29 PRILL 2021
RUSI
Vëllezërit Shamov, Shçjepin dhe Udincev qëndrojnë besnikë edhe pse rrezikojnë të shpallen fajtorë për shkak të besimit
PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin
Më 2 dhjetor 2021, Gjykata e Rajonit të Kirovit hodhi poshtë apelimin e vëllezërve Aleksandër Shamov, Andrej Shçjepin dhe Jevgeni Udincev. Tani do të hyjë në fuqi dënimi i tyre fillestar me gjoba. Ata nuk duhet të futen në burg.
Më 19 korrik 2021, Gjykata e Krahinës së Leninskit në rajonin e Kirovit i shpalli fajtorë vëllezirit Shamov, Shçjepin dhe Udincev dhe i gjobiti përkatësisht me 420.000; 500.000; dhe 200.000 rubla (5.618; 6.688; dhe 2.675 dollarë).
Të dhëna
Aleksandër Shamovi
Lindur: 1960 (Komarovo, rajoni i Kirovit)
Biografia: Ka pesë vëllezër e motra. Prindërit i vdiqën kur ishte i ri. Ka punuar në fermën e familjes që në moshën 6-vjeçare. U diplomua në një shkollë teknike dhe u bë riparues televizorësh. Në vitin 1986 u martua me Nadjezhdën. Kanë një vajzë të rritur. Para disa kohësh pësoi infarkt dhe iu nënshtrua një operacioni në zemër, prandaj tani merr pension invaliditeti. Ai dhe Nadjezhda studiuan Biblën me Dëshmitarët e Jehovait në vitet 90. Aleksandri u pagëzua në vitin 2000
Andrej Shçjepini
Lindur: 1991 (Koroljov, rajoni i Moskës)
Biografia: Mësoi të vërtetën nga prindërit. U martua me Sjenian në vitin 2015. Punon si inxhinier ndërtimi. U pagëzua në vitin 2010
Jevgeni Udincevi
Lindur: 1949 (Kirov)
Biografia: Kur ishte i vogël, kaloi një sëmundje të rëndë në zemër. U specializua në inxhinieri ndërtimi dhe në metalurgji. Në vitin 1970 u martua me Elizavjetën. Në vitin 1991 mësuan të vërtetën nga motra e Elizavjetës. Dashuria për Jehovain e ndihmoi të mposhtte vesin e duhanit dhe të alkoolit. U pagëzua në vitin 1996
Historiku i çështjes
Më 26 mars 2019, autoritetet ruse bastisën 12 shtëpi të Dëshmitarëve në Kirov. Si rezultat i bastisjes dhe i një operacioni të madh vëzhgimi, zyra e prokurorisë ngriti akuza kundër Aleksandrit, Andrejit dhe Jevgenit. Andrejin e mbajtën në arrest dy ditë. Prokuroria i konsideroi «ekstremiste» disa akte të thjeshta adhurimi. Ndër të ashtuquajturat krime të vëllait ishin leximi i Biblës dhe këndimi i këngëve të Mbretërisë.
Vëllezërit po mbështeten plotësisht te Jehovai, tek organizata e tij dhe te Bibla për të marrë forcë që të përballojnë këtë përndjekje. Për shembull, Aleksandrit i kanë dhënë shumë zemër ata që bëjnë pjesë në ‘renë e madhe të dëshmitarëve’ që përmenden te kapitulli 12 i Hebrenjve. Ai shprehet: «Në atë kohë, shërbëtorët e Perëndisë kuptuan se besimi kërkon vepra të guximshme dhe qëndrueshmëri. Kur situata bëhet veçanërisht e vështirë për mua, meditoj për shembujt e tyre. Ata provuan dhunë e padrejtësi edhe më të mëdha. Kjo më ndihmon të vazhdoj ‘të luftoj me mish e me shpirt për besimin’.»—Juda 3.
Andrejit i kanë dhënë forcë jetëshkrimet e Dëshmitarëve besnikë në Gjermaninë naziste dhe në ish-Bashkimin Sovjetik. Ai tregon: «Më lë pa fjalë guximi i tyre.» Atij i bën shumë përshtypje edhe mënyra si u përgjigjej Jehovai lutjeve të tyre dhe si i shpërblente për besnikërinë. Kjo e nxiti të bënte lutje specifike. Andreji shpjegon: «Sigurisht që lutesha për guxim—për guxim, guxim dhe përsëri për guxim. . . . E dimë se po jetojmë në kohë të papërsëritshme. Kjo na jep mundësi unike për të shërbyer, përvoja unike dhe besim unik te Jehovai.»
Lutemi për 3 vëllezërit tanë dhe për familjet e tyre. E dimë se Jehovai do të vazhdojë t’i ngushëllojë dhe t’i bëjë «të patundur për çdo vepër e fjalë të mirë».—2 Selanikasve 2:17.