Kalo te përmbajtja

Pasi e lirojnë nga burgu në Rusi, më 21 janar 2021 vëlla Feliks Mahamadievi bashkohet sërish me gruan, Jevgeninë, në stacionin e trenit në Uzbekistan

21 JANAR 2021
RUSI

Vëlla Feliks Mahamadievin e lirojnë nga burgu në Rusi dhe e dëbojnë në Uzbekistan

Vëlla Feliks Mahamadievin e lirojnë nga burgu në Rusi dhe e dëbojnë në Uzbekistan

Më 31 dhjetor 2020, autoritetet ruse liruan nga burgu vëlla Feliks Mahamadievin. Gjykata e Krahinës së Beljajevskit në rajonin e Orenburgut vendosi që ta linte përkohësisht në një qendër dëbimi derisa të merrte dokumentet e nevojshme që ta dëbonin në Uzbekistan, vendlindjen e tij. Kjo erdhi si pasojë e heqjes së nënshtetësisë ruse në prill të 2020-s. Më 20 janar 2021, autoritetet e hipën Feliksin në një tren për në Uzbekistan. Jemi të lumtur t’ju njoftojmë se më 21 janar 2021 ai ka mbërritur shëndoshë e mirë. E shoqja, Jevgenia, u nis dy ditë para tij për në Uzbekistan që ta priste atje.

Feliksi jetoi në Rusi për rreth 18 vjet. Në vitin 2002, kur ishte adoleshent, bashkë me të ëmën u transferuan nga Uzbekistani në Saratov, Rusi. U pagëzua në 2004-n, kur ishte 19 vjeç, dhe në vitin 2011 u martua me Jevgeninë.

Më 12 qershor 2018, policë të maskuar dhe të armatosur të Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB) hynë me forcë në shtëpinë e Feliksit dhe të Jevgenisë. Feliksin e arrestuan dhe e lanë për gati një vit në paraburgim. Ai lutej pa pushim, dhe kjo e ndihmoi të qëndronte i fortë. Feliksi shpjegon: «I lutesha çdo ditë Jehovait që të më jepte paqe dhe gëzim për atë ditë.»

Vëlla Feliks Mahamadievi, gati dy javë pasi rojat e burgut e rrahën mizorisht

Më vonë, Feliksin dhe pesë vëllezër të tjerë i shpallën fajtorë dhe më 19 shtator 2019 i futën në burg. Pasi humbën në gjykatën e apelit, Feliksin dhe katër nga vëllezërit i transferuan në një burg në Orenburg, mbi 800 kilometra larg shtëpive dhe familjeve të tyre në Saratov. Kur mbërritën atje, i rrahën mizorisht.

Pavarësisht nga e gjithë kjo, Feliksi ruajti gëzimin dhe buzëqeshjen që e karakterizon. Jevgenia thotë: «Jam shumë krenare për të. Ai jo vetëm që përballoi procesin gjyqësor plot dinjitet, por vazhdon të qëndrojë besnik plot dinjitet, e madje më mban të fortë edhe mua.»

Ndonëse autoritetet ruse synonin t’i bënin keq Feliksit dhe të shkatërronin besimin e tij, ai thotë se, në të vërtetë, procesi i gjatë gjyqësor ia ka forcuar besnikërinë ndaj Jehovait. Kjo na sjell ndër mend Zanafillën 50:20, ku Jozefi u tha vëllezërve: «Edhe pse donit të më bënit keq, Perëndia e ktheu këtë të keqe në të mirë.»