Kalo te përmbajtja

Vëlla Andrej Andrejevi (në qendër) me (nga e majta) vajzën, Albinën; bashkëshorten, Svetlanën; vajzën, Anzhelikën me të shoqin, Anatolin; (fotografia e vogël) vëlla Andrejevi përqafon të shoqen pasi del nga burgu

27 SHKURT 2023
RUSI

Vëllanë Andrej Andrejev e lirojnë nga një burg në Rusi

Vëllanë Andrej Andrejev e lirojnë nga një burg në Rusi

Më 22 shkurt 2023, vëllanë Andrej Andrejev e liruan nga një burg në Rusi pas më tepër se 3 vjetësh.

Më 16 tetor 2019, Andrejin e arrestuan bashkë me disa vëllezër të tjerë, kur autoritetet kontrolluan shumë shtëpi dhe morën në pyetje sa e sa Dëshmitarë të Jehovait në Kursk. Pas thuajse 20 muajsh në paraburgim, më 3 qershor 2021 atë e dënuan me burg.

Ndërsa ishte në burg për shkak të besimit, Andreji bënte çmos të ndihmonte gruan e tij, Svetlanën, dhe dy vajzat, Anzhelikën dhe Albinën, të ruanin miqësinë e ngushtë me Jehovain. Përmes letrave u jepte zemër vazhdimisht nga Bibla, e madje shkroi fjalimin e martesës për Anzhelikën, e cila u martua kur ai ishte në burg. Anzhelika thotë: «Babi shkroi një fjalim të mrekullueshëm e prekës. I emocionoi të gjithë të ftuarit . . . dhe na u duk sikur ishte aty me ne atë ditë.»

Për të takuar Andrejin, familja e tij duhej të udhëtonte 8 orë me autobus vetëm vajtje. Edhe pse kjo ishte e vështirë, Svetlana tregon se Dëshmitarët vendës i mbështetën gjithmonë atë dhe vajzat e saj, duke u siguruar strehim, ushqim dhe transport për në burg. Disa mbanin radhën te zona e vizitorëve, madje shpeshherë edhe gjatë natës, vetëm për t’i ruajtur vendin familjes që të arrinin të takonin Andrejin.

Një grup Dëshmitarësh dhe familja mirëpresin vëlla Andrejevin pasi del nga burgu

Edhe pse trajtimi i ashpër në burg i solli pasoja te shëndeti, besimi i Andrejit mbeti i palëkundur. Falë sjelljes së tij shembullore dhe cilësive të krishtere fitoi respektin e autoriteteve të burgut, të cilët i dhanë mundësi të kishte më shumë vizita. Ja si shprehet Andreji për dënimin: «Nuk ndiej asnjë fije mërie, zemërimi e absolutisht urrejtjeje për askënd. Me ndihmën e Perëndisë ia kam dalë mbanë dhe jam i lumtur.»

Jemi të bindur se Jehovai do të vazhdojë ta bekojë me bollëk vendosmërinë e Andrejit për të shfaqur dashuri si ajo e Krishtit.—1 Gjonit 4:16.