2 PRILL 2021
RUSI
Vëllezërit Aleksandër Bondarçuk dhe Sergei Javushkin presin vendimin e gjykatës pas muajsh të tërë në arrest shtëpie
PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin
Më 16 shkurt 2022, Gjykata Rajonale e Kemerovos hodhi poshtë apelimin e vëllezërve Aleksandër Bondarçuk dhe Sergei Javushkin. Ata nuk duhet të shkojnë në burg në këtë moment.
Më 22 qershor 2021, Gjykata e Krahinës së Zavodskojit në Kemerovo i shpalli fajtorë Aleksandrin dhe Sergein dhe i dënoi me 4 vite vënie në provë.
Të dhëna
Aleksandër Bondarçuku
Lindur: 1974 (Topki, rajoni i Kemerovos)
Biografia: I ati i vdiq kur ishte 19 vjeç. Në shkollë mësoi si të ngiste makineri të rënda që përdoren në fushën e ndërtimit. Më vonë mësoi zanatin e zdrukthëtarit. Kohët e fundit është marrë me meremetimin e furrave. I pëlqen shumë të peshkojë, të bëjë ski, të ngasë biçikletën dhe të vrapojë
Në vitin 1992 u martua me Elenën. Ajo ishte e para nga familja që studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Zbatimi i parimeve nga Bibla i ndihmoi të shpëtonin martesën. Ata kanë dy djem.
Sergei Javushkini
Lindur: 1960 (Rubtsovsk, territori i Altait)
Biografia: Ka punuar si elektricist dhe saldator prej dekadash. Kohët e fundit punon si bravandreqës. Që kur ishte i ri, i ka pëlqyer kitara dhe sportet
U martua me Tatjanën në vitin 1990. Filluan të studionin me Dëshmitarët e Jehovait shpejt pas martesës. U bëri përshtypje që Bibla është aq praktike sot, edhe pse është libër i lashtë. Ata kanë një djalë e një vajzë
Historiku i çështjes
Më 22 korrik 2019, në 6 të mëngjesit, agjentë të policisë ua bastisën shtëpitë për herë të dytë vëllezërve Aleksandër Bondarçuk dhe Sergei Javushkin. Këtë radhë, vëllezërit i arrestuan, ndërsa gratë e tyre i morën në pyetje. Përveç kësaj u konfiskuan pajisjet elektronike.
Aleksandrin dhe Sergein i mbajtën në burg për dy ditë. Pastaj, Gjykata Qendrore e Krahinës së Kemerovos i kaloi në arrest shtëpie për dy muaj, por ua kanë shtyrë dënimin 6 herë.
Gjatë arrestit të shtëpisë, të dy e kanë të ndaluar të largohen nga shtëpia më tepër se 300 metra. Kështu që nuk mund të shkojnë në punë. Sidoqoftë, para përndjekjes, të dy kishin bërë një emër të mirë në komunitet dhe në raport me punëdhënësit. Falë sjelljes së tyre të shkëlqyer, punëdhënësit e tyre i kërkuan hetuesit të bënte përjashtime për kufizimet e udhëtimit, por ai ia refuzoi kërkesat.
Aleksandri dhe familja e tij kanë parë rregullisht dorën e Jehovait në jetën e tyre. Meqë ai nuk punon dot dhe ua kanë bllokuar llogaritë bankare, po kalojnë një situatë të vështirë financiare. Megjithatë, Aleksandri komenton: «Kjo sprovë më ka mësuar të mbështetem e të besoj edhe më shumë te Jehovai. Dukej sikur para përndjekjes nuk e dalloja aq shpesh dorën e Jehovait. Mirëpo tani shoh si po më ndihmon pa pushim, çdo orë, çdo ditë. Si unë, si familja ime e ndiejmë gjithnjë se ai po na mbështet dhe na do.»
Çështja penale i ka shkaktuar shumë stres e ankth Sergeit. Si rezultat pësoi hemorragji cerebrale. Pavarësisht nga problemet shëndetësore, vazhdon të jetë pozitiv. Ai thotë: «Vështirësitë e përkohshme duhet t’i konsiderojmë të vogla, edhe pse mund të mos jetë gjithnjë e lehtë të qëndrosh i fortë përballë çdo gjëje që të ndodh.»
Sergei ka marrë forcë nga 1 Korintasve 15:58, ku thuhet se «mundi [ynë] në veprën e Zotërisë s’është i kotë». Ai komenton: «Jehovai kujton gjithçka dhe do t’i kujtojë gjithmonë veprat tona të mira.»
Lutemi për vëllezërit e motrat në Rusi që, me durim, po qëndrojnë prej vitesh përballë përndjekjes. Vazhdofshin të marrin ngushëllim e forcë nga Fjala e Perëndisë, që thotë: «Jehovait i sjellin kënaqësi ata që e nderojnë thellësisht, ata që i varin shpresat te dashuria e tij besnike.»—Psalmi 147:11.