Kalo te përmbajtja

14 TETOR 2016
RUSI

Gjykata ruse nuk pranon apelimin e Dëshmitarëve kundër paralajmërimit të Prokurorit të Përgjithshëm për të mbyllur Qendrën e Dëshmitarëve

Gjykata ruse nuk pranon apelimin e Dëshmitarëve kundër paralajmërimit të Prokurorit të Përgjithshëm për të mbyllur Qendrën e Dëshmitarëve

Më 12 tetor 2016 Gjykata Krahinore e Tverskoit në Moskë hodhi poshtë apelimin e Dëshmitarëve mbi ligjshmërinë e paralajmërimit të Prokurorit të Përgjithshëm ndaj Qendrës Administrative pranë Shën-Pjetërburgut. Ky paralajmërim i datës 2 mars 2016, pretendon se në «veprimtari ekstremiste» ishin përfshirë disa organizata fetare lokale të Dëshmitarëve të Jehovait dhe jo vetë Qendra Administrative. Por, meqë kjo është qendra kombëtare e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, përgjegjësia bie mbi të. Të ashtuquajturat «veprimtari ekstremiste» në të vërtetë ishin rezultat i provave të sajuara dhe i pohimeve të rreme të kurdisura nga autoritetet lokale. Gjykatësi nuk e lejoi palën mbrojtëse të paraqiste dëshmitarë në gjyq ose video-regjistrime që vërtetonin se në disa raste është vendosur kastile literaturë e ashtuquajtur ekstremiste në vendet e adhurimit të Dëshmitarëve të Jehovait.

Dëshmitarët do ta apelojnë vendimin në Gjykatën e Qytetit të Moskës. Nëse gjykata vendos kundër tyre, detyrimisht do të zbatohet paralajmërimi i Prokurorit të Përgjithshëm, dhe kjo mund të kërcënojë lirinë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait në të gjithë Rusinë. Si rezultat i këtij vendimi negativ dhe i provave të reja të sajuara për përfshirjen e komuniteteve lokale të Dëshmitarëve të Jehovait në «veprimtari ekstremiste», Prokurori i Përgjithshëm mund të fillojë procedurat gjyqësore për mbylljen e Qendrës Administrative.