25 MARS 2021
RUSI
Vëlla Nikolaj Aljevi tregon guxim përballë përndjekjes
PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin
Më 2 shtator 2021, Gjykata e rajonit të Kabarovskit hodhi poshtë apelimin e vëlla Nikolaj Aljevit, prandaj mbetet në fuqi dënimi i tij fillestar. Nuk duhet të futet në burg në këtë moment.
Vëlla Nikolaj Aljevi dënohet me vënie në provë
Më 4 qershor 2021 Gjykata Qendrore e Krahinës së Komsomolskut-mbi-Amur e dënoi vëlla Nikolaj Aljevin me 4 vite e gjysmë vënie në provë.
Të dhëna
Nikolaj Aljevi
Lindur: 1978 (Komsomolsk-mbi-Amur)
Biografia: Kur ishte fëmijë, mendonte për origjinën e jetës dhe të universit. Prandaj filloi të kërkonte përgjigjet nga Bibla. Hoqi dorë nga sportet marciale pasi mendoi për shembullin e Jezuit dhe për atë që mësonte ai për paqen. Në vitin 1993 u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait
Në vitin 2016 u martua me Alesian. U pëlqejnë shumë gjëra, ndër të cilat udhëtimi, shëtitja në natyrë dhe skijimi
Historiku i çështjes
Më 22 maj 2020, në mëngjes herët, policë në qytetin e Komsomolskut-mbi-Amur bastisën shtëpinë e Nikolajit dhe të Alesias. Sapo hynë brenda, ata qëlluan Nikolajin, aq sa e rrëzuan përtokë. I kontrolluan shtëpinë për 5 orë dhe pastaj i arrestuan të dy. Kur i morën në pyetje, autoritetet i sugjeruan Nikolajit të ndryshonte fenë e të besonte te një fe më tradicionale. Kurse Alesian e nxitën të bashkëpunonte, që të «mos i ndodhte diçka» bashkëshortit. Pavarësisht nga kërcënimet, i liruan po atë mbrëmje dhe u kthyen në shtëpi.
Nikolaji ka marrë forcë ndërsa mendonte për mënyrat e shumta që e ka mbështetur Jehovai gjatë këtyre sprovave. Ai shpjegon: «Kur has vështirësi, e kupton se nuk ia del dot me forcat e tua. E dalloja gjithnjë e më shumë si u përgjigjej Jehovai lutjeve të mia dhe si më jepte drejtim. Tani jam edhe më i bindur për vërtetësinë e fjalëve të Pavlit: ‘Kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.’»—2 Korintasve 12:10.
Nikolaji dhe Alesia kërkojnë vazhdimisht mënyra si të kenë guxim dhe të rrinë të qetë. Kanë printuar shkrimin e Isaisë 41:10 dhe e kanë vënë në frigorifer. Nikolaji thotë: «Kur situatat duken veçanërisht të vështira, lexoj vargun, pastaj gjërat më duken më të lehta. Këto fjalë më japin zemër që të mos kem frikë. Ajo që më forcon veçanërisht, është siguria se Jehovai është pranë meje, kaq afër, sa duket se dora e tij e djathtë më përqafon si një mik i ngushtë.» Jemi të bindur se Jehovai do t’i forcojë pareshtur shërbëtorët e tij besnikë.