Kalo te përmbajtja

Pallati i Hofburgut në Vjenë, ku ndodhet Këshilli i Përhershëm i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE)

11 GUSHT 2020
RUSI

Zyrtarë të SHBA-së dhe të Evropës dënojnë përndjekjen sistematike të Rusisë ndaj Dëshmitarëve të Jehovait

Zyrtarë të SHBA-së dhe të Evropës dënojnë përndjekjen sistematike të Rusisë ndaj Dëshmitarëve të Jehovait

Shtetet e Bashkuara dhe rreth 30 vende të Evropës i dënuan me forcë përndjekjen dhe torturat e vazhdueshme të Rusisë ndaj vëllezërve tanë. Ky denoncim i ndërkombëtarëve ndaj Rusisë u bë në një mbledhje të organizuar nga Këshilli i Përhershëm i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) a më 23 korrik 2020.

Znj. Lejn Darnell Bal, këshilltare politike për misionin amerikan të OSBE-së, iu drejtua me këto fjalë zyrtarëve në këtë mbledhje: «Shtetet e Bashkuara dhe përfaqësues të shumë vendeve të tjera në këtë sallë kanë folur dhe do të vazhdojnë të flasin hapur lidhur me raportimet e bastisjeve të padrejta nga policia, arrestimet dhe burgosjet arbitrare, dënimet që arrijnë deri në 6 vite burg dhe torturat nga autoritetet ruse ndaj Dëshmitarëve të Jehovait.»

Zyrtarët janë veçanërisht të shqetësuar për raportet e kohëve të fundit në lidhje me bastisjen e mbi 100 shtëpive të Dëshmitarëve të Jehovait nga autoritetet ruse në rajonin e Voronezhit. Znj. Bal komenton: «Është vërtet shokuese shkalla e përndjekjes kundër anëtarëve të një grupi të vogël fetar e paqësor.»

Edhe znj. Nikol Mërej, kryetare e delegacionit të Mbretërisë së Bashkuar, shprehu shqetësimin se «rritja e numrit të kontrolleve dhe e bastisjeve të shumë shtëpive në të njëjtën kohë të jep përshtypjen e një fushate të organizuar për të përndjekur Dëshmitarët e Jehovait». Ajo vazhdon: «Ndër të ashtuquajturat ‘prova’ që përdorin kundër Dëshmitarëve për t’i hetuar ose ndjekur penalisht, është edhe pjesëmarrja e rregullt në aktivitetet e tyre fetare.»

Gjithashtu, znj. Bal dënoi autoritetet e Voronezhit se pohonin që Dëshmitarët e burgosur ishin fajtorë për «akte konspirative». Këto përfshinin të mbaje raporte ose dokumente në format elektronik, të organizoje grupe dhe të mbaje mbledhje me anë të videokonferencave. Ajo e quajti «absurde dhe të turpshme» këtë akuzë të autoriteteve ruse. Znj. Bal deklaroi: «Edhe unë i kryej përditë këto të ashtuquajtura ‘akte konspirative’.» Gjithashtu u vuri në dukje anëtarëve të delegacionit rus që mori pjesë në mbledhjen e OSBE-së me anë të videokonferencës, se edhe ata ishin «fajtorë ngaqë po kryenin akte të tilla».

Në një deklaratë të përbashkët, 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe 8 vende joanëtare pohuan: «Kemi dëgjuar delegacionin rus që e ka përsëritur disa herë në Këshillin e Përhershëm se Dëshmitarët e Jehovait kanë dhe do të vazhdojnë të kenë mundësinë për të praktikuar lirisht fenë e tyre dhe se e drejta e lirisë së fesë ose e besimit është e garantuar në Federatën Ruse. Gjithsesi po dëgjojmë vazhdimisht raporte të bastisjeve të shtëpive, të burgosjeve dhe të ndjekjeve penale kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Këto raporte janë komplet ndryshe nga deklaratat e delegacionit rus.»

Delegacioni i BE-së bëri edhe këtë koment: «Të gjithë njerëzit, edhe Dëshmitarët e Jehovait, duhet të kenë mundësinë për gëzuar të drejtat e tyre, përfshirë këtu të drejtën e lirisë së fesë ose të besimit, të lirisë për të formuar organizata e për t’u mbledhur paqësisht dhe të lirisë së shprehjes, pa u diskriminuar, siç garanton Kushtetuta e Federatës Ruse dhe premtimet e obligimet që ka Rusia ndaj OSBE-së në bazë të ligjeve ndërkombëtare.»

Në fund të deklaratës së saj si përfaqësuese e Mbretërisë së Bashkuar, znj. Mërej i bëri thirrje Rusisë t’i jepte fund përndjekjes ndaj Dëshmitarëve të Jehovait.

Znj. Bal nxiti Rusinë: (1) të ndalonte të gjitha ndjekjet penale kundër Dëshmitarëve të Jehovait, (2) t’u rikthente sërish Dëshmitarëve të Jehovait selinë e tyre në Rusi dhe (3) të lironte menjëherë të gjithë Dëshmitarët e burgosur.

Kjo nuk është hera e parë që organet ndërkombëtare denoncojnë përndjekjen e Rusisë ndaj vëllezërve tanë. Rusia është paralajmëruar. Ndërkombëtarët janë në dijeni të përndjekjes së egër ruse ndaj Dëshmitarëve. Mbi të gjitha jemi të sigurt se Jehovai e di mirë ç’po heqin vëllezërit dhe motrat në Rusi. (Psalmi 37:18) Pa dyshim, Ati ynë i dashur qiellor do të vazhdojë t’i bekojë për besnikërinë, guximin dhe qëndrueshmërinë që po tregojnë.—Psalmi 37:5, 28, 34.

a Ndër të tjera, roli OSBE-së është të mbrojë të drejtat e njeriut. Këshilli i Përhershëm është organi kryesor vendimmarrës i OSBE-së.