20 MAJ 2021
RUSI
Vëlla Vitali Popovi rrezikon të burgoset për shkak të besimit
PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin e dytë të vëllait Vitali Popovi
Më 16 shkurt 2022, Gjykata e Kasacionit e Juridiksionit të Tetë hodhi poshtë apelimin e dytë të vëlla Vitali Popovit. Për momentin nuk duhet të futet në burg.
Më 23 korrik 2021, Gjykata e Krahinës së Novosibirskut hodhi poshtë apelimin e Vitalit dhe la në fuqi dënimin e tij me tri vite vënie në provë.
Më 21 maj 2021 Gjykata e Krahinës së Leninskit në Novosibirsk shpalli fajtor vëlla Vitali Popovin dhe e dënoi me tri vite vënie në provë.
Të dhëna
Vitali Popovi
Lindur: 1967 (Novosibirsk)
Biografia: Ka punuar si elektricist dhe saldator. Ka shërbyer në ushtrinë sovjetike. I pëlqen të bëjë ski, të luajë futboll e volejboll dhe të këndojë. Kishte dy vëllezër e dy motra. Kur ishte i ri, vëllai i tij i madh dhe motra e madhe vdiqën në mënyrë tragjike. Ja pse Vitalin e mundonin shumë pyetje për vdekjen dhe të ardhmen
Në fillim të viteve 90 studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Gjeti përgjigje logjike për pyetjen pse vdesin njerëzit. U prek edhe nga dashuria, respekti dhe mbështetja që tregojnë Dëshmitarët ndaj njëri-tjetrit. U pagëzua më 1994. Në vitin 2011 u martua me Natalinë
Historiku i çështjes
Më 27 qershor 2019, autoritetet ngritën një çështje penale kundër Vitalit. Më 9 prill 2020 i erdhën në shtëpi disa policë, e morën me vete dhe e morën në pyetje për më shumë se 4 orë.
Vitalin e futën në listën federale të ekstremistëve. Si pasojë i ngrinë llogarinë bankare. Dy muaj më vonë, Vitali ishte i detyruar të jepte dorëheqjen nga puna. Kjo ka sjellë probleme të mëdha ekonomike për familjen e tij.
Megjithatë, Jehovai i ka siguruar vazhdimisht gjërat e nevojshme familjes së Vitalit. Ai thotë: «Jehovai është kujdesur për të gjitha nevojat tona—materiale dhe emocionale. Gjithashtu na ka ndihmuar të ruajmë një marrëdhënie të fortë me të. Gjithë familja ime e çmon shumë mbështetjen e Jehovait. Kjo na ka ndihmuar të kapërcejmë çdo vështirësi dhe të ruajmë qetësinë e gëzimin.»
Vitali tregon çfarë e ka ndihmuar më shumë të qëndrojë në sprovë: «Falë një programi të rregullt besimforcues kam zhvilluar një miqësi të fortë me Jehovain. Ai është bërë më real për mua. Kam mësuar të besoj tek ai në çfarëdo rrethane.» Programi i rregullt besimforcues i Vitalit përfshin adhurimin familjar, pjesëmarrjen në mbledhjet e kongregacionit dhe komentet, pjesëmarrjen e rregullt në shërbim dhe lutjet me gjithë zemër. Ai pohon: «Po të mos ishte për këtë program, ka shumë mundësi që nuk do të kisha besuar te Jehovai dhe nuk do ta kisha përballuar gjithë këtë që më ndodhi.»
Teksa presim rezultatin e gjyqit të Vitalit, vazhdojmë të lutemi për të. Jemi të sigurt se Jehovai, ‘ai që na jep fuqi’, do t’u japë pareshtur fuqi tërë motrave e vëllezërve në Rusi që po qëndrojnë gjithë guxim në përndjekje.—Filipianëve 4:13.