5 PRILL 2021
RUSI
Vëlla Andrej Gubini qëndron i palëkundur ndërsa përndiqet për shkak të besimit
PËRDITËSIM | Gjykata anulon vendimin që e shpallte fajtor vëlla Gubinin
Më 1 shkurt 2022, Gjykata e Rajonit Autonom Jude e anuloi vendimin e mëparshëm i cili shpallte fajtor vëllanë Andrej Gubin. Çështja e tij u kthye për rigjykim në një gjykatë të një shkalle më të ulët.
Më 9 shtator 2021, Gjykata e Krahinës së Birobidzhanit në Rajonin Autonom Jude shpalli fajtor vëlla Andrej Gubinin dhe e dënoi me dy vite e gjysmë vënie në provë. Për momentin nuk duhet të futet në burg.
Të dhëna
Andrej Gubini
Lindur: 1974 (Qyteti i Saranit, Kazakistan)
Biografia: Ka një vëlla dhe një motër që janë më të mëdhenj se ai. Kur ishte i ri, për të mbështetur familjen, pas shkolle punonte me një zanatçi me orar të shkurtuar duke rregulluar bravat. Më vonë u bë tornitor dhe shofer i makinerive të rënda. I pëlqen sporti, të shkruajë poezi dhe të luajë instrumente muzikore
Që kur ishte i vogël, shqetësohej nga padrejtësitë dhe ligësitë në botë. Kur studioi Biblën, gjeti paqe dhe qëllim në jetë. Premtimi i Biblës se Perëndia Jehova do t’i rikthejë drejtësinë dhe paqen njerëzimit, e shtyu t’ia kushtonte jetën atij. U pagëzua në vitin 1991 në moshën 17-vjeçare. Në vitin 2007 u martua me Tatjanën dhe në vitin 2011 u transferuan në Birobidzhan
Historiku i çështjes
Më 12 shkurt 2020, agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB) filluan ta merrnin në pyetje vëlla Andrej Gubinin. Më 17 shtator 2020 nisi procesi gjyqësor për çështjen e tij penale.
Çështja e tij është vetëm një nga 19 hetimet penale që kanë nisur kundër motrave e vëllezërve tanë në Rajonin Autonom Jude, si rezultat i bastisjeve në masë të zhvilluara gjatë operacionit të koduar me emrin «Dita e Gjykimit». Më 17 maj 2018, 150 policë kontrolluan 22 shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait. Autoritetet konfiskuan karta bankare, pará, fotografi, kompjuterë dhe pajisje elektronike.
Autoritetet u bllokuan llogaritë bankare Andrejit dhe Tatjanës. Për këtë arsye, çifti po kalon vështirësi të jashtëzakonshme ekonomike. Si pasojë e përndjekjes që po zgjat prej muajsh, shëndeti i Tatjanës është rënduar ndjeshëm. Prapëseprapë, çifti merr forcë e ngushëllim falë leximit të rregullt të Biblës. Kanë nxjerrë dobi veçanërisht nga këshillat e saj praktike se si të përballojnë vështirësitë.
Besimi i Andrejit te Jehovai dhe tek organizata e Tij është forcuar nga mbështetja e jashtëzakonshme që i kanë dhënë motrat e vëllezërit në besim. Për shembull, një ditë Andrejin e kapi ankthi. I hapi zemrën një vëllai që, ashtu si ai, po përballet me çështje penale. Fillimisht vëllai e siguroi Andrejin se është normale të ndihej ashtu në ato rrethana. Pastaj i solli ndër mend se Jezui e kishte për nder të përndiqej për emrin e Jehovait. Ai thotë: «Pas kësaj u qetësova. Jam i vendosur të vazhdoj të bëj vullnetin e Atit tonë.»
Lutemi që Andreji dhe Tatjana të vazhdojnë të gjejnë forcë e ngushëllim te Fjala e Perëndisë dhe te vëllezërit e motrat. Nuk kemi pikë dyshimi se «atyre që kanë nderim të thellë për Perëndinë e vërtetë, do t’u dalë për mirë».—Eklisiastiu 8:12.