4 SHTATOR 2019
RUSI
Vëlla Valeri Moskalenko lirohet nga burgu
Më 2 shtator 2019 Gjykata e Krahinës së Zhileznadarozhnit në Habarovsk, Rusi, dënoi vëlla Valeri Moskalenkon me dy vjet e dy muaj shërbim ndaj komunitetit, kurse për gjashtë muaj të tjerë do të jetë nën mbikëqyrje. Gjithsesi nuk do të rrijë më në burg.
Pasi u shpall vendimi doli nga burgu dhe kjo e gëzoi pa masë familjen e miqtë. Ai ka qenë në burg që nga 2 gushti i 2018-s. Para se ta arrestonin, punonte si ndihmësdrejtues në tren, ndërkohë që kujdesej për mamanë e sëmurë. Sipas kushteve të mbikëqyrjes, ai nuk duhet të udhëtojë jashtë Habarovskut dhe çdo muaj duhet të raportojë se nuk ka kryer asnjë vepër penale.
Më 30 gusht, ndërsa po jepte deklaratën e fundit në gjyq, vëlla Moskalenko tha ndër të tjera: «Për mua është krejtësisht e pamendueshme të shkoj kundër vullnetit të Perëndisë, siç shprehet qartë në Bibël. Pavarësisht nga presioni që mund të më bëhet apo nga dënimi, edhe po të më dënojnë me vdekje, prapë nuk do ta braktisja Krijuesin e Plotfuqishëm të universit, Perëndinë Jehova.»
Jaroslav Sivulski, përfaqësues i Shoqatës Evropiane të Dëshmitarëve të Jehovait, tha: «Edhe pse nuk jemi dakord që Valerin e shpallën fajtor, jemi të kënaqur që ai do të kthehet në shtëpi.»
Përveç vëlla Moskalenkos, edhe shtatë vëllezër të tjerë në rajonin e Habarovskut presin të gjykohen për ndjekje penale.
Falënderojmë Jehovain që vëlla Moskalenko ruajti një besim të fortë kur ishte në burg. Lutemi që Jehovai të vazhdojë t’u japë forcë të gjithë vëllezërve e motrave që po përndiqen për shkak të bindjeve të bazuara në Bibël.—Isaia 40:31.