Kalo te përmbajtja

23 NËNTOR 2018
RUSI

Vazhdojnë arrestimet dhe burgosjet masive në Rusi

Vazhdojnë arrestimet dhe burgosjet masive në Rusi

Gjatë muajit tetor të vitit 2018, policia vendëse bashkë me policinë federale bastisën më shumë se 30 shtëpi në perëndim të Rusisë. Gjashtë vëllezër dhe dy motra u arrestuan dhe u dënuan me paraburgim për të ashtuquajturën veprimtari ekstremiste. Si rrjedhojë, tani 25 vëllezër e motra janë padrejtësisht të burgosur dhe 18 të tjerë janë në arrest shtëpie.

7 tetor, Siçiovka, Rajoni i Smolenskut—Policia vendëse dhe forca speciale të maskuara kontrolluan 4 shtëpi dhe arrestuan 2 motra: 43-vjeçaren, Natali Sorokinën, dhe 41-vjeçaren, Mari Troshinën. Dy ditë pas arrestimit, Gjykata e Krahinës së Leninskit i dënoi këto dy motra me paraburgim deri më 19 nëntor të vitit 2018. Më pas, më 16 nëntor 2018, Gjykata e Krahinës së Leninskit ua zgjati me 3 muaj paraburgimin deri më 19 shkurt 2019.

9 tetor, Kirov, Rajoni i Kirovit—Të paktën 19 shtëpi u bastisën. Pesë pleq kongregacioni u arrestuan dhe më vonë u dënuan me paraburgim. Katër janë shtetas rusë (Maksim Kalturini, Vladimir Korobejnikovi, Andrei Suvorkovi dhe Evgeni Suvorkovi) dhe njëri është shtetas polak, Anzej Onisçuku. Vëlla Onisçuku është i huaji i dytë pas Denis Kristensenit nga Danimarka, i burgosur padrejtësisht në Rusi për hir të bindjeve të krishtere.

18 tetor, Durtulí, Republika e Bashkortostanit—Policia bastisi të paktën 11 shtëpi dhe konfiskoi para, karta bankare, fotografi, letra personale, kompjuterë, karta SIM dhe celularë. Anton Lemeshevin, një plak kongregacioni, e arrestuan dhe më pas e dënuan me 2 muaj paraburgim. Më 31 tetor 2018 e liruan nga burgu dhe e vunë në arrest shtëpie, ku ndodhet për momentin.

Me gjithë kërcënimet për bastisje dhe për konfiskime të paligjshme të zotërimeve të tyre, vëllezërit dhe motrat vendës nuk ndalin së luturi për ata që janë në burg. Gjithashtu i ndihmojnë vazhdimisht në mënyra praktike vëllezërit e burgosur dhe familjet e tyre. Derisa kjo situatë të zgjidhet, vëllazëria mbarëbotërore do t’i përgjërohet Jehovait për të gjithë shërbëtorët e Tij besnikë në Rusi, madje duke përmendur disa me emra.—Efesianëve 6:18.