21 QERSHOR 2017
RUSI
Publikohet videoja ku autoritetet ruse bastisin një mbledhje fetare paqësore
NJU-JORK—Kohët e fundit, në një video të publikuar në glavny.tv, një media që mbulon Krahinën Federale Qendrore të Rusisë, shfaqen policë rusë të armatosur dhe agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal (SHSF) që, më 25 maj 2017, bastisin një mbledhje fetare paqësore të Dëshmitarëve të Jehovait në Oriol, Rusi.
Në video shihet Denis Kristenseni, një shtetas danez, që flet qetësisht me autoritetet. Ai u arrestua gjatë kësaj bastisjeje dhe po mbahet në paraburgim.
Dejvid Semoniani, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në selinë botërore, thotë: «Videoja e tregon qartë sa paqësisht sillen Dëshmitarët e Jehovait, madje edhe kur autoritetet i ndërpresin diskutimet e tyre biblike duke i frikësuar dhe duke i kërcënuar. Këto shkelje skandaloze të lirisë fetare do të vazhdojnë nëse Gjykata e Lartë Ruse nuk e shfuqizon vendimin e padrejtë kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Gjithashtu, jemi shumë të shqetësuar për bashkëbesimtarin tonë, Denis Kristensenin, të cilit i janë mohuar vizitat dhe telefonatat nga e shoqja. Shpresojmë që së shpejti të lirohet nga burgosja e padrejtë.»
Zëdhënësi për mediat:
Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000