Kalo te përmbajtja

Vëlla Anatoli Vilitkeviçi me bashkëshorten, Aljonën

7 PRILL 2021
RUSI

Vëlla Anatoli Vilitkeviçi qëndron besnik ndërsa pret vendimin e gjykatës

Vëlla Anatoli Vilitkeviçi qëndron besnik ndërsa pret vendimin e gjykatës

PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin

Më 16 dhjetor 2021, Gjykata e Lartë e Republikës së Bashkortostanit hodhi poshtë apelimin e vëlla Anatoli Vilitkeviçit. Kështu mbetet i pandryshuar dënimi i tij fillestar. Ai nuk duhet të shkojë në burg në këtë moment.

Më 27 shtator 2021, Gjykata e Krahinës së Leninskit në Ufë e dënoi Anatolin me dy vjet vënie në provë.

Të dhëna

Anatoli Vilitkeviçi

  • Lindur: 1986 (territori i Habarovskut)

  • Biografia: Bën punime për finiturën. Më 2008 u martua me Aljonën. Të dyve u pëlqejnë kampingjet dhe ecja në natyrë

    Që kur ishte fëmijë, prindërit e ndihmuan të donte Krijuesin. Atij i pëlqen sidomos premtimi se një ditë njerëzit dhe kafshët do të jetojnë në paqe. U pagëzua në vitin 1997 kur ishte 11 vjeç

Historiku i çështjes

Më 8 gusht 2018 e futën në listën ruse të atyre që dyshohen si terroristë. Bashkë me vëlla Denis Kristensenin, Anatoli është ndër të parët Dëshmitarë që u futën në paraburgim pasi Gjykata e Lartë e Federatës Ruse ndaloi veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait në prill 2017.

Hetuesit instaluan fshehurazi kamera në shtëpinë e Anatolit dhe të Aljonës. Më pas regjistruan «krimin» e Anatolit: diskutonte për Biblën me miqtë. Tani akuzohet si organizator i veprimtarive të një organizate gjoja ekstremiste.

Kur po e merrnin policët, një prej tyre i tha Aljonës pa pikë mëshire «të kërkonte një bashkëshort tjetër». Anatoli tregon si u ndie kur e morën në pyetje: «Përjetova stres dhe presion të jashtëzakonshëm. Më thanë se, nëse nuk do t’i pranoja akuzat, gruaja ime dhe ata që ishin në shtëpinë tonë për mbledhje, do të vuanin pasoja të mëtejshme. Sa e sa herë më thoshin se edhe bashkëshortja ime do të përfundonte në burg. Në ato momente i lutesha Jehovait për paqe.»

Anatoli kaloi mbi 2 muaj në paraburgim, gati 9 muaj në arrest shtëpie dhe për më shumë se një vit e gjysmë kishte kufizime për udhëtimin. Kur ishte në burg, shkroi në një bllok shembuj nga Bibla të atyre që ishin përndjekur. Ai shpjegon: «Solla ndër mend se Jehovai nuk i mbrojti nga vështirësitë, por as i braktisi. Kjo më forcoi jashtë mase dhe më dha siguri të plotë se Jehovai do të vepronte njësoj edhe me mua. Kryesore ishte të mbetesha besnik.» Edhe letrat e së shoqes ia ngritën zemrën peshë, dhe për këtë kishte vërtet nevojë. Ai tregon: «Në një nga letrat e para, Aljona më dërgoi disa foto me miqtë dhe me ata që i kishim shumë për zemër. Çdo mbrëmje i shihja fotot dhe përpiqesha të kujtoja diçka të bukur që kishte ndodhur mes meje dhe personit në foto. Kështu ndihesha sikur ishin aty me mua.»

Besnikëria e Anatolit dhe e Aljonës na inkurajon të gjithëve. Gëzohemi kur e dimë se vëllezërit e motrat në Rusi po lidhen edhe më fort me Jehovain gjatë kësaj përndjekjeje të zjarrtë. Gjithashtu falënderojmë Jehovain që i dëgjon lutjet që bën secili nga ne për ta.—2 Korintasve 1:11.