1 TETOR 2014
RUSI
Dëshmitarët i apelohen Gjykatës së Lartë të Federatës Ruse për mbylljen e entit të tyre ligjor në Samara
Më 8 tetor 2014, Gjykata e Lartë e Federatës Ruse do të marrë në shqyrtim apelimin e Dëshmitarëve të Jehovait në Samara në lidhje me mbylljen e Organizatës Fetare Lokale. Më parë, një gjykatë më e ulët e kishte shpallur organizatë ekstremiste. Nëse Gjykata e Lartë nuk e anulon këtë vendim, më se 1.500 Dëshmitarët në Samara mund të kenë pasoja të rënda.
Prokuroria në Samara përdor taktika agresive
Procedurat ligjore kundër Organizatës Fetare Lokale filluan në prill të vitit 2014 kur Prokuroria Rajonale bëri një kërkesë pranë Gjykatës Rajonale në Samara për ta mbyllur atë për shkak të «veprimtarive ekstremiste». Pa e shqyrtuar akoma çështjen Gjykata Rajonale, prokuroria e pezulloi këtë organizatë dhe i konfiskoi përkohësisht pronat. Pas kësaj, madje pa filluar akoma procesi gjyqësor, Ministria e Drejtësisë e Federatës Ruse e futi në listën e shoqatave fetare të pezulluara për veprimtari ekstremiste. Kurse më 29 maj 2014, gjykatësi Shabayeva vendosi në favor të prokurorisë e dha urdhër që Organizata Fetare Lokale të mbyllej dhe pronat t’i konfiskoheshin.
Kjo nuk është hera e parë që Prokuroria Rajonale në Samara ngre akuza për ta mbyllur këtë organizatë. Më 2009 prokuroria bëri një padi që çoi në një proces gjyqësor, por pastaj i tërhoqi akuzat. Kurse në çështjen e tanishme, organet e rendit në Samara përdorën një metodë tjetër për të arritur qëllimin.
Gjykatat ruse e mbyllin organizatën mbi baza të dyshimta
Në janar 2013 dhe janar 2014, policia lokale kontrolloi në godinat që Dëshmitarët merrnin me qira për t’u mbledhur dhe «gjeti» botime fetare që ishin në Listën Federale të Materialeve Ekstremiste. Pas kontrollit të vitit 2013, prokuroria në Samara e paralajmëroi Organizatën Fetare Lokale, dhe kur policia gjeti përsëri botime fetare në janar të 2014-s, prokuroria hapi një çështje administrative. Më 7 mars 2014, Gjykata Krahinore Sovjetike në Samara e shpalli fajtore këtë organizatë dhe e gjobiti me 50.000 rubla (1.383 dollarë). Dëshmitarët në Samara janë të sigurt se në të dyja rastet e kontrollit, ishte policia që i kishte futur tinëzisht ato botime. Për më tepër, Dëshmitarët e Jehovait i kundërshtojnë vendimet e gjykatës ruse që i kanë shpallur botimet e tyre si ekstremiste, dhe i janë drejtuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Pasi prokuroria ia arriti qëllimit me dënimin që dha Gjykata Krahinore Sovjetike, në prill të vitit 2014 ajo bëri kërkesë edhe pranë Gjykatës Rajonale në Samara me akuzën për ekstremizëm. Kjo u bë me qëllimin për të mbyllur Organizatën Fetare Lokale. Avokatët e Dëshmitarëve argumentuan para gjykatësit Shabayeva se mbyllja e kësaj organizate ishte e pajustifikueshme dhe se nuk ka asgjë ekstremiste në veprimtarinë dhe bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait ose të Organizatës Fetare Lokale. Ata gjithashtu arsyetuan se botimet «e ndaluara» ishin futur nga policia gjatë kontrollit. Pavarësisht nga kjo, gjykatësi Shabayeva vendosi ta mbyllte Organizatën Fetare Lokale në Samara.
A do të vazhdojnë autoritetet ruse ta shkelin lirinë e adhurimit?
Çështja në Samara po ndjek një model të ngjashëm me planet e thurura nga autoritetet ruse të rendit publik kundër Dëshmitarëve të Jehovait në Taganrog, ku për herë të parë autoritetet keqpërdorën Ligjin Federal kundër Veprimtarive Ekstremiste për të ndaluar adhurimin e tyre. Në 2009-n, autoritetet arritën ta mbyllnin Organizatën Fetare Lokale në Taganrog, dhe më vonë nisën ndjekjen penale kundër disa Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo çështje përfundoi me dënimin e shtatë Dëshmitarëve vendës vetëm sepse ndiqnin mbledhjet. Dëshmitarët e Jehovait në Samara i tremben së njëjtës gjë.
Deri ku do të arrijë ky sulm i autoriteteve ruse ndaj Dëshmitarëve të Jehovait? Që në qershor të vitit 2014, në pjesë të ndryshme të Rusisë janë hedhur akuza të rreme ndaj Dëshmitarëve ngaqë kanë shpërndarë literaturë fetare gjoja ekstremiste. Dëshmitarët e Jehovait në Samara shpresojnë se Gjykata e Lartë e Federatës Ruse do të vërë në vend drejtësinë.