Kalo te përmbajtja

Nga e majta, rreshti lart: vëllezërit Aleksei Budençuku, Denis Kristenseni, Ginadi Germani dhe Roman Gridasovi

Rreshti poshtë: vëllezërit Vadim Kutsenko, Feliks Mahamadievi dhe Aleksei Miretski

6 NËNTOR 2020
RUSI

Zyrtarët ndërkombëtarë ngrenë zërin kundër përndjekjes së Rusisë ndaj Dëshmitarëve të Jehovait

Zyrtarët ndërkombëtarë ngrenë zërin kundër përndjekjes së Rusisë ndaj Dëshmitarëve të Jehovait

«Një shkelje flagrante e drejtësisë.»—Kryetarja e USCIRF-së Geil Mençini

Zyrtarë të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara dënojnë për të satën herë përndjekjen e vazhdueshme të Rusisë ndaj Dëshmitarëve të Jehovait.

Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare (USCIRF)

Në një deklaratë të publikuar më 27 tetor 2020, kryetarja Geil Mençini pohoi: «USCIRF-ja është e shokuar nga mënyra si e ka trajtuar Rusia Denis Kristensenin. Duket qartë që është një hakmarrje zyrtare kundër këtij burri të gjorë, i cili konsiderohet fajtor vetëm se ka praktikuar paqësisht besimin e tij. Në vend që t’i tregojë mëshirë, shteti po e trajton si një kriminel të rrezikshëm. Kjo është një shkelje flagrante e drejtësisë.»

Kryetarja Mençini punon në mbrojtje të vëlla Kristensenit nëpërmjet Projektit të USCIRF-së për të Burgosurit Fetarë për Arsye Ndërgjegjeje. Në sa e sa raste USCIRF-ja ka dënuar me forcë ndëshkimin e vëlla Kristensenit me gjashtë vite burg.

Në deklaratën e saj, USCIRF-ja dënon Rusinë edhe për faktin që i mohoi lirimin e parakohshëm vëlla Kristensenit. Ajo raporton se «më 23 qershor [2020] atij iu dha liri me kusht, por shumë shpejt një prokuror e apeloi vendimin. Në vend që ta lironin, Kristensenin e futën në një qeli ndëshkimore që kishte pak ajrosje, me pretendimin se gjoja nuk kishte respektuar rregullat e burgut.»

USCIRF-ja e mbyll deklaratën duke iu referuar Raportit të saj Vjetor të vitit 2020. Ky raport dënon qeverinë ruse «për shkeljet e saj sistematike, të vazhdueshme dhe të padrejta ndaj lirisë fetare» dhe rekomandon që qeveria e SHBA-së të ndëshkojë Rusinë duke e cilësuar një «shtet veçanërisht problematik».

Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut

Po kështu, në një letër drejtuar Misionit të Përhershëm të Federatës Ruse për Zyrën e Kombeve të Bashkuara, tetë zyrtarë të lartë, të zgjedhur nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, shprehën zhgënjimin e tyre për «përndjekjen e vazhdueshme të Dëshmitarëve të Jehovait në Federatën Ruse, për mbylljen e Qendrës Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Shën-Pjetërburg dhe për ndalimin e aktiviteteve fetare të komplet 395 degëve të saj në atë vend». Zyrtarët e kritikojnë Rusinë edhe për faktin që ka shpërfillur thirrjet e përsëritura të komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund përndjekjes.

Zyrtarët e OKB-së shpjegojnë se ligjet e paqarta të Rusisë për ekstremizmin janë «përdorur për të ndaluar çdo aktivitet fetar të Dëshmitarëve të Jehovait, për t’i frikësuar, për t’u prishur privatësinë përmes ndërhyrjeve të policisë dhe kontrolleve të shtëpive, për t’i marrë në pyetje disa prej tyre dhe, në disa raste, për t’i shpallur fajtorë e për t’i burgosur».

Zyrtarët këmbëngulin se «e drejta e Dëshmitarëve të Jehovait për të praktikuar besimin e tyre fetar garantohet nga neni 18 (1) i ICCPR-së». a Për këtë arsye, i bëjnë thirrje Federatës Ruse «të sigurohet që Ligji Federal i 2002-shit për të Luftuar Aktivitetet Ekstremiste të mos shkelë padrejtësisht të drejtën e mendimit, të ndërgjegjes, të fesë dhe të besimit që kushtetuta ia garanton çdo individi».

Kjo letër demaskon edhe disa trajtime mizore që janë ushtruar ndaj vëllezërve tanë. Për shembull, aty përmenden pesë Dëshmitarët nga Saratovi që janë rrahur mizorisht më 6 shkurt 2020. Letra shpjegon: «Shpesh, Dëshmitarët e Jehovait që janë arrestuar, vuajnë nga kushte të këqija në burg, nga keqtrajtime dhe nga abuzime të tjera fizike e psikologjike që mund të përshkallëzohen deri në torturë, dhe e gjithë kjo vetëm për shkak të bindjeve të tyre fetare.»

Në këtë letër flitet edhe për një tjetër rast tragjik të përndjekjes: më 10 shkurt 2020 autoritetet ruse torturuan vëlla Vadim Kutsenkon. Autoritetet ruse e mohojnë këtë fakt. Por zyrtarët e OKB-së nuk i besojnë autoritetet ruse dhe vazhdojnë të jenë «tepër të shqetësuar për atë që duket një përndjekje mbarëkombëtare ndaj komuniteteve të Dëshmitarëve të Jehovait duke i konsideruar krime aktivitetet e tyre paqësore».

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës

Ndalimi i vitit 2017 dhe përndjekja që pasoi, e kanë shtyrë Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës b të monitorojë më nga afër nëse Rusia po i zbaton dy vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila e shpalli fajtore Rusinë për shkelje të të drejtave të Dëshmitarëve të Jehovait. c Prandaj, më 1 tetor 2020, ky Komitet nxori një vendim në të cilin shprehin se «janë seriozisht të shqetësuar për ndalimin e vitit 2017 dhe për raportet alarmuese që marrin nga burime të ndryshme . . . pra, se si pasojë e ndalimit, Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë t’i arrestojnë, t’i përndjekin dhe t’i burgosin vetëm se praktikojnë në mënyrë paqësore bindjet e tyre fetare».

Për t’i dhënë fund shkeljeve të këtij lloji, Komiteti i kërkon Rusisë të përmirësojë «ligjin e tanishëm për luftën kundër ekstremizmit që është përdorur si bazë për të përligjur ndalimin e Dëshmitarëve të Jehovait dhe përndjekjen e tyre si kriminelë». Gjithashtu, Rusia duhet të shqyrtojë mundësinë për «të hequr ndalimin dhe për t’i dhënë fund çështjeve penale që janë ngritur kundër Dëshmitarëve të Jehovait vetëm sepse marrin pjesë në aktivitetet e tyre paqësore fetare». Në vitin 2021, do të shqyrtohet sërish nëse Rusia ka bërë diçka për të përmirësuar këtë situatë.

Që nga viti 2017, mbi 400 vëllezër e motra në Rusi dhe Krime janë akuzuar padrejtësisht për ekstremizëm. Më shumë se 210 Dëshmitarë janë burgosur në mbi 70 qytete anekënd Rusisë.

«Ne thërrasim për ndihmë emrin e Jehovait, Perëndisë tonë» që të vazhdojë t’i ndihmojë vëllezërit e motrat të tregojnë qëndrueshmëri me durim.—Psalmi 20:2, 7.