Kalo te përmbajtja

Më 19 maj 2021,14 ditë pasi e liruan nga burgu në Rusi, vëlla Konstantin Bazhenovi bashkohet sërish me bashkëshorten, Irinën, në Ukrainë, sapo kaloi kufirin

20 MAJ 2021
RUSI

Vëlla Konstantin Bazhenovi mbërrin i sigurt në Ukrainë pas dëbimit nga Rusia

Vëlla Konstantin Bazhenovi mbërrin i sigurt në Ukrainë pas dëbimit nga Rusia

Më 5 maj 2021, vëlla Konstantin Bazhenovi u lirua nga një burg në Rusi. a Pasi ndenji përkohësisht në paraburgim, më 19 maj 2021 e dëbuan në Ukrainë, sepse Rusia ia anuloi nënshtetësinë në maj të 2020-s. Bashkëshortja e tij, Irina, vajti më parë atje, që ta priste kur të mbërrinte.

Sapo hyn në kufirin e Ukrainës, vëlla Konstantinin dhe Irinën i përshëndet një çift me fjalët e Isaisë 54:17: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses, . . . thotë Jehovai»

Të dhëna

Konstantini lindi në vitin 1975 në një familje jofetare në qytetin perëndimor rus të Veliki-Novgorodit. Kur ishte fëmijë, u transferuan familjarisht në Ukrainë. Konstantini është marrë me gjimnastikë kur ishte i vogël dhe i pëlqen muzika. U diplomua në një shkollë muzike dhe u bë drejtues i një bande me vegla frymore.

Edhe para se të studionte Biblën, besonte se dhuna dhe lufta ishin të gabuara. Prandaj refuzoi kur e thirrën të shërbente në ushtrinë ukrainase. Kur ishte në universitet, kishte pyetje për jetën dhe fenë. I kërkoi përgjigjet nëpër fe të ndryshme, por i gjeti kur filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. U pagëzua në vitin 1996.

Konstantini u martua me Irinën në vitin 2001. Për të mbështetur veten dhe Irinën ka punuar si murator, dhe është specializuar në ndërtimin e furrave dhe të oxhaqeve. Ata u transferuan në Rusi në vitin 2009.

Bastisja dhe burgosja

Më 12 qershor 2018, forca të armatosura e të specializuara ruse bastisën 7 shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait në Saratov, mes tyre edhe apartamentin e Konstantinit dhe të Irinës. Atë dhe 2 vëllezër të tjerë nga Saratovi i arrestuan dhe i dërguan në paraburgim.

Me të mbërritur atje, Konstantini ndjeu nevojën për mbështetje dhe ngushëllim nga Fjala e Perëndisë, mirëpo nuk kishte një Bibël. Ai kujton: «Ime shoqe më dërgoi një bllok dhe çdo ditë shkruaja shkrimet që mbaja mend.» Jehovai e ndihmoi të kujtonte 500 vargje në vetëm 2 muaj! Kur mori një Bibël, e lexoi me etje nga fillimi në fund për 4 muaj. Shkrimet e forcuan tej mase. Përveç kësaj, kënaqej pa fund kur i shkruante pika zemërdhënëse nga Bibla bashkëshortes dhe miqve.

Gjatë kohës në paraburgim, Konstantini i lutej shpesh me zjarr Jehovait që të qëndronte i fortë, sidomos kur ndihej vetëm dhe ndiente mungesën e së shoqes. Ai komenton: «Ulesha në gjunjë dhe shpërtheja në lot teksa i lutesha Jehovait. Vendosa t’i hidhja me shkrim kërkesat e mia drejtuar Perëndisë dhe u vija një shenjë atyre që u përgjigjej. Isha më se i bindur se Jehovai më qëndronte pranë.» Ai u lirua nga paraburgimi më 20 maj 2019. Mirëpo, hallet e tij nuk kishin mbaruar ende.

Shpallet fajtor

Konstantinin dhe 5 vëllezër të tjerë nga Saratovi i shpallën fajtorë dhe i futën në burg më 19 shtator 2019. Pak muaj më vonë, pasi humbën apelimin, 5 prej tyre i transferuan në një burg në Orenburg. Konstantinin e dërguan në një burg në Dimitrovgrad, mbi 500 kilometra larg shtëpisë dhe së shoqes, në Saratov.

Konstantini në burg, duke mbajtur Përkujtimin e vitit 2020

Kur ishte larg Konstantinit, Irina merrte zemër duke lexuar në JW Lajme historitë e vëllezërve e të motrave që e përballuan përndjekjen me guxim e gëzim. Ajo merrte zemër edhe kur shihte sa i vendosur dhe sa i qetë ishte Konstantini. Në një intervistë kur Konstantini ishte në burg, Irina shpjegoi: «Ai ka gjithnjë diçka pozitive për të thënë.» Kur i jepnin leje t’i telefononte, këndonin këngë, luteshin dhe studionin bashkë. Ajo thotë se diskutimet për Biblën ia forcuan besimin te Jehovai dhe e ndihmuan të ruante gëzimin, pavarësisht nga rrethanat.

Konstantini kaloi mbi 14 muaj në paraburgim dhe mbi 1 vit e gjysmë në burg për shkak të besimit. E liruan 9 muaj para se të mbaronte dënimin me 3 vite e gjysmë burg, për shkak të kohës që kaloi në paraburgim. Për dy muajt e fundit që i mbetën nga dënimi, i dhanë liri me kusht.

Jemi të kënaqur që Konstantinin e kanë liruar nga burgu dhe është ribashkuar me Irinën. Të gjithë vëllezërit dhe motrat që po qëndrojnë të fortë gjatë përndjekjes, po tregojnë se i kanë vërtet për zemër fjalët e mbretit David: «Nën hijen e krahëve të tu do të fshihem derisa të kalojnë telashet.»—Psalmi 57:1.

a Kur Konstantini u lirua nga burgu, Irina dhe gati 20 vëllezër e motra po e pritnin jashtë që ta përshëndetnin para se ta transferonin në një qendër paraburgimi të përkohshme, nga ku do ta dëbonin në Ukrainë. Policët që ishin caktuar ta shoqëronin Konstantinin, e lejuan të rrinte me gruan për 30 minuta para se ta çonin në qendrën e përkohshme të paraburgimit.