Kalo te përmbajtja

24 KORRIK 2020
RUSI

Vëlla Denis Kristensenin e vendosin për herë të dytë në qelinë e veçantë ndëshkimore

Vëlla Denis Kristensenin e vendosin për herë të dytë në qelinë e veçantë ndëshkimore

Më 15 korrik 2020 autoritetet e burgut e vendosën sërish vëlla Denis Kristensenin në një qeli të veçantë ndëshkimore (SHIZO). Ai do të qëndrojë atje të paktën deri më 27 korrik. Kjo ndodhi vetëm 4 ditë pasi e nxorën nga SHIZO. Nëse do ta rikthejnë për herë të tretë atje, atëherë autoritetet e burgut kanë të drejtë ta akuzojnë për «prishje me dashje të rregullit në burg» dhe ta vendosin në një qeli ndëshkimore edhe më të rreptë (EPKT), ku mund ta mbajnë deri në 6 muaj. Avokatët e vëlla Kristensenit do t’i apelojnë këto akuza.

Vëlla Kristensenin po e dënojnë ngaqë ai e ka të pamundur fizikisht të kryejë caktimin që ka në burg. Autoritetet e burgut kanë kërkuar që ai të punojë në fabrikën e rrobaqepësisë së burgut. Mirëpo, që kur ka hyrë në burg shëndeti i është përkeqësuar. Mjekët e burgut pohojnë se shëndeti e lejon të punojë, duke pasur parasysh se mund të pushojë dhe të bëjë ushtrime fizike. Gjithsesi, një mjek i pavarur që vizitoi vëlla Kristensenin në një rast të mëparshëm, tha se ai nuk mund ta kryejë punën që i kanë caktuar për shkak të shëndetit.

Në SHIZO, të burgosurit nuk lejohen të blejnë ushqime, të bëjnë ose të marrin telefonata, të takojnë vizitorë dhe të marrin pako nga jashtë. Por kanë të drejtën t’i vizitojnë shërbëtorë fetarë. Pavarësisht nga kjo, pleqtë nuk mund ta vizitojnë vëlla Kristensenin, sepse Dëshmitarët e Jehovait në Rusi nuk janë më zyrtarisht të regjistruar si një fe.

Siç është raportuar më parë, më 23 qershor, Gjykata Krahinore e Lgovit miratoi lirimin e parakohshëm të vëlla Kristensenit dhe vendosi që pjesa e mbetur e dënimit të zëvendësohej me një gjobë. Pak ditë më vonë, prokurori e apeloi këtë vendim. Duket se zyrtarët e burgut po komplotojnë me prokurorin që të hedhin baltë mbi reputacionin e vëlla Kristensenit dhe të ndalojnë lirimin e tij të parakohshëm.

Vëlla Kristenseni dhe e shoqja, Irina, po mbajnë një qëndrim pozitiv. Jemi kaq të inkurajuar ndërsa shohim si i ndihmon gjithmonë Jehovai shërbëtorët e tij besnikë që t’ia dalin mbanë me durim e gëzim edhe në sprovat më të vështira.—Kolosianëve 1:11.