Kalo te përmbajtja

Vëlla Jevgeni Jaku dhe bashkëshortja, Irina

17 MAJ 2021
RUSI

Vëlla Jevgeni Jaku mbështetet te Jehovai për mençuri gjatë seancave gjyqësore

Vëlla Jevgeni Jaku mbështetet te Jehovai për mençuri gjatë seancave gjyqësore

PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin

Më 1 tetor 2021, Gjykata e Rajonit të Arhangelskit hodhi poshtë apelimin e vëlla Jakut. Kështu, vendimi i gjykatës më të ulët nuk ndryshon.

Më 19 korrik 2021, Gjykata e Krahinës së Solombalskit në Arhangelsk shpalli fajtor vëlla Jevgeni Jakun dhe i vuri një gjobë prej 880.000 rublash (12.082 dollarë amerikanë). Ai nuk duhet të futet në burg.

Të dhëna

Jevgeni Jaku

  • Lindur: 1980 (Fshati Sosnovjec, Republika e Karelias)

  • Biografia: Kur ishte adoleshent, u mahnit kur mësoi për përmbushjen e profecive të Biblës. Në vitin 2006 u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait. U transferua në Arhangelsk për të ndjekur një shkollë biznesi. Në vitin 2007 u martua me Irinën. Atyre u pëlqen të udhëtojnë e të kalojnë kohë në natyrë

Historiku i çështjes

Mëngjesin e 18 shkurtit 2019, autoritetet ruse bastisën shtëpinë e vëlla Jevgeni Jakut dhe e arrestuan me akuzën se ishte përfshirë në veprimtari «ekstremiste». Policët vendës e futën në burg dhe e mbajtën dy ditë. Miqtë dhe familja nuk e dinin ku ishte.

Pasi e liruan, nuk i lejohej të largohej nga shtëpia natën, as të mblidhte njerëz në shtëpi për asnjë lloj arsyeje dhe as të komunikonte me të tjerët për çështjen e tij, qoftë me telefon, email ose internet. Rreth 7 muaj më vonë, gjykata i hoqi disa kufizime dhe e lejoi të largohej nga shtëpia mbrëmjeve.

Më 25 nëntor 2019, Jevgenin e akuzuan për organizim të veprimtarive «ekstremiste». Si pasojë, ngritën akuza të tjera kundër tij. Nëse e shpallin fajtor, mund ta dënojnë me 15 vite burg. Si pasojë e akuzave, Jevgeni humbi punën, i ngrinë llogarinë bankare dhe i konfiskuan dy makina.

Gjatë kësaj periudhe të vështirë, ai dhe Irina kanë forcuar besimin te Jehovai. Irina pohon: «Kur shoh si u përgjigjet Jehovai lutjeve specifike dhe si kujdeset për Zhenjan [Jevgenin] dhe mua, nuk arrij dot ta shpreh me fjalë mirënjohjen.»

Për shembull, ajo iu lut specifikisht Jehovait që t’i jepte një zemër të qetë bashkëshortit dhe ta ndihmonte t’i shpjegonte mirë bindjet e tij gjatë seancave gjyqësore. Jevgeni u lut për të njëjtën gjë. Ai thotë: «Çdo herë që duhej të paraqitesha te komiteti i hetimit ose nëpër seanca gjyqësore, i kërkoja Jehovait mençuri.» Ai e ndien se Jehovai i është përgjigjur. Jevgeni komenton: «Arrija të thosha gjithçka që duhej, edhe pse nuk flisja shumë.» Pastaj shton: «Jehovai po më tregon se nuk më ka braktisur dhe po u përgjigjet fare qartë lutjeve të mia. Tani e dalloj edhe më mirë si po më mbështet ditë për ditë.»

Ndërsa pret vendimin, e dimë se Jehovai do të vazhdojë t’i japë Jevgenit guxim që të mbrojë besimin «me butësi dhe respekt të thellë».—1 Pjetrit 3:15.