Kalo te përmbajtja

Vëlla Artur Lohvitski me të shoqen, Anën

26 JANAR 2021
RUSI

Vëlla Artur Lohvitski mund të dënohet me 4 vite burg pasi i bastisën shtëpinë

Vëlla Artur Lohvitski mund të dënohet me 4 vite burg pasi i bastisën shtëpinë

Data e vendimit

Më 2 shkurt 2021 a Gjykata e Krahinës së Birobidzhanit në Rajonin Autonom Jude do të shpallë vendimin për çështjen e vëlla Artur Lohvitskit. Ai rrezikon të dënohet me 4 vite burg.

Të dhëna

Artur Lohvitski

  • Lindur: 1986 (Belgorodskoje, Rajoni Autonom Jude)

  • Biografia: I ati vdiq kur Arturi ishte 7 vjeç. Ai punon si elektricist dhe është specializuar për mbrojtjen nga zjarri. Madje ka marrë çmim si punëtor i zellshëm

    Kur ishte fëmijë, e ëma e ndihmoi të donte Jehovain. U pagëzua si Dëshmitar i Jehovait në vitin 1998, në moshën 11-vjeçare. Në vitin 2018 u martua me Anën. Të dyve u pëlqen të udhëtojnë dhe të shëtitin në natyrë

Historiku i çështjes

Në maj 2018, tre muaj pasi Arturi dhe Ana u martuan, policët u kontrolluan shtëpinë. Bastisja ishte pjesë e një operacioni të koduar me emrin «Dita e Gjykimit», ku 150 agjentë të sigurimit kontrolluan 22 shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait, ndër to edhe shtëpinë e mamasë së Arturit, Irinës. Më 31 korrik 2019, agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB) në Birobidzhan hapën çështje penale kundër Arturit gjoja për veprimtari ekstremiste. Ata hapën çështje penale edhe për Anën, edhe për Irinën.

Për shkak të këtyre çështjeve penale, familja e ka shumë të vështirë të sigurojë të ardhurat e nevojshme për të jetuar. Autoritetet nuk e lejojnë Arturin të përdorë llogarinë e tij bankare. Përveç këtyre, punëdhënësi e ka kërcënuar se do ta pushojë nga puna.

Ngaqë procesi i hetimit po vazhdon, familja nuk po bën një jetë normale. Arturi shpjegon: «Jeta jonë e zakonshme ka ndryshuar kryekëput. Nuk arrijmë dot të bëjmë plane për një javë, (madje as edhe për një ditë). [Policia] na thërret herë pas here kur është e përshtatshme për ta. Prandaj na duhet t’i ndryshojmë vazhdimisht planet e ditës.»

Arturi dhe Ana u janë shumë mirënjohës të bashkëkrishterëve për mbështetjen. Ai tregon: «Vëllezërit po na inkurajojnë jashtë mase dhe po na ndihmojnë të jemi të qetë e të rrimë pranë Jehovait. . . . Nuk e përshkruajmë dot me fjalë sa të lumtur jemi që bëjmë pjesë në popullin e Jehovait dhe që kemi privilegjin të mbrojmë emrin e tij gjatë këtyre seancave gjyqësore! Është kaq e dukshme se Jehovai nuk i braktis ata që i përkasin atij!»

Familja Lohvitski ka marrë forcë e kurajë duke u lutur e duke lexuar Biblën. Gjithsesi, kjo s’ka qenë gjithnjë e lehtë. Menjëherë pas bastisjes ‘Dita e Gjykimit’, Arturi thotë: «Nuk kishim as Biblën, as botime të bazuara në Bibël.» Në fillim u shqetësua për këtë. Vriste mendjen si do t’ia bënin tani që të studionin Biblën. Mirëpo shpejt solli ndër mend këtë të vërtetë jetësore: «[FSB-ja] nuk mund të na ndalojë të lutemi. Filluam të luteshim menjëherë. Dhe, pikërisht kjo na ndihmoi.»

Jehovai iu përgjigj shpejt lutjeve të tyre dhe u siguroi ushqimin e domosdoshëm besimforcues, që të vazhdonin me programin që kishin. Arturi shprehet: «Bëjmë sa mundemi që të ruajmë një program të rregullt adhurimi familjar, të përgatitemi për mbledhjet dhe të lexojmë Biblën si familje. Kështu që jo vetëm po lidhemi më ngushtë me njëri-tjetrin, por po dallojmë dorën e Perëndisë në jetën tonë dhe po mbajmë një pikëpamje pozitive.»

Përveç leximit dhe studimit të Fjalës së Perëndisë, ata kanë nxjerrë shumë dobi edhe duke medituar për bekimet e ardhshme. Arturi thotë: «Nisëm të mendonim më shumë për shpresën për të ardhmen dhe të përfytyronim veten në botën e re.» Më tej shton: «Duam të bëjmë pjesën tonë kur të pastrohet toka, pastaj kur të fillojnë projektet e ndërtimit. Kjo na jep forcë dhe gëzim.»

Derisa të vijë kjo ditë, Arturi dhe Ana mendojnë gjithnjë për shkrimin e Hebrenjve 13:6, që thotë: «Jehovai është ndihma ime, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?!» Arturi pohon: «Edhe pse tani na e kanë kufizuar lirinë, nuk na lejojnë të mblidhemi për të adhuruar Jehovain e madje as me njëri-tjetrin, ne përqendrohemi te fakti që nuk mund të na i kufizojnë kurrë ato që për ne janë tej mase të çmuara—miqësia me Jehovain, lutjet dhe shpresa për të ardhmen.»

a Data mund të ndryshojë.