Kalo te përmbajtja

Salla e Asambleve në Kolomjazhskij, Shën-Pjetërburg

25 DHJETOR 2017
RUSI

Autoritetet ruse konfiskojnë një Sallë Asamblesh të Dëshmitarëve të Jehovait

Autoritetet ruse konfiskojnë një Sallë Asamblesh të Dëshmitarëve të Jehovait

Më 14 dhjetor 2017 autoritetet ruse hynë me forcë në Sallën e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait në Kolomjazhskij, Shën-Pjetërburg. Pastaj rrethuan ndërtesën dhe e morën nën kontroll. Gjatë bastisjes nuk u lëndua asnjë nga Dëshmitarët e Jehovait që ndodheshin në sallë dhe, me sa duket, godina nuk është dëmtuar.

Bastisja nga policët rusë, pamje të marra nga kamera e sigurisë

Salla e Asambleve është prona më e madhe që autoritetet ruse u kanë konfiskuar Dëshmitarëve që prej vendimit të Dhomës së Apelit të Gjykatës së Lartë të Federatës Ruse më 17 korrik 2017. Gjykata e Lartë vendosi të mbyllte të gjitha entet ligjore të Dëshmitarëve në mbarë Rusinë, të ndalonte veprimtarinë e tyre dhe t’u konfiskonte pronat.

Policë brenda Sallës së Asambleve

Pas rinovimit më 2002, Salla e Asambleve me një kapacitet prej 1.500 vendesh, përdorej si për mbledhje të mëdha fetare, edhe nga kongregacionet vendëse. Avokatët e Dëshmitarëve mësuan se autoritetet e kishin regjistruar sërish Sallën e Asambleve nën pronësinë e Federatës Ruse. Që atëherë godina i ka kaluar një pronari të ri, një qendre shëndetësore aty pranë, që tashmë ka vendosur tabelën e vet te porta.

Ky veprim vjen pas vendimit që mori një gjykatë vetëm një javë më parë, ku kërcënonte konfiskimin e qendrës kombëtare të Dëshmitarëve, pranë Shën-Pjetërburgut. Vendimi anuloi kontratën 17-vjeçare të qendrës kombëtare të Dëshmitarëve në Rusi me Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania. Nëse vendimi lihet në fuqi edhe pas apelit, u hap rrugën autoriteteve ruse të konfiskojnë qendrën dhe prona të tjera të Dëshmitarëve në Rusi të cilat janë në pronësi të huaj.

Dëshmitarët e Jehovait i konsiderojnë veprimet e qeverisë ruse si intolerancë fetare e shëmtuar, që i ka privuar jo vetëm nga liria fetare, por edhe nga pronat e tyre—shumë prej të cilave janë blerë e rinovuar nga shtetas rusë me të ardhura të pakta. Dëshmitarët po përpiqen të apelojnë kundër veprimeve të qeverisë në çdo instancë të mundshme, duke paraqitur kërkesa edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe ankesa pranë Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.