12 SHKURT 2021
RUSI
Vëlla Aleksandër Ivshinin, 63 vjeç, e dënuan me 7 vite e gjysmë burg për organizim të mbledhjeve me videokonferencë dhe për këndim të këngëve të Mbretërisë
Vendimi
Më 10 shkurt 2021, Gjykata e Krahinës së Abinskit në Territorin e Krasnodarit shpalli fajtor vëlla Aleksandër Ivshinin. Atë e dënuan me shtatë vite e gjysmë burg, dënimi më i gjatë dhe më i ashpër që është dhënë për vëllezërit tanë që kur Gjykata e Lartë ndaloi veprën në vitin 2017.
Të dhëna
Aleksandër Ivshini
Lindur: 1957 (Katav-Ivanovsk)
Biografia: Para se të dilte në pension, ka punuar si tornitor, sharrëxhi dhe inxhinier i sigurisë industriale. U martua me Galinën në vitin 1974. Kanë dy vajza dhe tetë nipër e mbesa
Pasi kaloi një sëmundje të rëndë, pyeste veten se ç’kuptim ka jeta. Pasi lexoi tre nga katër Ungjijtë brenda një nate, filloi të studionte Biblën. U pagëzua në vitin 1995
Historiku i çështjes
Vështirësitë ligjore për Dëshmitarët e Jehovait në Abinsk nisën në fillim të vitit 2015. Organizata Fetare Lokale e Dëshmitarëve të Jehovait u shpall «ekstremiste» dhe u mbyll. Rreth pesë vite më vonë, më 23 prill 2020, u ngrit një çështje penale kundër vëlla Aleksandër Ivshinit. Atë e akuzuan për «krime» të tilla si, organizim të mbledhjeve fetare me anë të videokonferencës dhe këndim të këngëve të Mbretërisë.
Kur autoritetet kontrolluan shtëpinë e Aleksandrit dhe të Galinës, për shkak të stresit, të dyve iu rrit tensioni i gjakut. Disa muaj pas kontrollit, Aleksandrit i sekuestruan makinën. Pavarësisht nga këto vështirësi, Aleksandri ruajti një qëndrim optimist. Në deklaratën e tij të fundit në gjyq, ai tha: «Nuk më habit fakti që jam i pandehur në këtë çështje, sepse Jezui paratha se këto gjëra do të ndodhnin. Te Mateu 10:18, thuhet: ‘Për shkakun tim do t’ju nxjerrin përpara guvernatorëve e mbretërve, që të jepni dëshmi para tyre dhe kombeve.’ . . . Këto fjalë të Jezuit nuk më demoralizojnë. Jo, përkundrazi më bëjnë të lumtur, sepse kam mundësi t’i tregoj kësaj gjykate të nderuar për shpresën që shtrihet para të gjithë atyre që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë.»
Aleksandri dhe Galina janë ndër Dëshmitarët e shumtë që po japin një dëshmi të fuqishme në Rusi dhe në mbarë tokën. Jemi të sigurt se Jehovai do t’i bekojë jashtëzakonisht për besimin që tregojnë tek Ai.—Jeremia 17:7.