë e moshuar. Ka studiuar për avokati në një shkollë ushtarake dhe ka drejtuar disa hetime kriminale
Studioi Biblën dhe u bind se ajo është e vërtetë. U pagëzua si Dëshmitar i Jehovait më 2004 dhe në vitin 2007 u martua me Zhanën. Kohët e fundit është marrë me instalime dyersh. Për shkak të shëndetit të dobët nuk mund të bëjë punë të rënda fizike. Atij dhe Zhanës u pëlqen të udhëtojnë me makinë e ndonjëherë të ecin në natyrë e nëpër malet vendëse
Historiku i çështjes
Më 16 dhjetor 2019, agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB) bastisën mbi 10 shtëpi në qytetin e Çerkeskut. Si pasojë arrestuan shumë vëllezër.
Të nesërmen i liruan të gjithë, përveç vëlla Albert Baçajevit. Urdhëruan të mbahej në paraburgim për të paktën 72 orë dhe e akuzuan se drejtonte të tjerë teksa këndonin e i luteshin Jehovait. Pas akuzës, autoritetet filluan të survejonin miqtë dhe të njohurit e tij.
Alberti kujton: «Kur më futën në një qendër paraburgimi të përkohshme dhe mbyllën derën e rëndë prej hekuri të qelisë, krikëllima e saj më depërtoi deri në palcë. Mendoja se s’do të dilja kurrë që andej dhe se do të vdisja atje. Isha tmerrësisht në merak se çfarë po ndodhte me bashkëshorten time dhe me vëllezërit.»
Alberti ndenji gati dy muaj në paraburgim, pastaj dënimin ia ndryshuan në arrest shtëpie. Gjithsesi, pas një jave e dërguan sërish në paraburgim. Këtë radhë për 7 javë. Ai kujton: «Në burg, sidomos kur isha komplet i izoluar, e kuptova edhe më mirë sa e rëndësishme është të adhurosh rregullisht Jehovain dhe të jesh i zënë me aktivitetet e Mbretërisë. Kjo më dha forcën e nevojshme për të mos u shkurajuar dhe për të mos humbur besimin, qëndrueshmërinë, shpresën dhe dashurinë për Jehovain dhe për motrat e vëllezërit.»
Arriti të gjente një Bibël, të cilën nuk mund ka kesh gjithnjë në burg. Ai komenton: «Bibla ishte litari im i shpëtimit. Më shpëtoi nga dëshpërimi dhe nga malli i madh për njerëzit e mi të shtrenjtë.» Tani po i kuptonte si kurrë ndonjëherë ndjenjat e besnikëve në Bibël që kaluan vështirësi të mëdha dhe që u burgosën. Alberti shpjegon: «Asnjëherë tjetër nuk i kam ndier kaq realë, të gjallë dhe pranë meje, se sa kur isha në burg. Tani mendoj se kam shumë miq si nga e kaluara, edhe nga e tashmja.»
Në prill 2020, gjykata e transferoi Albertin në arrest shtëpie fillimisht për 2 muaj, por ia shtynë dënimin 4 herë. Herën e fundit e nisi dënimin me arrest shtëpie në fund të marsit dhe është programuar të mbarojë në fund të qershorit 2021.
E dimë se Jehovai do ta forcojë e do të kujdeset gjithmonë për vëlla Baçajevin dhe për të tërë shërbëtorët e tij besnikë që po kalojnë sprova.—1 Kronikave 29:12.