Kalo te përmbajtja

Sergej Verhoturovi dhe bashkëshortja, Viktoria

26 SHKURT 2021
RUSI

Vëlla Sergej Verhoturovi qëndron i patundur, pavarësisht se mund të dënohet me shtatë vite burg

Vëlla Sergej Verhoturovi qëndron i patundur, pavarësisht se mund të dënohet me shtatë vite burg

Data e vendimit

Më 1 mars 2021, a Gjykata e Krahinës së Priokskit në Nizhnji-Novgorod mund të shpallë vendimin për çështjen e vëlla Sergej Verhoturovit. Ai mund të dënohet me shtatë vite burg.

Të dhëna

Sergej Verhoturovi

  • Lindur: 1974 (Baikalsk, rajoni i Irkutskit)

  • Biografia: Ka punuar si elektricist për dhjetë vjet. Kohët e fundit po punon si këshilltar ligjor për një kompani industriale

  • Që kur ishte i vogël, i pëlqente Bibla. Vite më vonë, kur ishte në punë, i bëri shumë përshtypje sjellja e mirë e një kolegu që studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Nga kjo u nxit të studionte Biblën. Logjika dhe thjeshtësia e Biblës e prekën jashtë mase dhe në vitin 1995 u pagëzua. Në vitin 2001 u martua me Viktorian

Historiku i çështjes

Më 16 dhe 17 korrik 2019, autoritetet ruse kontrolluan 35 shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait në rajonin e Nizhnji-Novgorodit, ndër to edhe shtëpinë e çiftit Verhoturov. Sergeji kujton si u ndie kur policët filluan t’i bastisnin shtëpinë: «Isha i qetë dhe ndjeva fare pak ankth.» Më pas, policët e kërcënuan se, po të mos u jepte informacione konfidenciale, do të futnin në burg Viktorian. Ai shprehet: «[Kjo] ishte jashtë mase e vështirë për mua.» Me ndihmën e Jehovait, arriti të ruante qetësinë, ndërsa Viktorian b nuk e burgosën.

Ai komenton: «Kam mësuar të mos kem frikë para se të ndodhë diçka, sepse shpesh gjërat janë komplet ndryshe nga sa e imagjinojmë. Kur je në mes të një sprove, duket e papërballueshme vetëm nga jashtë. Kur qëndron në sprova, e ndien se Jehovai po të mbështet në një mënyrë shumë të veçantë.»

Që të ruajë gëzimin, Sergeji synon pikësëpari të bëjë gjëra për Jehovain dhe për të tjerët. Ai thotë: «Kam vetëm një dëshirë—që Jehovai të marrë lavdi. Jam lutur dhe do të vazhdoj të lutem për këtë. Lutem edhe që të qëndroj në një mënyrë që nderon emrin e Tij dhe që të tjerët të marrin dëshmi të shkëlqyer. Ata që kam takuar që nga fillimi i përndjekjes, ose nuk kishin dëgjuar aspak për Perëndinë, ose dinin fare pak për të. I përgjërohem Jehovait me gjithë shpirt t’i ndihmojë ata që të mësojnë më tepër për të dhe të bëhen miq të tij.»

Ndërsa vëllezërit dhe motrat në Rusi vazhdojnë të përballen me përndjekjen, bashkohemi me fjalët e apostullit Pavël që tha: «Zotëria i paqes ju dhëntë paqe pa pushim në çdo gjë! Zotëria qoftë me të gjithë ju!»—2 Selanikasve 3:16.

a Data mund të ndryshojë.

b Në mars 2020 autoritetet ngritën një tjetër çështje penale kundër Viktorias.