Kalo te përmbajtja

18 MAJ 2020
RUSI

Zyrtarë të SHBA-së nxjerrin një dokument ligjor ku i kërkojnë Rusisë lirimin e vëllait Denis Kristensen

Zyrtarë të SHBA-së nxjerrin një dokument ligjor ku i kërkojnë Rusisë lirimin e vëllait Denis Kristensen

Dy anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara kanë nxjerrë një dokument ligjor (Rezoluta 958) që dënon Rusinë për burgimin e padrejtë të Denis Kristensenit. Ky është dokumenti më i fundit nga autoritetet qeveritare që dënon Rusinë për përndjekjen fetare që u bën vëllezërve e motrave tona.

Vëllanë Kristensen e arrestuan dhe e burgosën në maj të vitit 2017, vetëm ngaqë ndiqte mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Në dokumentin e paraqitur nga përfaqësuesit Eliot Engel dhe Majkëll Mekaul më 8 maj 2020, i kërkohet qeverisë ruse ta lirojë menjëherë vëllanë Kristensen.

Në të thuhet: «Denis Kristenseni, një Dëshmitar i Jehovait dhe shtetas danez, u dënua më 6 shkurt 2019 me 6 vjet burg. Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare e dënon këtë vendim dhe e konsideron si provë të mëtejshme se qeveria ruse është përfshirë ose ka toleruar dhunën e egër ndaj lirisë fetare.»

Më 25 maj 2020, vëlla Kristenseni bën 3 vjet që është në burg. Ai është një ndër 32 vëllezërit e motrat e burgosur në Rusi, 9 prej të cilëve e kanë marrë dënimin dhe 23 janë në paraburgim. Ndërsa 18 të tjerë janë në arrest shtëpie. Që nga viti 2017, Rusia ka bastisur thuajse 900 shtëpi të vëllezërve. Si rezultat, qeveria ruse ka akuzuar për vepra penale 331 Dëshmitarë të Jehovait.

Zyrtarë qeveritarë të Shteteve të Bashkuara dhe të Evropës e kanë kritikuar ashpër Rusinë për përndjekjen fetare që u bën Dëshmitarëve të Jehovait.

Pavarësisht nëse dokumenti i Dhomës së Përfaqësuesve (Rezoluta 958) aprovohet dhe sjell ndonjë ndryshim ose jo, e dimë se Jehovai nuk do të reshtë së ndihmuari vëllezërit e motrat në Rusi që të durojnë me gëzim. Mezi presim kohën kur Jehovai t’i shfarosë të gjithë ata që ‘kurdisin të keqen në emër të ligjit’.—Psalmi 94:20-23.