26 MARS 2021
RUSI
Vëllai ynë 78-vjeçar, Vasili Rezniçenko, përballet me akuza për «ekstremizëm» ngaqë adhuron paqësisht Perëndinë
PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin e vëlla Vasili Rezniçenkos
Më 30 korrik 2021, Gjykata e Rajonit të Amurit hodhi poshtë apelimin e vëlla Vasili Rezniçenkos. Tani do të hyjë në fuqi dënimi i tij fillestar me 2 vite vënie në provë. Ai nuk duhet të shkojë në burg në këtë moment.
Më 2 qershor 2021, Gjykata e Krahinës së Zejës në Rajonin e Amurit shpalli fajtor vëlla Vasili Rezniçenkon. Atë e dënuan me 2 vite vënie në provë.
Të dhëna
Vasili Rezniçenko
Lindur: 1942 (Murovkë, territori i Primorjes)
Biografia: Më i vogli nga pesë fëmijët. Është stërvitur si traktorist dhe më vonë si timonier anijeje dhe si mekanik. Ka shërbyer në ushtri. Më pas ka punuar si timonier dhe me kohë mori gradën e kapitenit. Ka marrë titullin e nderit «Veteran i punës në Bashkimin Sovjetik»
Në vitin 1969 u martua me Valentinën. Kanë rritur tre djem. Në fillim të viteve 90, Valentina i foli për të vërtetat e Biblës. Pasi mësoi se ç’qëllim ka Perëndia për tokën, nisi të studionte me etje Biblën. Vasili u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait në vitin 1996. E shoqja i vdiq në vitin 2016
Historiku i çështjes
Më 21 mars 2019 policë në qytetin e Zejës kontrolluan shtëpinë e vëlla Vasili Rezniçenkos. I konfiskuan laptopin, celularin dhe dokumente personale. Që atëherë, e kanë futur në listën e «ekstremistëve» dhe i kanë bllokuar llogaritë bankare. Veç kësaj, nuk mund të largohet nga zona ku jeton.
Vasili vazhdon të mbështetet te Jehovai. Gjithashtu ruan qetësinë duke mbajtur një program të mirë për leximin e Biblës dhe të shkrimit të ditës. E vlerëson shumë edhe merakun e dashur të bashkëbesimtarëve.
Ai thotë: «Ditën pasi më kontrolluan shtëpinë dhe më morën në pyetje, më erdhën për vizitë motrat e vëllezërit e kongregacionit. Edhe disave prej tyre u kishin kontrolluar [shtëpinë]. Dy ditë më vonë më erdhën edhe vëllezër nga qytetet aty afër. Kuptova se kishin vënë në rrezik lirinë e tyre. Ato vizita më dhanë shumë zemër. Edhe sot më mbushen sytë me lot kur kujtoj vizitat e tyre.» Viktori shton: «Këto ngjarje më forcuan marrëdhënien me Jehovain. Jam lidhur edhe më ngushtë me të.»
Vasili gjen ngushëllim e forcë nga fjalët e Hebrenjve 13:5. Ai shpjegon: «Jam i vendosur të besoj përherë te premtimi i Jehovait: ‘Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.’» S’kemi pikë dyshimi se Jehovai do të vazhdojë t’i mbështetë motrat e vëllezërit tanë që po përndiqen për shkak të besimit.