Kalo te përmbajtja

Delegatët nga e majta në të djathtë: Alberto Rovira (Spanjë), Piter Hamadej (Sllovaki), Andrejs Gevla (Letoni), Çong Ho (Kore), Jaroslav Sivulski (Rusi), Johan Zimerman (Austri), Stefan Shtajnër (Zvicër), Vasilij Kalin (Rusi), Tomi Kauko (Finlandë), Mark Sanderson (Shtetet e Bashkuara), Robert Delahaj (Holandë), Mark Hansen (Belgjikë), Pol Gilis (Mbretëria e Bashkuar), Lars-Erik Erikson (Suedi), Tomi Xhensën (Danimarkë), Jurgen Pedersen (Norvegji), Menfred Stefensdorfër (Gjermani), Temu Konsti (Lituani), Babis Andreopulos (Greqi), Tambet Ernits (Estoni), Zhan-Klod Pons (Francë)

21 KORRIK 2017
RUSI

Delegacioni ndërkombëtar i vëllezërve mbështet bashkadhuruesit rusë gjatë seancës së apelit në Gjykatën e Lartë

Delegacioni ndërkombëtar i vëllezërve mbështet bashkadhuruesit rusë gjatë seancës së apelit në Gjykatën e Lartë

NJU-JORK—Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait mori masa që një delegacion me vëllezër nga tri kontinente të shkonte në Moskë për të shprehur mbështetjen globale për vëllezërit e motrat në Rusi.

Delegacionin e pritën vëllezër e motra të lumtur rusë, disa prej të cilëve kishin udhëtuar për në Moskë që nga Siberia e largët. Delegatët i siguruan bashkëbesimtarët rusë se ishin tejet të shqetësuar dhe se e gjithë vëllazëria mbarëbotërore po lutej me gjithë zemër për ta. Një pjesëtar i delegacionit tha: «Qëndrimi i guximshëm i vëllezërve e i motrave ruse më preku thellë, sidomos kur mendon sa pak shpresa kishte që të anulohej vendimi i padrejtë për të ndaluar veprën e tyre.»

Pavarësisht nga vendimi negativ i panelit me tre gjyqtarë, në sallën e gjyqit mbizotëronte një atmosferë uniteti dhe dashurie të sinqertë. Të gjithë u trishtuan shumë teksa dëgjonin që emri i Jehovait përbaltej në publik dhe ishin plotësisht të vetëdijshëm se Dëshmitarët në Rusi i priste një periudhë me sprova. Prapëseprapë, dinjiteti dhe përzemërsia e vëllezërve dhe e motrave në sallën e gjyqit ishin dëshmi e mjaftueshme për ta hedhur poshtë akuzën e rreme për «ekstremizëm» që lanë në fuqi gjykatësit e apelit.

Në krye të delegacionit ishte Mark Sandersoni, pjesëtar i Trupit Udhëheqës. Me fjalë të ngrohta, i nxiti vëllezërit ‘të ishin të fortë e guximtarë’ në ditët në vazhdim. Teksa delegacioni largohej nga salla, Dëshmitarët vendës i përqafuan dhe i falënderuan që iu bënë krah në këtë moment historik.

Delegacioni vizitoi edhe 21 ambasada në Moskë dhe u dha informacione të sakta për pasojat e këtij sulmi ndaj Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi. Ndër to përfshiheshin: djegia e disa shtëpive të Dëshmitarëve, pushimi nga puna, ngacmimi i fëmijëve në shkollë dhe akuzat penale ndaj disa pleqve për organizimin e mbledhjeve të krishtere, mes të cilëve edhe vëlla Denis Kristenseni, i cili mbahet në paraburgim. Disa ambasadorë u prekën nga një video dyminutëshe që i përmblidhte këto ngjarje. Pyetja më e zakonshme që bënin këta zyrtarë, ishte: «Po pse Dëshmitarët e Jehovait?» Si përgjigje, vëllezërit dhanë një dëshmi të fuqishme duke shpjeguar se individët e organizatës sonë janë asnjanës në çështjet politike dhe se vepra jonë e predikimit ua ka ndryshuar për mirë jetën shumë rusëve. Një ambasador tha: «Kisha Ortodokse nuk do që të peshkoni në ujërat e saj.» Më shumë se dhjetë ambasada dërguan përfaqësues në këtë seancë të cilët qëndruan deri në fund për tetë orë rresht.

Delegacioni ndërkombëtar i vëllezërve u largua nga Rusia me besim më të fortë. Ata morën zemër nga vendosmëria e vëllezërve rusë për të qëndruar besnikë dhe ngaqë patën mundësi t’u jepnin një dëshmi të efektshme zyrtarëve.

Zëdhënësi për mediat:

Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000